Intervistë | Lladrovci: Bedri Hamza i duhet Kosovës, është dëshmuar se fjalët i bën vepra - NACIONALE

Intervistë | Lladrovci: Bedri Hamza i duhet Kosovës, është dëshmuar se fjalët i bën vepra

1 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Modest, profesionist, i vendosur, bashkëpunues dhe guximtar. Kështu e ka përshkruar Ramiz Lladrovci kandidatin e PDK-së për kryeministër.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i ka dhënë mbështetje të plotë Bedri Hamzës, kandidatit të PDK-së për kryeministër.

Ai e ka lavdëruar kolegun e tij për profesionalizëm dhe integritet të lartë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Lladrovci ka thënë se Hamza i ka të gjitha vetitë që i duhen një udhëheqësi që aktualisht i nevojitet Kosovës.

Ai ka bërë me dije se Hamza dallon shumë nga kandidatët që pritet t`i ketë në garë për kryeministër.

Sipas tij, deri me tani janë parë të bëmat e Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut e Ramush Haradinajt.

I pari i Drenasit ka vlerësuar se gjatë këtyre viteve Hamza ka dëshmuar se fjalët i bën vepra.

Nacionale: Z. Lladrovci, PDK-ja ka propozuar z. Bedri Hamza kandidat për kryeministër të ardhëm. Si e keni parë këtë veprim të kryetarit Krasniqi?
Lladrovci: E vlerësoj si veprim strategjik, të mirë dhe të dobishëm, Memli ka dëshmuar se është lider përtej egos. Ekzekutivi duhet të jetë lidhur me situatën, andaj, sot më shumë se kurrë na duhet ekonomia, perspektiva dhe bashkëpunimi me miqtë. Sa i takon politikës aktuale të shtetit, çështjet e lirisë, çlirimit e pavarësinë e Kosovës, i kanë rregulluar të tjerët, andaj, sot fokusi duhet të jetë puna, pa fjalorin e viteve '90 dhe trajtimi i vonuar i temave të rregulluara.

Nacionale: Si mendoni se do të pritët të strukturat e PDK-së dhe sa do të arrijë ta mobilizojë elektoratin e PDK-së, z. Hamza?
Lladrovci: Sa i takon bazës tonë elektorale dhe qytetarët pa dallim partie, për Bedri Hamzën jemi ne në terren për ta dhënë mesazhin se në liri, puna jonë nuk është lufta as shprehja e trimërive të vonuara, por, ndërtimi i shtetit bashkë me aleatët.

Nacionale: Pse duhet ta votojnë qytetarët e Kosovës z. Hamza?
Lladrovci: Bedri Hamza ka të gjitha vetitë që i duhen një udhëheqësi që aktualisht i nevojiten Kosovës, modest, profesionist, i fjalës e i vendosur, bashkëpunues e guximtar, me virtyte të dëshmuara në të gjitha përgjegjësitë e deritashme.

Nacionale: Në zgjedhjet e ardhshme pritet që z, Hamza do të jetë përball Albin Kurtit, Lumir Abdixhikut dhe Ramush Haradinaj. Çka mendoni se e dallon z. Hamza nga këto personalitete?
Lladrovci: Të gjithë ata janë provuar me pushtet, rrethana e sfida. Zgjidhjet e tyre i pamë, Bedriu është dëshmuar se fjalët i bën vepra, dhe nuk është demagog si disa, me fjalë si të Demushit e punët si askushi. Shteti është përtej debateve e konferencave me poza e fjalime mujshare. Bedriu është ndryshe, është siç i duhet Kosovës aktualisht.

Nacionale: Cilat janë pritjet tuja për zgjedhjet e ardhme. Sa do të fitojë PDK-ja?
Lladrovci: Nuk mund të them se jemi yje të paarritshme, por as pa ndriçim nuk jemi, fuqia jonë u pa në zgjedhjet lokale, elektorati ynë, kur bëjmë zgjedhje të duhura na jep besimin, pres që lista zgjedhore ta konfirmoj këtë.

Nacionale: Vlerësimet e shumë njohësve politik janë që PDK-ja dhe LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme do të garojnë për vend të dytë. Cili është vlerësimi i juaj ndaj këtyre pretendimeve?
Lladrovci: Punët tregojnë se kush është kush, nëse qytetarëve ju mjafton ura e Staradranit për një mandat, janë për keqardhje, dhe duhet të lutemi me "jep zot ku s'ka", Kosova meriton më shumë, meriton më mirë, më shpejt.

Nacionale: Z. Lladrovci, në fjalimin tuaj në Këshillin Drejtues, të cilin e keni bërë publik, keni thënë se demaskimi i mashtrimit nuk mund të bëhet me keqbërës. A mund të na sqaronit se për çfarë e kishit fjalën?
Lladrovci: Në komunën e Drenasit, çdo zyrtar me akuzë, është liruar nga detyra deri në përfundim të çështjes ligjore, kështu duhet të jetë gjithandej. Personat me shkelje ligjore, me vepra të këqija, apo keqbërësit, me fushata nuk mund ta largojnë dike nga pushteti, sepse ju mungon shembulli i tyre i mirë. Kam menduar edhe për ata që kanë dështuar vazhdimisht, të hapin krah, si dhe për moralizimet e atyre që nuk kanë moral.

Lajme të ngjashme