Intervistë | Memli Krasniqi tregon pse mendon se po bie besimi në Qeverinë Kurti - NACIONALE

Intervistë | Memli Krasniqi tregon pse mendon se po bie besimi në Qeverinë Kurti

4 muaj më parë

nga Muhamet Koci

Është shprehur i bindur se për një vit ka konsoliduar mjaftueshëm partinë për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme nacionale. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se sondazhet po tregojnë se ndaj PDK-së po rritet besimi qytetar, ndërsa ndaj qeverisë Kurti po bie. Tutje, Krasniqi ka deklaruar se zgjedhjet e ardhshme, kurdo që mbahen, do t’i fitojë kjo parti. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka thënë se Kurti nuk do të mund ta përfundojë këtë mandat.

Kryetari i ri i PDK-së, Memli Krasniqi, para disa ditësh ka mbushur një vit prej që është në krye të kësaj partie.

Ai ka shprehur bindjen e tij se gjatë kësaj kohe ka bërë mjaftueshëm që partia t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme nacionale.

Krasniqi ka deklaruar se mospuna e Qeverisë ka bërë që të rritet besimi i qytetarëve ndaj PDK-së dhe të bie ndaj qeverisë Kurti.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Krasniqi ka thënë se sondazhet tregojnë se rritja e besimit të qytetarëve ndaj partisë së tij është e vazhdueshme.

Në këtë intervistë, Krasniqi ka folur për reformat e brendshme partiake, Qeverinë, opozitarizmin dhe dialogun me Serbinë.

Nacionale:

Z. Krasniqi tashmë janë bërë një vit që keni marrë timonin e partisë. Çfarë veprimesh keni ndërmarrë për ta reformuar partinë?


Krasniqi:

Drejtimin e PDK-së e kam marrë në një moment jo të favorshëm për partinë tonë, pas sfidimit që ne patëm me paraburgimin e kryetarit Veseli, dhe rezultatin jo të favorshëm të zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2021. Por, me besimin e delegatëve të Konventës së Dhjetë, fillova një drejtim duke u munduar t’i konsolidojmë radhët dhe duke bashkëpunuar me secilin aktivist në gjithë Kosovën.

Puna e parë ishte që të finalizojmë kandidaturat për zgjedhje lokale dhe ta udhëheq fushatën zgjedhore në të gjitha komuna ku kemi garuar. Në zgjedhje patëm rezultat të mirë zgjedhor.
E nisëm me fitoren në zgjedhjet lokale, duke fituar në 8 komuna e duke dalë partia e parë ne 10 komuna. Rikthyem besimin qytetar në Prizren, Mitrovicë, Skënderaj, Vushtrri e Han të Elezit, dhe e rikonfirmuam atë në Ferizaj, Drenas e Kaçanik.

Ishte një dallim i madh prej zgjedhjeve të vitit 2021, ku ishim të parët vetëm në dy komuna.

Ne filluam ta rikthejmë besimin e aktivistëve dhe të qytetarëve në përgjithësi dhe të ndërtojmë një model opozitar në nivelin qendror, i cili dallon dukshëm nga modeli me të cilin ishim mësuar me vite, e që ishte modeli nihilist i LV-së.

Gjatë këtij viti kemi pasur një fokus të madh në Kuvend, ku grupi jonë parlamentar ka qenë shumë më dinamik. Aty kemi ngritur çështje të rëndësishme, kemi propozuar rezoluta, iniciativa ligjore, komisione hetimore. Pra, kemi bërë betejën tonë parlamentare në funksion të mbështetjes së çështjeve që janë në interesin qytetar. Kjo ka rezultuar pozitivisht, jo vetëm për PDK-në, por për gjithë diskursin politik.

Nacionale:

Në aspektin e brendshëm të organizimit, çka keni bërë?


Krasniqi:

Një nga angazhimet e mia ka qenë finalizimi i vizionit tonë për Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ku tashmë kam filluar të prezantoj edhe bartësit kryesor që janë koordinatorë të departamenteve, të cilët deri në shtator do t’i finalizojmë. Për të filluar pastaj punën e kabinetit.

Ajo që vlen të theksohet është se ne hapëm partinë për të gjithë të interesuarit që të kontribuojnë për angazhimin politik, para së gjithash për shumë gra, të rinj dhe qindra profesionistë.

