Veç zyrtarët e VV-së i arsyetojnë paralajmërimet e Kurtit për luftë - NACIONALE

Veç zyrtarët e VV-së i arsyetojnë paralajmërimet e Kurtit për luftë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Personi që qeverisë Kosovën po paralajmëron luftë. Vetë kryeministri Albin Kurti nuk e përjashtoi mundësinë e një konflikti në vend, e gjithë kjo sipas tij, për shkak të Rusisë. Ai ka marrë shumë reagime kundër në lidhje me këtë deklaratë, por si zakonisht, ka gjetur mbështetje nga bashkëpartiakët e tij.

Në një prononcim për gazetën italiane “La Repubblica”, kryeministri i vendit nuk mohoi një luftë të re duke e përmendur edhe Rusinë, e cila sipas tij, po tenton të shtrijë ndikimin e pansllavizmit.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti.

Kryeministrin e arsyetojnë bashkëpartiakët

Për këtë deklaratë që u komentua shumë, kryesisht me kritika ndaj tij, kryeministri Kurti ka gjetur mbështetje veç nga eksponentët e partisë, Lëvizjes Vetëvendosje.

Këshilltari i Qeverisë për marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë, Hysamedin Feraj, përmes një postimi të publikuar në llogarinë e tij në Facebook, i reagoi kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Feraj e ka konsideruar Abdixhikun si “drejtues të korit në Kosovë” i cili thotë se Vuçiq është engjëll e Kurti djall, dhe se Serbia do paqe e Kosova luftë.

Koncert: këndim në kor Arritja më e madhe e opozitës (kundër vetes) në Kosovë: - Serbia dhe Vuçiqi duan paqe, Albini do...

Posted by Hysamedin Feraj on Tuesday, August 9, 2022

Ideologu i VV-së, njëherit ish-këshilltar i Kurtit, Elvis Hoxha nuk ka hezituar ta arsyetojë liderin partiak. Ky i fundit, ka bërë një shkrim ku thotë se “luftrat janë gjithnjë produkt i mendjelehtësisë politike afatgjatë”.

“Vetëm një mendim i pjekur, një mendim që e vendos botën në drejtësinë e reciprociteteve dhe në ndëshkimin e dhunës mund ta bëjë të pamundur luftën”, ka thënë tutje ai.

Në çdo frazë që prodhojnë instancat drejtuese të Serbisë është lufta. Sepse Serbia është në lartësinë e Dodikut. Për...

Posted by Elvis Hoxha on Monday, August 8, 2022

Për reagimet ndaj kryeministrit, është shfaqur i prekur edhe ish-zëvendësministri i Infrastrukturës, Avni Zogiani. Ky i fundit, që nuk ka luftuar asnjë ditë, ka sulmuar partitë opozitare duke thënë se liderët e tyre nuk e dijnë se çfarë është lufta.

“Jane djem te rinj e qika te reja, por edhe ndonje budalle ma i vjeter, te cilet ma shume ndikohen prej rrefimeve "kozmopolite" te momentit. Mendojne ta bejne luften politike duke pare problemin vetem ne Prishtine e fare ne Beograd”, ka thënë ai.

Arber Zaimi, tjetër aktivist besnik i Kurtit, i konsideron deklaratat e tij si “shpërfaqje objektive e realitetit”.

“Kjo shpërfaqje objektive e realitetit është në fakt një mënyrë për t’u përgatitur, për të refuzuar kërcënimet, por edhe për ta rritur presionin mbi Serbinë që ajo të heqë dorë nga pjesëmarrja në planin rus për destabilizim në Evropë”, ka shkruar Zaimi në Facebook.

Albin Kurti i tregon aleatëve dhe opinionit publik ndërkombëtar se Serbia ka ndërtuar 48 baza ushtarake rreth Kosovës,...

Posted by Arbër Zaimi on Tuesday, August 9, 2022

Ndërkaq, zyrtari tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri, Enis Sulstarova, është shprehur i bindur se kryeministri po e tregon vetëm realitetin, që sipas tij opozita nuk dëshiron ta pranojë.

Në mbrojtje shefit të tij i ka dalë edhe deputeti Mefail Bajqinovci. Ky i fundit, për televizionin publik ka thënë se Kurti ka treguar vetëm se ekziston një rrezik potencial.

“Kryeministri nuk ka nxitur frikë, por ka ngjallur vetëdije. Kjo është e argumentuar me vite të tëra, duke ditur se Ballkani është nën hemisferën ruse, sidomos Serbia dhe disa shtete përreth. Pa dyshim të thuhet se nuk ka rrezik nga Serbia është papërgjegjshmëri. Gjithmonë ka rrezik nga Serbia. Ne po e shohim edhe armatosjen e madhe në Ballkan që po ndodh. Ne i kemi shpesh edhe deklaratat e liderëve kroatë. Ata janë në NATO dhe thonë gjithmonë se nuk na mbron vetëm NATO, por duhet të armatosemi vetë dhe t’i qëndrojmë përballë një armiku siç e kanë edhe ne edhe kroatët, e që është Serbia”, ka theksuar ai.

Të tjerët e kritikojnë ashpër

Kritika të ashpra ka marrë Kurti nga opozita, në lidhje me këto deklarata.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryeministri nënkupton se e dëshiron krizën dhe ëndërron protagonizëm te paniku.

“Ky njeri e dëshiron krizën. E ëndërron protagonizmin tek paniku. Sikurse Vuçiqi, investimet tek shteti i të cilit natyrisht se nuk ndalojnë, edhe ky flet për një Kosovë të luftës, krizës e frikës. Çfarë të duhet propaganda e kundërshrarëve të shtetit, kur ke një kryeministër që të bën autogol?!”, shkroi i pari i LDK-së në pjesën e parë të reagimit”, ka thënë Abdixhiku.

Në lidhje me fjalët e thëna nga kryeministri në këtë intervistë, ka reaguar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku.

Kjo e fundit, ka kërkuar të mos ndjellet frikë e panikë të qytetarët, derisa shtoi se Serbia e di shumë mirë se çfarë sjellë konflikti me NATO-në.

“Nuk ka me pasë luftë në Kosovë. Mos ndjellni frikë e panikë. NATO është garantues i sovranitetit të Kosovës. Serbia e di shumë mirë çka sjellë një konflikt i hapur me NATO. E ka provu. Ka pasë luftë në Kosovë para 23 vitesh. Disa prej nesh kemi qenë të rritur dhe kemi pasë mundësinë me luftu atëherë. Nderkohë, Serbisë sot më së shumti i konvenon status quo, dhe mundësisht me folë për stikersa e barikada. Lufta konvencionale ka përfunduar. Tash betejat janë të një natyre tjetër”, tha Çitaku.

Ndërkaq, Uk Lushi, ish-ushtar i UÇK-së dhe aktivisti nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka thënë se njerëzit që bëjnë luftëra nuk flasin për të, por përgatiten, dhe kuptohet, duke mos bërë zhurmë.

“Njerëzit që bëjnë luftëra nuk flasin për luftë por përgatiten dhe atë zakonisht pa bërë zhurmë”, shtoi Lushi në rrjetin social “Facebook”.

Berat Rrukiqi, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, ka thënë se dhënia e opinioneve të tilla për media globale, nuk i sjellë vendit asnjë dobi.

“Kosova edhe pa këto deklarata, ka nje imazh të vendit të konfliktit dhe të rrezikut të lartë politik, gjë që ka frikësuar shumë kompani të investojnë në Kosovë. Nuk është e dobishme që tani ta ushqejmë edhe më tutje këtë percepcion”, ka thënë ai.

Lajme të ngjashme