A rikthejnë traumat e luftës paralajmërimet e Kurtit për luftë? Flasin ekspertët - NACIONALE

A rikthejnë traumat e luftës paralajmërimet e Kurtit për luftë? Flasin ekspertët

1 vit më parë

nga Leonitë Demaku

23 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, i pari i shtetit, Albin Kurti po paralajmëron se një konflikt mund të ndodhë sërish. Kosovarëve, që ende i vuajnë pasojat e para dy dekadave, deklarata të tilla mund t’ua rikthejnë traumat e kujtimet jo të mira. Këtë për gazetën Nacionale e thanë edhe sociologia Teutë Rrusta e psikologu Liridon Aliu.

Dy herë brenda pak ditësh, kryeministri Albin Kurti ka folur për mundësinë e fillimit të një lufte të re në Kosovë.

Fillimisht e tha për gazetën italiane “La Repubblica”, e më pas edhe për “Reuters”. Sipas shefit të ekzekutivit, është e papërgjegjshme që të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve.

Për këto deklarata, kryeministri mori shumë reagime, kryesisht nga opozita. Të vetmit që e arsyetuan, ishin bashkëpartiakët e tij.

Rikthim i traumave

Sa ndikojnë deklaratat e kryeministrit te qytetarët që e kanë kaluar luftën? Gazeta Nacionale ka biseduar me ekspertë për këtë çështje, të cilët pohuan se mund të rikthehen traumat e kujtimet jo të mira.

Sociologia Teutë Rrusta i tha Nacionales se këto deklarata përveç që ndikojnë te ata që e kanë përjetuar luftën, i japin një ndjenjë pasigurie edhe gjeneratës së pas luftës.

“Kërcënimet me luftë trokasin memories dhe traumës. Edhe ata që kanë përjetuar luftën direkt, por edhe gjenerata e pas-luftës kanë një përftyrim dhe ndjenjë të qartë pasigurie që nuk po kalon. Pra me këto deklarata është rritë ndjenja e pasigurisë. Shteti i Kosovës në vazhdimsi po dështon t’i përgjigjet nevojës për mirëqenie që kanë qytetarët. Nën kërcënimin e luftës nuk mund të ketë as imagjinatë, e lëre më ambicje për të jetuar ose investuar jetën në Kosovë”, ka thënë ajo.

Rrusta mes tjerash shtoi se “kërcënime” të tilla, kanë më shumë efekt te qytetarët që veç se kanë përjetuar humbje, se sa për Serbinë.

“Figurat publike kanë ndikim në masë. Këto deklarata nëse nuk je në prag ose përgatitje konkrete për luftë, nuk kanë bazë të thuhen. Por është evidente që qytetarët i vuajnë pasojat në realitetin e tyre. Në përditshmëri. Kërcënimet me luftë më tepër kanë efekt tek qytetarët që kanë përjetuar humbje, sesa që përbëjnë kërcënim për Serbinë. Në anën tjetër rritja e pasigurisë si rregull forcon liderën autoritarë”, tha ajo për Nacionale.

Ndërkaq, psikologu Liridon Aliu thotë se personat që e kanë përjetuar luftën, mund të kenë vuajtur apo edhe vuajnë aktualisht nga PTSD, çrregullimi i stresit post-traumatik dhe se diksutime të tilla, mund të kenë ndikim negativ te këta persona.

“Lufta si fenomen lë pasoja të mëdha tek individët dhe shoqëritë. Në aspektin psikologjik, shumë persona kanë përjetuar trauma psiqike përgjatë luftës së fundit dhe si pasojë e këtyre traumave, ata me vite të tëra kanë vuajtur apo vuajnë nga PTSD (Çrregullimi i stresit post-traumatik). Fakti se diskutohet mundësia që si shoqëri mund të përballemi me një luftë të re apo konflikt të armatosur, mund të risjellë kujtime jo të mira dhe të ndikojë negativisht te këta persona, por nuk është ndjenjë e këndshme edhe për pjesën tjetër të qytetarëve të Kosovës sepse lufta kërcënon gjithçka të rëndëishme për njeriun”, ka thënë ai.