Gjithashtu, gjatë kësaj kohe kam punuar shumë në pjesën e riorganizimit të partisë në degët që kishin rezultate te dobëta. Sepse ndonëse arritëm që të kthejmë një pjesë të madhe të votave që i kishim humbur në zgjedhjet nacionale të vitit 2021, kishim një numër të degëve që kishin rezultate të dobëta.

Nacionale:

Kur keni marrë pozitën e kryetarit të PDK-së patët paralajmëruar një transformim të partisë. Sa ia keni arritë qëllimit për konsolidimin e partisë?


Krasniqi:

Tani radhët e PDK-së janë të konsoliduara mirë në çdo nivel të organizimit. Prej nëndegëve, degëve, e deri te qendra. E kam si rregull që një ose dy herë të jem në terren dhe të vizitoj strukturat tona, jo vetëm në komunat ku qeverisim, por edhe në komunat ku jemi në bashkëqeverisje dhe aty ku jemi në opozitë. Ajo që shoh është se anëtarët e PDK-së kanë një besim të konsoliduar në rrugëtimin tonë opozitar drejt rikthimit në qeverisje. Mbi të gjitha kanë një vendosmëri për të çuar përpara qasjen tonë aktuale.

Transformimi i PDK-së ka qenë një domosdoshmëri dhe është një proces. Mirëpo, ky transformim në asnjë rast nuk duhet të kuptohet si tjetërsim, sepse ne e shohim këtë vazhdimësi të trashëgimisë sonë dhe të adoptimit që është i nevojshëm për situatën në të cilën jemi.

Nacionale:

Në çka e bazoni besimin e rikthimit të elektoratit në parti?


Krasniqi:

Ajo që është evidente, është fakti se ka një dëshpërim në rritje të qytetarëve të Kosovës me qeverinë Kurti. Dhe e vërteta është se qeveria Kurti dhe vetë Albin Kurti, si kandidat për kryeministër, ka ngritur pritjen dhe ka dhënë premtimet, të cilat kanë qenë të parealizueshme. Tani po shihet se ato janë të tilla. Përtej kësaj, gjatë kësaj periudhe, kjo qeveria ka treguar se është krejtësisht jokompetente dhe e papërgatitur për të qeverisur në gjendje normale, e lëre më në raport me sfidat dhe krizat të cilat janë prodhuar prej vitit të kaluar. Pra, kjo ka ndikuar që njerëzit të humbin besimin dhe shpresën te kjo qeveri. Një numër i qytetarëve që ua kanë dhënë shansin, pa dyshim që janë rikthyer. Fakti që ne kemi rritur numrin e votave, kemi fituar numër më të madh të komunave në zgjedhjet e vjeshtës së kaluar, është dëshmi në këtë drejtim.

Përtej kësaj, besoj se të gjithë po i përcjellim sondazhet e ndryshme, të cilat po publikohen dhe që dëshmojnë një gjë të tillë, që ka një besim në rënie për qeverinë Kurti dhe është një besim në rritje për Partin Demokratike të Kosovës.

Nacionale:

A mund të flisni me shifra për rritjen e besimit ndaj PDK-së?


Krasniqi:

Disa sondazhe tashmë janë publikuar. Por, mua me gëzon fakti që trendi i rritjes së PDK-së është i vazhdueshëm dhe nuk është stagnues. Kjo për neve është një përgjegjësi shtesë për të vazhduar punën dhe për të qenë afër qytetarëve për t’i biseduar dhe diskutuar të gjitha çështjet që janë preokupim i tyre, në mënyrë që pastaj ne të jemi zëri i tyre në Kuvendin e Kosovës.

Mendoj se kjo është rruga e duhur. Shkëputja që në momente të caktuara ne e kemi pasur nga qytetari në terren, ka qenë një nga defektet tona në të kaluarën. Kjo është arsyeja që prej marrjes se mandatit, pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar në komunikim të drejtpërdrejtë me qytetarët e Kosovës.

Nacionale:

Në adresimin tuaj për njëvjetorin e marrjes së udhëheqjes së partisë keni thënë se misioni juaj është fuqizimi dhe rikthimi i PDK-së në qeverisje. Kjo rritje që po e pretendoni, a është e mjaftueshme për t'u kthyer në qeverisjes?


