Përçarja e VV-së në Mitrovicë, grupet e Mujës, Bahtirit, Fejzës e Beshirit në "luftë" në zgjedhjet e brendshme - NACIONALE

Përçarja e VV-së në Mitrovicë, grupet e Mujës, Bahtirit, Fejzës e Beshirit në "luftë" në zgjedhjet e brendshme

1 vit më parë

nga Gazeta Nacionale

Pushteti sjellë përçarje. Një gjë e tillë më së miri vërtetohet nga Lëvizja Vetëvendosje në Mitrovicë. Vetëvendosje në Mitrovicë është më e përçarë se vet qyteti që për dy dekada është i ndarë etnikisht. Ndoshta asnjë degë tjetër nuk është më pak e unifikuar se qendra e VV-së në qytetin e minatorëve. Në këtë qytet, katër grupe të ndryshme po luftojnë për t’i fituar zgjedhjet e brendshme.

Por, krahas Mitrovicës, çarje ka edhe në shumë degë të tjera të VV-së. Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Viti, Rahovec, etj. janë qytetet ku individë të ndryshëm heshtazi po përplasen për të fituar garën e brendshme elektorale.

Zgjedhjet e brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje kanë ritheksuar edhe një herë problemet e mëdha që kjo parti ka me kohezionin e brendshëm. Në shumë degë të saj, mungon harmonia. Kryefjala është ndarja.

Natyrisht, garë e ashpër po zhvillohet edhe në nivel qendror, teksa aty rivaliteti më i madh është për funksionin e sekretarit organizativ, të cilën e mban momentalisht Vlora Haxhimehmedi, pasardhësja e Dardan Molliqajt, tash kryetar i PSD-së. Për këtë, një herë tjetër.

Por, çfarë po ngjanë me VV-në Mitrovicë?

Në Mitrovicë gjendja nuk është aspak e mirë për partinë që dikur karakterizohej nga uniteti. Jo një, as dy, as tri, por saktësisht katër grupe po luftojnë për të marrë drejtimin e qendrës së VV-së në Mitrovicë.

Dje u pa për herë të parë edhe publikisht se VV në Mitrovicë po vlon nga përçarja.

Kryetari i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Veriut, dhe njëherësh edhe ish-kandidat për kryetar të kësaj komune, Erden Atiq, i dëshiroi deputetes Fjolla Ujkani, hiç më pak se 'theqafje'.

E gjitha filloi, pasi Ujkani, që vie nga Vushtrria, mori pjesë në një tubim në lagjen “Ilirida” në Mitrovicë.

Ndonësë në postimin e tij në Facebook, Atiq është treguar paksa enigmatik, duke përdorur vetëm inicialet F.U., u kuptua se kutj iu drejtua mesazhi.

“Porosi për deputeten: F.U., udha e mbarë në theqafje”, ka shkruar Atiq para se ta fshinte këtë status.

Një postim i tillë, e zuri në befasi Ujkanin, e cila i tha Nacionales se nuk e kupton pse iu drejtua kështu.

"Për besë unë nuk kam mujtë me kuptu, se kam raporte shumë të mira me të kështu që iu kisha sugjeru me thirrë dhe me e pyet, sepse nuk kam kontaktu me të dhe sinqerisht nuk e di pse ai ka shkru ashtu”, tha ajo për Nacionale.

E shkëndijat e fërkimeve brenda VV-së në Mitrovicë, u konfirmuan edhe nga një intervistë tjetër.

Ramadan Beshiri, që u intervistua nga Nacionale, është një aktivist i dalluar i Lëvizjes Vetëvendosje në lagjen më të madhe të Mitrovicës, Iliridë, dhe kandidat për të drejtuar këtë qendër.

Beshiri ka treguar edhe për prapaskenat e kandidatit të Vetëvendosjes për kryetar të Mitrovicës, përpjekjet për ta hequr qafe Agim Bahtirin dhe për humbjen dërmuese pa balotazh nga Bedri Hamza.

Katër grupe në garë, por veç një fitues në fund

Gazeta Nacionale ka mësuar nga burimet e saja, se në garën e brendshme në Qendrën e LVV-së në Mitrovicë, tashmë ekzistojnë katër grupe të ndryshme. Të gjitha grupet kanë ndikimet e mbështetësit e tyre.

Deputeti Armend Muja, deputetja Arjeta Fejza, ish-kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtir, e aktivisti i dalluar Ramadan Beqiri janë udhëheqësit kryesorë të katër grupeve që po garojnë të marrin drejtimin e VV-së në Mitrovicë.

Sipas burimeve, grupi më i fuqishëm në këtë garë është ai i Mujës. Ndonëse i anëtarësuar vonë në VV, Muja, tregojnë burimet, është ndër favoritët kryesor për të marrë krejt drejtimin e Qendrës së VV-së në Mitrovicë.

Burimi i Nacionales sqaroi se nga e merr përkrahjen më të madhe deputeti Armend Muja.

“Pak a shume qato që i dijmë tash e sa kohë. Grupi i Tavnikut nuk përkrahet nga strukturat e aktvistat e vjetër. Dmth nga aktivistat që kanë nga pas VV-së qysh moti, ata e përkrahin Armendin”, i tha një burim Nacionales.

Burimet bëjnë me dije se për shkak të ndarjeve, edhe mund të ketë probleme.

Por, ndryshimin në terren mund ta bëjë grupi që udhëhiqet nga Agim Bahtiri. Pra, varësisht nga anon ai, fituesi mund të përcaktohet.

“Këtu ka me pas probleme mesiguri, unë mendoj që ka me eskalu situata. Veç mbetet me u pa kah po orientohet grupi i Agimit”, theksoi burimi.

Megjithatë, nuk dihet nëse Bahtiri do të jetë edhe personalisht në garë për të udhëhequr VV-në në Mitrovicë.

Ndërsa, grupi me më së paku ndikim vlerësohet të jetë ai i deputetes së VV-së, Arjeta Fejza.

“Fejza e ka një mini grup, me do aktivista, e kryesisht familjarë të saj, që i ka pas vete, e që kanë pas ndikim tek aktivistët”, tregon tutje ky burim.

Ajo çfarë grupi i Fejzës dhe Mujës kanë të përbashkët është “sabotimi” që i kanë bërë në zgjedhjet e kaluara ish-kandidatit të VV-së për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri. Muja e Fejza nuk janë parë të lobojnë shumë për Bahtirin, i cili e humbi garën për Mitrovicë nga Bedri Hamzaj i PDK-së.

Ish-dyshi i Bahtirit, Fatmir Mujka është krejtësisht pasiv në këtë garë.

Ndërsa, grupi i udhëhequr nga Ramadan Beshiri vlerësohet të jetë në garë kokë me kokë me atë të Mujës, duke e nxehur garën për të parin e VV-së në Mitrovicë.

Nacionale në ditën në vazhdim do të botojë një sëri shkrimesh për përçarjen e VV-së nëpër degët e saja lokale, teksa po mban zgjedhjet e brendshme. Për shkak që çarja u bë edhe publike dje, Nacionale ka përzgjedhur Qendrën e VV-së në Mitrovicë si të parën degë me të cilën e fillon këtë seri shkrimesh.

Të gjitha shkrimet do të bazohen në burimet brenda degëve të VV-së, të cilat burime sqarojnë për përplasjet e mëdha në partinë që udhëhiqet nga kryeministrit Kurti.

Lajme të ngjashme