Gazetarja McDonagh pas deklaratave të Kurtit: Qetësohuni, se s’ka luftë, s’është 1914-a
Kryeministri i Kosovës ka folur për një luftë të mundshme në vend me Rusinë si nxitëse. Në një intervistë për gazetën italiane, “La Repubblica”, Albin Kurti tha: “Rreziku i një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë është i lartë. Do të isha i papërgjegjshëm, nëse do të thosha ndryshe, sidomos pasi bota ka parë se çfarë i ka bërë Rusia Ukrainës. Ne jemi demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës, mundësitë ishin të vogla, por tash situata ka ndryshuar.”
Melanie McDonagh, “The Spectator”
“Episodi i parë, një pasojë e idesë fashiste pan-sllave të Kremlinit, ishte Ukraina. Nëse kemi episod të dytë, për shembull në Transnistri, atëherë gjasat që një luftë e tretë të ndodhë në Ballkanin Perëndimor, sidomos në Kosovë, do të jenë shumë të larta”, shtoi ai.
A duhet të brengosemi? BBC-ja të dielën zhvilloi një intervistë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila deklaroi se situata e Kosovës në raport me Serbinë, me Rusinë prapa vetes, është pak a shumë si ajo e Perëndimit kundër Lindjes, e demokracisë kundër autokracisë. Dhe që nga incidenti për keqardhje në Sarajevë shumë gushta më parë, vetë përmendja e trazirave në Ballkan i shqetëson të gjithë.
Unë do të thosha që të qetësohemi. Jo që unë jam e pagabueshme. Unë isha ajo që thosha se Rusia kurrë nuk do ta pushtonte Ukrainën. Por ndonëse ka tensione mes Kosovës dhe Serbisë, ato kanë shumë pak gjasa që të çojnë në luftë. Qartazi, Rusia ka qasje pronësore ndaj Serbisë. Sergei Lavrov, ministri i Jashtëm i Rusisë, shpesh flet për Kosovën si një objekt mësimi për atë se si të mos kryhen çështjet ndërkombëtare. Dhe kanë qenë disa incidente të neveritshme rishtazi: sulmet ndaj rojave në kufirin verior në Mitrovicë; një protestë kundër përdorimit të targave të veturave nga serbët, të lëshuara nga Prishtina; dhe një spiune ruse të arrestuar rishtazi në kufirin kosovar. Të gjitha shumë nxitëse, por asnjëra e re, përpos spiunes.
Sigurisht, Rusia mund të jetë prapa incidenteve si të shtënat ndaj rojave kufitare, por Serbia është lojtarja e vërtetë në Mitrovicë dhe zor se i nevojitet nxitje nga jashtë. Ajo që është e rëndësishme këtu është që bisedimet e gjata mes Serbisë dhe Kosovës, që kanë qenë duke u zhvilluar qe disa vjet, nuk kanë arritur saktësisht askund.
Për më tepër, ka arsye të mira edhe për presidentin serb, Aleksander Vuçiq, edhe për kryeministrin kosovar, Albin Kurti, që të bisedojnë për tensionet në mënyrë që ta largojnë vëmendjen nga problemet e tyre të brendshme. Situata ekonomike në Kosovë është veçanërisht e rëndë; dhjetëra mijëra shqiptarë të rinj largohen nga vendi çdo vit, shumë nga më të shkolluarit merren nga Gjermania; mjekët, për shembull, merren nga universiteti për në shërbimin shëndetësor gjerman, me pasojë të pashmangshme për sistemin shëndetësor vendës. Ka mungesë të investimeve të jashtme, papunësi të lartë dhe sundimi i ligjit është problematik. Prandaj largimi i vëmendjes nga dështimet shtetërore te një mosmarrëveshje në Kosovën veriore është e dobishme për të dyja qeveritë.
Por arsyeja e dukshme se pse lufta ka shumë pak gjasa që të ndodhë është që amerikanët, kontrolli i të cilëve për atë se çfarë ndodh në Kosovë zor se mund të mbivlerësohet, nuk do ta lejojnë këtë. Ata kanë një bazë ushtarake në Kosovë dhe përkrahje ajrore brenda qasjes së lehtë. KFOR-i është ende në Kosovë dhe trupat italiane janë shumë të dukshme përreth Mitrovicës. Edhe Britania, gjithashtu, po i trajnon forcat kosovare të mbrojtjes. Me fjalë të tjera, nuk jemi në një situatë të stilit të Ukrainës. Nuk jemi as afër saj. Ka shumë gjëra për t’u shqetësuar për to në ish-Jugosllavi, por nuk është gushti i vitit 1914, as prilli i vitit 2022. Qetësohuni, të gjithë.
Përktheu: Nacionale