Krasniqi:

Unë jam 100 për qind i bindur se PDK-ja do të rikthehet në qeverisje, do të rimarrë besimin e qytetarëve. Ky është një proces, i cili duhet të zhvillohet në mënyrë të natyrshme. Përtej angazhimeve tona të rregullta, si kryesi e PDK-së, në organizimin tonë strukturor, në komunikimin direkt me qytetarët, me aktivitetin e grupit parlamentar dhe me prezantimin e alternativës qeverisëse të PDK-së, e cila do të prezantohet nga Kabineti për Qeverisje të Mirë, do t'ia arrijmë këtij qëllimi. Gjithashtu, puna e mirë që po bëjnë komunat e udhëhequra nga PDK-ja do të jenë shtyllat qendrore që do të rikthejnë besimin e qytetarëve. Kështu që, kurdo që mbahen zgjedhjet e ardhshme, ne do të jemi në pozicion për t’i fituar ato zgjedhje.

Nacionale:

Pra, jeni të bindur se ky rikthim mund të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme?


Krasniqi:

Absolutisht. Angazhimi ynë është që zgjedhjet e ardhshme të fitohen nga Partia Demokratike e Kosovës.

Nacionale:

Mendoni se z. Kurti do të mund të qeverisë deri në fund të mandatit?


Krasniqi:

Tradita politike në Kosovë ka dëshmuar, sidomos pas shpalljes pavarësisë, se asnjë qeveri nuk e ka përfunduar mandatin e vet. Po ashtu, kjo traditë tregon se janë kryeministrat ata që vendosin se kur mund të përfundojnë mandatin. Në këtë mënyrë, vetëm kryeministri Kurti i ka votat për ta votuar një mocion mosbesimi, apo për të dhënë dorëheqje në një moment të caktuar. Unë nuk besoj që z. Kurti do ta çojë mandatin deri në fund.

Nacionale:

Deri më tani është kritikuar shumë opozitarizimi i PDK-së dhe partive tjera opozitare. Kritikët thonë se ende nuk jeni alternativë për qytetarët. Si i keni parë këto kritika?


Krasniqi:

I kam kuptuar nga këndvështrimi i traditës ekzistuese opozitare. Në dhjetë vitet e fundit modeli i vetëm opozitar në mbamendjen e qytetarëve ka qenë modeli i LV-së. Mirëpo, ky ka qenë një model i gabuar, sepse ka qenë model nihilist dhe i dhunshëm, i cili ka refuzuar çdo formë të bashkëpunimit edhe për të mirën e vendit. Unë dhe PDK-ja jemi kundër një modeli të tillë. Kjo është arsyeja që opozitarizmi ynë është mbi të gjitha që bazohet në kompetencë, në dije dhe në ofrimin e alternativave konkrete. Metodat opozitare janë të ndryshme. Ju nuk do ta shihni PDK-në duke gjuajtur ndërtesat e qeverisë me molotov, e as duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Nacionale:

Megjithatë, edhe ju keni marrë diçka nga opozita e VV-së. Disa herë e keni bllokuar Kuvendin?


Krasniqi:

Ju mund ta shihni PDK-në në momente të caktuara më të zëshme, duke përdorur metoda alternative, siç na e kanë imponuar. Por, kjo ndodh vetëm kur e shohim se kur po rrezikohet një e drejtë e garantuar ligjore apo kushtetuese, siç ishte rasti tek refuzimi i shumicës parlamentare për ta votuar Komisionin Hetimor Parlamentar për Energjinë. Sepse nëse do ta lejonim një gjë të tillë, ne do të pajtoheshim me një qasje totalitare të qeverisë, që e shkel të drejtën e opozitës për të kërkuar llogari nga qeveria.

Mbi të gjitha, ju do ta shihni një PDK të angazhuar në terren, të angazhuar në Kuvend me iniciativa konkrete dhe po ashtu duke e bërë kritikën e qëndrueshme ndaj qeverisë dhe duke ofruar alternativat për çdo çështje që është e rëndësishme për qytetarët.

Nacionale:

Kritika ndaj PDK-së dhe pjesës tjetër të opozitës është se deri më tani nuk keni arritur të ndërtoni një kauzë dhe nuk po ofroni alternativë në raport me Qeverinë?


