Fondi sekret i Sigurisë, PDK e ekspertët e sigurisë kritikojnë mostransparencën e Qeverisë Kurti - NACIONALE

Fondi sekret i Sigurisë, PDK e ekspertët e sigurisë kritikojnë mostransparencën e Qeverisë Kurti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Ende nuk dihet sa është saktësisht shuma e mbledhur në Fondin e Sigurisë. Ndonëse kontributi i qytetarëve ka filluar që një kohë, gjithçka rreth Fondit të Sigurisë, i iniciuar nga Qeveria Kurti, po mbahet sekret. E kjo ka ngjallur imagjinatën e politikanëve, të cilët kanë dhënë shifra të ndryshme rreth shumës totale në Fondin e Sigurisë. Juristët e kanë kritikuar mostransparencën e Qeverisë përkitazi me këtë fond.

Ferat Shala, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka kritika në lidhje me sekretësinë e Fondit Sovran.

Në një prononcim për Gazetën Nacionale, ai ka thënë se fondet e tilla ushtarake në gjithë botën janë publike, andaj s’ka arsye për t’i fshehur.

“Thënë të drejtën pastaj, është çështje e përceptimit dhe vendosje e Qeverisë, por që, nëse është fond humanitar, sepse njerëzit vullnetarisht kontribuojnë aty, unë nuk konsideroj se ai duhet të jetë sekret. Fondet e tilla, pra të secilës ushtri në botë, dihen botërisht. Pra, nëse flasim për ushtri të rregullta, nëse flasim për shtet demokratik ligjor, nëse flasim për partneritet me NATO-n, s’e di prej kujt duhet të fshihet”, tha Shala.

Ish-ushtaraku, pohoi se do të kontribuojë në ngritje të siç e quajti ai, linjës buxhetore për sektorin e sigurisë.

Tutje, deputeti i PDK-së tha se është keqkuptuar në lidhje me këtë temë, duke sqaruar se ai personalisht nuk është kundër Fondit të Sigurisë.

“Ne në asnjë rast, veç mundet me qenë keqkuptim, sepse Partia Demokratike nuk është kundër Fondit të Sigurisë. Ne edhe e mbështesim, edhe jemi shumë të interesuar që Fondet e Sigurisë të rriten, por të rriten me anë të linjave buxhetore, të rriten me anë të transparencës, të rriten në vija zyrtare shtetërore, se kemi pasur dhe kemi mundësi të ndajmë subvencione qindra-miliona euro kategorive të ndryshme, buxheti i konsoliduar i Kosovës me 2.7 miliardë, i cili parimisht nuk dihet sa është shpenzuar deri në këto momente. Konsiderojmë që këtu kemi nevojë shumë që, në bashkërendim dhe në ngritje të kapaciteteve, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe akterët e NATO-s. Në këtë relacion është qëndrimi im personal dhe besoj edhe i partisë”, përfundoi Ferat Shala.

Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të Qeverisë së Kosovës për të marrë më shumë informacion në lidhje me shumën e mbledhur deri më tani në Fondin e Sigurisë. Deri në publikimin e këtij shkrimi, zëdhënësi i Qeverisë Kurti e Ministria e Financave, nuk kanë kthyer përgjigjur.

Ndryshe, mbajtja sekret e këtij fondi, tashmë ka ndezur spekulimet për shumën e mbledhur nga kontributet e qytetarëve.

Abelard Tahiri, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ditë më parë vendosi një bast, duke thënë se do të jepte dorëheqje nga mandati i deputetit, nëse kontributi në Fond e kalon shumën e 2 milionë eurove.

“Kur kanë shkuar rreth 75 ditë unë jam i bindur – dhe nëse s’del kështu, unë po vë bast dhe po e lë mandatin e deputetit. Nëse kanë kalu mbi 2 milionë euro, nëse janë dhënë mbi 2 milionë euro në Fondin e Sigurisë deri sot kur po flasim, deri në këto momente, unë e lë mandatin tim”, tha Tahiri në Kuvend.

Njëjtë veproi pak ditë më vonë edhe ish-kryeministri Ramush Haradinaj, duke thënë se ai ka informacione se aty janë mbledhur pak mbi 10 milionë euro. Madje, i pari i AAK-së, që është deputet i Kuvendit, deklaroi se ka dhënë 3 paga për Fondin e Sigurisë.

“Kam informacion rrethanor se janë mbledhur mbi 10 milionë euro në Fondin e Sigurisë. Nuk janë të sigurt. Kam informata nga ata që kanë kontribuar. Por po ju them. Edhe po t’i kishim 1 miliard, nuk është kryer puna. Duhen investim të qëndrueshme”, deklaroi Haradinaj.

Ndërsa, gati dy muaj më parë, kryeministri Albin Kurti, duke e ruajtur sekret shumën totale të mbledhur, tha se kontributi i qytetarëve është shifër shtatëshifrore.

“Numri i donacioneve për Fondin e Sigurisë deri në këtë fundjavë ka qenë katërshifror, ndërkaq numri i mjeteve të mbledhura është shtatëshifror, por për shifra të sakta mund t’i drejtoheni Ministrisë së Financave, Punëve dhe Transfereve”, ka thënë Kurti.

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, e sheh problematike çështjen e mostransparencës, duke theksuar se përkundër qëllimit fisnik të idesë, mbajtja sekret e Fondit lë hapësira për dyshime rreth keqpërdorimeve.

“Në lidhje me Fondin për Siguri që është themeluar nga ana e Qeverisë, mund të themi se qëllimi mund të jetë fisnik në interes nacional të vendit. Por, gjatë procesit të krijimit të këtij fondi dhe lënia anash e Kuvendit që të mbikëqyrë këtë fond, po lë hapësira që mund të keqpërdoret në mostransparencë, kur dihet që është vendosur shkalla e klasifikimit mbi të”, tha fillimisht ai.

Ndërsa, rreth asaj nëse ky fond duhet të klasifikohet si sekret, duhet ndjekur procedurat ligjore, pasi sipas tij, jemi vend që aspirojmë për demokraci.

“Pra, meqë jemi vend me aspirata demokratike, në këtë pjesë të sigurisë nacionale duhet të rregullohet përmes formës ligjore në aspektin e kushtetutshmërisë, pra duke ruajtur konsistencën dhe vitalitetin e institucionit të sigurisë (FSK), ku pastaj aty mund të vendoset shkalla e klasifikimit në aspektin e blerjeve apo orientimit në ndonjë program, që deri të jetësohet, të mbetet sekret sipas shkallës së klasifikimit”, përfundoi ai.

Kujtojmë që Fondi i Sigurisë me autorizim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, është krijuar me qëllimin që qytetarët që gëzojnë mundësi financiare, të ndihmojnë, respektivisht të rrisin buxhetin e shtetit me pagesa në shuma të ndryshme.

I njëjti është funksional që nga 2 marsi i këtij viti, pra tash po shkojmë drejt muajit të tretë që nga dita e parë, prej se Ministria e Financave, përmes një komunikate publike konfirmonte hapjen e llogarisë zyrtare.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme