Intervistë | Mjekiqi: Kemi Qeveri të mbyllur dhe të paaftë për zgjidhjen e problemeve aktuale - NACIONALE

Intervistë | Mjekiqi: Kemi Qeveri të mbyllur dhe të paaftë për zgjidhjen e problemeve aktuale

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Mjekiqi, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për paaftësi dhe mostransparencë në të gjitha fushat e qeverisjes.

Gjatë një viti e gjysmë, ka thënë ajo, qeveria Kurti është treguar e mbyllur dhe e pa përgjegjshme në zgjidhjen e problemeve me të cilat janë përballur qytetarët.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Mjekiqi ka bërë me dije se veprimet e Qeverisë për tu përballur me inflacionin kanë qenë masa ad-hoc.

Sipas saj, shumica e këtyre masave kanë qenë të vonshme dhe të pamenduara në terma afatgjatë.

Zyrtarja e lartë e LDK-së ka folur edhe për qasjen e qeverisë në politiken e jashtme dhe dialogun Kosovë-Serbi.

Ajo ka vlerësuar se gjatë kësaj kohe në politikën e jashtme Kosova nuk ka shënuar asnjë rezultat.

Sa i përket dialogut me Serbinë, Mjekiqi ka thënë se askush nuk e di nëse qeveria po e bënë gjënë e duhur në këtë proces.

Ajo ka thënë se kryeministri Kurti duhet të raportoje në Kuvend para dhe pas çdo takimi në Bruksel me palën serbe.

Nacionale: Znj. Mjekiqi, qeveria Kurti ka mbushur një vit e gjysmë në pushet. Cili është vlerësimi i juaj për këtë qeverisje?

Mjekiqi: Qeveri e mbyllur (jo-transparente), pa aftësi për zgjidhjen e shumë problemeve aktuale, pa investime kapitale, pa vende të reja të punës, etj.

Nacionale: Sidomos gjatë këtij viti kemi pasë një rritje të madhe të normës së inflacionit. A i është përgjigjur si duhet qeveria krizës së rritje së çmimeve?

Mjekiqi: Qeveria ka ndërmarrë disa masa ad-hoc, mirëpo nuk ka menduar në terma afatgjate. Po ashtu, shumica e atyre masave kanë qenëtë vonshme dhe nuk është e qartë çfarë efekti do të kenë. Si LDK kemi propozuar ulen e TVSH-së për faturat e energjisë si masë aktuale për të përballuar çmimet e larta të energjisë që do të vështirsojnë jetën e qytetarëve sidomos në muajt e dimrit kur kërkesa/konsumi do t’jetë më i lartë. Në planin afatgjatë, Qeveria është dashur tëbëjë një plan për investime në energjinë e ripërtërtërishme.

Nacionale: Rritja e çmimeve ka nxitur reagimin edhe të sindikatave, të cilat kanë vendosur të hyjnë në grevë tash e një muaj. Si e keni parë sjelljen e qeverisë ndaj grevistëve?

Mjekiqi: Është për keqardhje që nxënësit privohen nga e drejta në arsimim për shkak të grevave tash e një muaj. Qeveria duhet të dialogojë me sindikalistët/mësimdhënësit dhe të gjejë një zgjidhje që do t’i kthente nxënësit në shkolla!

Nacionale: Qeveria, e cila është e një partie të majtë, për grevat ka fajësuar opozitën. Çka flet kjo për këtë qeveri?

Mjekiqi: Kush i nxiti grevat sa LVV ishte në opozitë? Pse LVV atëherë i mbështeste e tash i kundërshton? Nëse sindikalistët atëherë kanë patur të drejtën legjitime për të protestuar kanë të drejtë edhe tani.

Nacionale: Në aspektin e politikës së jashtme kemi parë një politikë pasive, ku nuk kemi ndonjë njohje, apo ndonjë anëtarësim të rëndësishëm. A ka qenë në nivelin e duhur politika e jashtme gjatë kësaj kohe?

Mjekiqi: Po përmendet shpeshherë preteksti se LDK ka nënshkruar moratoriumin 1 vjeçar dhe Qeveria aktuale s’ka pasur mundësi të sjellë njohje/anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Moratoriumi ka 1 vit që nuk është më në fuqi. Po ashtu, ka sjellë njohjen nga Izraeli. Që nga ajo kohë përpos aplikimit në KE nuk kemi parë asnjë njohje dhe asnjë antarësim në organizata ndërkombëtare.

Nacionale: Në procesin e dialogut me Serbinë, Qeveria nuk po tregohet transparente. Kryeministri ende nuk ka raportuar në Kuvend për takimin me Vuçiqin dhe emisarët perëndimor. A po e bën gjënë e duhur qeveria në këtë proces?

Mjekiqi: Pikërisht për faktin se nuk është transparentë nuk mund ta dijmë nësë Qeveria ‘po bën gjënë e duhur’. Kemi kërkuar raportim në Kuvend para dhe pas takimeve në Bruksel, por gjithashtu është i nevojshëm një dialog i vazhdueshëm me opozitën.

Lajme të ngjashme