Krasniqi:

Kauzat e PDK-së janë kauzat e qytetarit të Kosovës. Kur unë kam folur në shtatorin e vitit të kaluar për problemet që na prisnin në fushën e energjisë, askush, e qeveria më se paku, nuk e ka marrë këtë si çështje të rëndësishme. Më vonë, pastaj, e pamë se ajo u bë një krizë e madhe, e cila në fund të vitit të kaluar na zuri me papërgjeshmërinë e qeverisë, duke sjellë atë që kisha paralajmëruar se ata do t’i ngrisin tarifat. Kjo ndodhi në mënyrën më të pashembullt që mund të gjeni në Evropë. Tarifat e shtrenjta në konsumin mbi 800 KWh është rritur 300 për qind, nga 7 në 21 centë. Ky penalizim ndaj qytetarëve ishte një lloj haraçi.

Sepse këta i dhanë falas 120 milionë euro për subvencionim të energjisë për KEDS-n, në anën tjetër, i shtrenjtuan tarifat. Kjo mund të mos ju duket njerëzve kauzë, por ka qenë një çështje që ne e kemi paralajmëruar se do ta vështirësojë mirëqenien e çdo qytetari.

Njëjtë kemi folur për çështjen e ngritjes së çmimeve. Ne nuk kemi bërë vetëm kritikë, ne kemi dhënë edhe alternativa. Në tetor të vitit të kaluar i kemi propozuar qeverisë të gjitha masat që duhet t’i ndërmarrë në mënyrë që kriza me qenë më e lehtë. Mirëpo, kryeministri me injorancën dhe padijen e tij thoshte se rryma nuk mund të blihet e të ruhet në frigorifer. Kur kemi propozuar për ta bërë përshkallëzimin, tatimin mbi vlerën e shtuar, veçanërisht te produktet esenciale, e kemi sjellë si projektligj në kuvend, por shumica parlamentare me urdhër të kryeministri ka votuar kundër.

Nëse do të miratohej ai ligj, sot çmimet e konsumit bazik do të ishin më të lira. Pastaj, propozimi jonë që prej fillimit të marsit të përshkallëzohet akciza në derivate të naftës, sot do të mundësonte që çmimet e naftës dhe produkteve tjera të jenë shumë më të ulëta. Po ashtu, ne propozuam lejimin e nxjerrjes së një pjese te kursimeve nga trusti pensional, sepse kishim parë mungesë totale të iniciativave qeveritare për të lehtësuar gjendjen e rëndë të familjeve kosovare. Edhe ndaj këtij propozimi votuan kundër, pa pasur asnjë argument të qëndrueshëm ekonomik.
Rreziku është se fundi i këtij viti do të na gjejë në një situatë shumë më të vështirë sesa që kemi qenë deri më tani.

Nacionale:

Ndonëse qeveria nuk ua ka mbështetur këto propozime, ju i keni dhënë mbështetje qeverisë në disa çështje. Keni dhënë votën për disa marrëveshje ndërkombëtare, dhe tash së fundi keni paralajmëruar se do ta mbështetni edhe procesin e vetingut?


Krasniqi:

Ne kemi miratuar shumicën e marrëveshje ndërkombëtare, sepse ato janë në interes të vendit tonë. Ndërsa, vetingu është çështje për të cilën para të gjithëve e ka elaburuar PDK-ja. Vetingu ka qenë një nga shtyllat kryesore te fushatës zgjedhore të PDK-së në vitin 2017 dhe 2019. Normalisht se ne jemi konsistentë në qëndrimet tona. Ne kemi besuar që duhet me ndodhë vetingu dhe unë besoj se ai proces duhet të ndodhë. Vetingu duhet të ndodhë, duke pasur si shtyllë të krejt procesit Kuvendin e Kosovës, dhe duke marrë për bazë rekomandimet e komisionit të Venecias. Po ashtu, ky proces duhet të ndodhë në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë me vite të tëra të involvuar në sektorin e drejtësisë. Pra, SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe Komisionin Evropian. Kjo ka qenë arsyeja që unë i kam thënë kryeministrit se mund të takohemi në Kuvend e jo në Qeveri, ku ka kërkuar ai për t'ia thënë qëndrimin tonë.

Pra, ne e përkrahim vetingun përmes themelimit të një Komisioni të Veçantë në Kuvendin e Kosovës, i cili pastaj ka përgjegjësitë për ta çuar këtë proces përpara, ngjashëm siç është rasti i Komisioni për Reformën Zgjedhore.

