Intervistë | Tahiri: Ku shkoi patriotizmi i Kurtit? Më i hapur me Vuçiqin se me popullin e Kosovës - NACIONALE

Intervistë | Tahiri: Ku shkoi patriotizmi i Kurtit? Më i hapur me Vuçiqin se me popullin e Kosovës

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Ish-kryenegociatorja e Kosovës për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, e ka konsideruar të rrezikshme qasjen e Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit.

Ajo ka thënë se është shqetësues fakti që liderët institucionalë të Kosovës fillimisht e kanë mohuar ekzistimin e planit franko-gjerman për marrëveshjen finale Kosovë - Serbi dhe më pas e kanë pranuar.

Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, Tahiri ka thënë se Qeveria është mbyllur tërësisht në këtë proces.

Sipas saj, mungesa e transparencës tregon se Qeveria ka mundur të bëjë bisedime të fshehta me Serbinë.

Tahiri ka vlerësuar se kjo është e tmerrshme për kryeministrin Kurti, i cili, sa ka qenë në opozitë, është treguar nacionalist i madh.

Ish-ministrja për Dialog ka thënë se tani kryeministri po tregohet më i hapur me Serbinë dhe me presidentin e saj se me popullin e Kosovës.

Ndër të tjera, ajo e ka paralajmëruar kryeministrin se në rast të ndonjë kompromisi në këtë proces, do të ballafaqohet me revoltën e popullit.

Nacionale: Znj. Tahiri, dialogu Kosovë - Serbi është futur në një dinamikë të re. Si po sillet Kosova në këtë fazë?
Tahiri: Zhvillimet e fundit, sidomos kjo kur Qeveria fillimisht e mohon ekzistimin e një dokumenti apo planin franko-gjerman, dhe pastaj e pranon se ekziston, është një zhvillim shumë shqetësues. Kjo tregon se Qeveria jo vetëm që nuk është transparente, por në një mënyrë nuk e informon opinionin dhe qytetarët, që e ka obligim, sepse qeveria duhet të jetë e hapur me qytetarët dhe, natyrisht, Qeveria duhet të dijë se për gjerat serioze, që lidhen me interesat shtetërore, duhet ta informojë Kuvendin e Kosovës si organi më i lartë shtetëror.

Nacionale: Çka duhet të bëjë Qeveria me këtë plan?
Tahiri: Ky dokument franko-gjerman, i propozuar për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, duhet t`u shkojë në dorë të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që ata të informohen zyrtarisht nga qeveria dhe kryeministrit Kurti dhe më pas ta fillojë debatin në Parlament, sepse një proces i tillë është shumë i nevojshëm. Aty duhet të debatohet dhe të konstatohen edhe një herë vijat e kuqe me ndonjë rezolutë, e cila do ta kufizonte Qeverinë me veprimet e saj të fshehta apo ndonjë veprim që mendon të bëjë pas shpinës popullit.
Qeveria mund t`i mbajë gjërat fshehur, por le ta dijë Qeveria se nuk mund t`i shkelë vijat e kuqe në dialogun e Brukselit dhe në çfarëdo marrëveshje me Serbinë, sepse këtë nuk e lejojmë ne, të gjithë. E para, ne që jemi themelues të këtij shteti, sepse Kurti është vonuar në proceset për çlirim dhe bërje të shtetit. Ai më tepër e ka djegur këtë shtet se që ka kontribuuar.

Tani, porosia ime është se nuk lejon populli që Qeveria dhe kryeministri Kurti t`i shkelin vijat kuqe. Gjithashtu, apeloj që mos t`i mbajë gjërat të fshehta, por, së bashku me Parlamentin, Qeveria duhet të ulet dhe t`i diskutojë këto tema të interesit kombëtar.

Nacionale: Meqenëse Qeveria fillimisht e ka mbajtur fshehtë ekzistimin e këtij plani, a do të thotë se Qeveria ka negociuar fshehtë me Serbinë?
Tahiri: Mungesa e transparencës dhe fakti që gjërat zhvillohen pas shpinës, kjo lë për të dyshuar se shumë gjëra të rrezikshme ka mundur të ndodhin dhe Qeveria nuk është e gatshme t`i tregojë popullit. Kjo është e rrezikshme, kjo është shkelje e Kushtetutës, sepse në një sistem demokratik, siç është Kosova, informimi për gjërat në interes shtetëror është e drejtë kushtuese e qytetarëve. Mos të themi që Parlamenti është organi i një shteti dhe Qeveria duhet të japë llogari, në këtë rast, me procesin e dialogut.

Gjithashtu, po flitet se tashmë kanë hyrë në biseda jo vetëm për marrëveshje finale, por po flitet se Qeveria po bisedon edhe për asociacionin. Kjo qeveri nuk guxon me u marrë me asociacionin, sepse pikërisht duke e kundërshtuar asociacionin ka ardhur në pushtet. Pra, votat i ka fituar duke e kundërshtuar asociacionin. Tani nuk guxon të diskutojë për këtë temë. Kjo temë është vijë e kuqe kryesore në dialog.