Sidoqoftë, Aliu për Nacionalen shtoi se deklarata e kryeministrit duhet të shihet nën dritën e realitetit. Madje sipas tij, rrethanat kanë treguar se qasja e Serbisë vahdon të jetë kërcënim për popullin shqiptar.

“Megjithatë, deklarata e kryeministrit duhet të shihet nën dritën e realitetit. Nëse kufizohesh me një shtet fqinj që nuk distancohet nga e kaluara kriminale, që lartëson kriminelët e luftës dhe që secilën ditë kërcënon se do të ndërhyjë ushtarakisht brenda territorit tënd, e po ashtu kujtesa nga e kaluara dhe rrethanat historike të thonë që qasja e tyre gjenocidiale ka qenë kërcënim dhe vazhdon të jetë kërcënim për popullin shqiptar, atëherë një paralajmërim që situata mund të përshkallëzohet në konflikt të armatosur apo luftë mund të duket real dhe pse kur mund të ndodhë apo nëse do të ndodhë diçka e tillë, nuk varet vetëm nga dëshira dhe qëllimi i Serbisë”, tha ai.

Sipas psikologut, në rast të një konflikti të mundshëm, qytetarët sa më të përgatitur e të informuar që janë, mund ta përballojnë më lehtë.

“Sa më të përgatitur në aspektin psikologjik dhe të informuar të jenë qytetarët për mundësinë që të ketë një rrethanë të tillë, aq më e lehtë do të jetë përballja me një situatë të tillë, nëse vetëm ndodhë. Duhet të ceket fakti që shumë shoqëri në vende të ndryshme mund të përballen me frikën dhe pasigurinë e një lufte që mund të ndodhë e që nuk e duan. Flasim për popujt baltik, ish-republikat Sovjetike, Polonia, apo vendet skandinave, që të gjitha të kërcënuara nga agresioni rus. Apo, populli i Tajvanit që jeton nën frikën e pushtimit kinez, apo rasti i Koresë Jugore që kërcënohet nga ajo Veriore. Pra, nuk duhet pare si shumë tragjike që flitet për luftën nëse rrethanat dhe faktet tregojnë që një shoqëri ka një rrezik potencial tani apo në të ardhmen”, tha Aliu për Nacionalen.

Çka tha konkretisht Kurti?

Në një intervistë dhënë Reuters, kryeministri përmendi se mund të ketë një konflikt të ri, derisa shtoi se “ne jemi vigjilentë, por jo të frikësuar”.

“Unë nuk po them se do të na sulmojnë këtë javë ose në vijim, por do të ishte krejtësisht e papërgjegjshme të përjashtohej mundësia e rritjes së tensioneve dhe konflikteve të reja”, tha mes tjerash kryeministri.

Luftën, kryeministri e përmendi edhe para pak ditësh në një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, të cilën e përktheu gazeta Nacionale.

“Nuk dua të them shumë i lartë, sepse këtu kemi kontigjentin e NATO-s, por sigurisht mbetet i lartë. Mbi të gjitha, jemi një demokraci që kufizohet me një autokraci. Para pushtimit të Ukrainës mundësitë ishin të vogla, por tani situata ka ndryshuar. Episodi i parë që u shënua në Ukrainë ishte rezultat i idesë së pansllavizmit që ka Kremlini. Nëse do ta kishim një episod të dytë, për shembull në Transnistria, atëherë mundësitë që një luftë e tretë të ndodhte në Ballkanin Perëndimor, e në veçanti në Kosovë, do të jenë të mëdha”, tha Kurti për "La Repubblica" të Italisë.

Për këto deklarata, kryeministrit Kurti i kanë reaguar ashpër partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri me paralajmërime të tilla, nënkupton se e dëshiron krizën dhe ëndërron protagonizëm te paniku.

Ndërkaq, nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kërkuar të mos ndjellet frikë e panikë të qytetarët, derisa shtoi se Serbia e di shumë mirë se çfarë sjellë konflikti me NATO-në.

Lajme të ngjashme