Nacionale:

Pra, do ta përkrahni këtë proces edhe me ndryshime kushtetuese?


Krasniqi:

E vetmja mundësi për ta bërë vetingun është miratimi i amendamenteve kushtetuese. Por, për të ndodhur kjo, ne duhet të kemi një dakordim nacional, duhet të kemi një konsensus politik të grupeve parlamentare. Pra, nëse kërkohet një pajtueshmëri kaq e gjerë politike, duhet të iniciohet dhe zhvillohet përmes Kuvendit të Kosovës.

Nacionale:

Në kundërshtim me partitë opozitare, Kuvendi ka votuar në parim projektligjin për pagën minimale, i cili përjashton veteranët e UÇK-së. Çka do të bëni ju për ta ndryshuar këtë projektligj në lexim të dytë?


Krasniqi:

Ka qenë një sjellje e padrejtë dhe përçmuese e qeverisë karshi veteranëve, kur ka vendosur t’i përjashtojë ata nga ligji për pagën minimale. Ne i kemi dhënë propozimet tona se si duhet të bëhet kjo. Për t’i mbështetur veteranët, ne në Kuvend të Kosovës do të propozojmë amendamentin ligjor për përfshirjen e veteranëve në këtë ligj. Tani mbetet të shihet se si do të sillet qeveria në leximin e dytë të këtij projektligji.

Nacionale:

Qëndrimi i PDK-së për dialogun me Serbinë dihet. Së fundi, keni pasur një takim me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Çka keni diskutuar në këtë takim?


Krasniqi:

Qëndrimi jonë për dialogun është konsistent dhe është i bazuar në platformën të cilën ne e kemi publikuar në vitin 2018. Ato janë qëndrimet tona dhe ato janë qëllimet tona, pavarësisht faktit se atëherë kemi qenë në bashkëqeverisje dhe tash jemi në opozitë. Sepse ne besojmë që dialogu është instrumenti i vetëm për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë, që e përfundon konfliktin e ngrirë që ende e kemi.

Nacionale:

Si e keni parë veprimin e Qeverisë për të nënshkruar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjeve për energjinë?


Krasniqi:

Në këtë periudhë nuk ka pasë ndonjë zhvillim të hovshëm të dialogut. Ajo që kemi parë është marrëveshje për zbatim të marrëveshjes për energjinë. Këtë e kam quajtur lajm të keq dhe lajm të mirë. I mirë, sepse përfundimisht kjo qeveri po e kupton se ato marrëveshje nuk kanë qenë të këqija, por kanë qenë marrëveshje për me e konsolidu rendin dhe ligjin në Kosovë dhe sovranitetin në çdo cep të vendit. Është lajm i keq, sepse pikërisht kundërshtimi i këtyre marrëveshjeve në mënyrë agresive i ka humbur Kosovës një periudhë të gjatë. Z. Lajçak, ka rolin e tij dhe ai i njeh qëndrimet tona. Takimi me të nuk ishte asgjë i jashtëzakonshëm.

Nacionale:

Është thënë se në takimet me liderët e opozitës ai ka kërkuar një unifikim të spektrit politik për këtë proces. Është e vërtetë kjo?


Krasniqi:

Askush nuk ka kërkuar unifikim të qëndrimeve apo mbështetje. Qëndrimet tona për këtë proces janë mbështetje për vazhdimësinë e këtij procesi. Besoj se “dritarja” e hapur aktualisht duhet të shfrytëzohet. Kjo “dritare” në mënyrë të veçantë duhet të shfrytëzohet deri në vitin 2023, sepse në vitin 2024 do të këtë zgjedhje në SHBA dhe zgjedhje për Parlamentin Evropian. Këto zgjedhje përsëri do të interferojnë me interesimin ndërkombëtar në këtë proces. Për të arritur një marrëveshje brenda kësaj periudhe kohore, unë besoj, se duhet të ketë një angazhim më dinamik të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe të qeverisë. Sepse kjo qeveri e ka pozicionin më të favorshëm se qeveritë e kaluara, për faktin se ka përballë një opozitë shtetformuese, e cila e kupton se interesi shtetëror është më i madh se interesi partiak.

Lajme të ngjashme