Nacionale: Pse mendoni se Qeveria i ka mbajtur sekrete këto gjëra? A është frikësuar nga reagimet e qytetarëve?
Tahiri: Qeveria nuk duhet të bëjë veprime që do ta nxisin reagimin qytetar. Qeveria duhet të jetë e vetëdijshme që në rast se i shkel vijat e kuqe dhe e provon themelimin e asociacionit, do të ballafaqohet me rezistencën e të gjithë popullit dhe gjithë neve politikanëve, që e kemi themeluar këtë shtet dhe e mbrojmë në mënyrë konsekuente. Fundja, Kosova ka dalë nga lufta e përgjakshme, prej një sakrifice sublime të shqiptarëve, prandaj Kurti duhet të mendojë mirë që ta ndryshojë qasjen, të mos e mashtrojë popullin dhe të mos i mbajë gjërat jashtë syve të qytetarëve, sepse çdo punë që punohet prapa kurrizit të popullit, është e pandershme, e rrezikshme dhe do të ndëshkohet.

Nacionale: Në bazë të asaj që është publikuar në medie, cila duhet të jetë qasja e Kosovës ndaj këtij dokumenti?
Tahiri: Nuk e kam parë atë plan, sepse ai ka qarkulluar vetëm në medie. Besoj se Qeveria duhet ta publikojë planin, sepse vetë pranoi që ekziston. Pasi të publikohet plani, atëherë unë jam e hapur që të bëj analiza dhe ta jap mendimin tim për atë dokument.

Nacionale: Në vija të trasha, plani parasheh që Kosova të njihet nga pesë vendet e BE-së dhe t’i hapet rruga drejt anëtarësimin në organizata të ndryshme ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, por nuk parashihet njohja reciproke. A duhet të pranojë Kosova ndonjë zgjidhje, nëse nuk parashihet njohja reciproke?
Tahiri: Mendoj se mbi dokumentet që janë vetëm mediale dhe nuk janë zyrtare nuk është mirë të diskutohet, por dihet që nga dialogu i Brukselit, pra marrëveshja finale duhet ta sjellë njohjen reciproke, sepse tashmë ka ardhur koha për njohje reciproke. Ka mbaruar koha e kompromiseve, ka ardhura koha vetëm për njohje reciproke.

Nacionale: Kjo qasje e ekzekutivit a nënkupton se kjo qeveri do të bëjë kompromise të reja?
Tahiri: Nuk mund të paragjykoj se çfarë po ndodh, sepse asnjëherë nuk kam paragjykuar, por porosia ime është kjo: Qeveria nuk guxon me i shkelë vijat e kuqe në dialogun e Brukselit. Në rast se bën gabime të tilla historike, do të ballafaqohet me kundërshtimin e popullit.

Nacionale: Në lidhje me marrëveshjen për lëvizjen e lirë, kryeministri Kurti ka bërë një marrëveshje gojore me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, e cila ka të bëjë me heqjen e dokumenteve për hyrje-dalje në kufij. Si e keni parë këtë marrëveshje?
Tahiri: Fakti që marrëveshja ka qenë gojore dhe askush nuk di se çfarë përmban saktësisht, sepse nuk ka një dokument të shkruar, për mua është vështirë që ta paragjykoj marrëveshjen. Prandaj shqetësimi im kryesor është se qasja e qeverisë sonë është e rrezikshme, sepse po tregon një qasje joserioze dhe krijon një situatë ku Qeveria e ka mbyllur komunikimin me popullin shqiptar, ndërsa vazhdimisht flet me Vuçiqin e Serbisë. Kjo është gjendje e rëndë, sidomos për Kurtin, i cili është shitur si nacionalist i madh e patriot, ndërsa sot i ka ardhur puna që flet me Vuçiqin dhe nuk flet me popullin shqiptar të Kosovës. Kjo është e tmerrshme.

Nacionale: Në fund të këtij muaji skadon afati i targave për qytetarët serbë. Deri me tani, shumë pak qytetarë e kanë bërë ndërrimin e tabelave. A prisni që të ndodhë kjo?
Tahiri: Çështja e tabelave kërkon një seriozitet të BE-së dhe të z. Lajçak si ndërmjetësues, sepse ata e kanë këtë detyrë. Pra, kur shohin se s`ka zbatim, ata duhet të veprojnë. Në kohën kur ne kemi qenë në dialog në situata të tilla, ne me shkrim i jemi drejtuar BE-së dhe kemi kërkuar që pala tjetër t`i zbatojë marrëveshjet e arritura. Në këtë rast, nuk kam parë ndonjë letër të shkruar nga Qeveria drejt Brukselit që ta kërkojë me shkrim zbatimin e marrëveshjeve. Pra fakti që Qeveria nuk ka bërë marrëveshje me letër, por gojarisht, kjo është e dëmshme për Kosovën.

Lajme të ngjashme