Intervistë | Rexha: Askush nuk mund të dalë faqebardhë nga kjo krizë e arsimit në vend - NACIONALE

Intervistë | Rexha: Askush nuk mund të dalë faqebardhë nga kjo krizë e arsimit në vend

4 vjet më parë

nga Muhamet Koci

Ish-kryetar i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, ka bërë me dije se askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi për gjendjen e rendë në sektorin e arsimit në vend. Ai ka thënë se as politikë-bërësit, as Universiteti i Prishtinës dhe as profesorët, nuk mund të dalin faqebardhë nga kriza në këtë sektor. Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, ai ka treguar hapat që duhet të ndërmerren për rimëkëmbjen e arsimit.

Ish-drejtori i Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Blerim Rexha, ka shprehur nevojën e rimëkëmbjes së arsimit në Kosovë.

Ai ka vlerësuar për gjendjen e rëndë në këtë sektor përgjegjës janë politikë-bërësit, Universiteti i Prishtinës dhe profesorët.

Rexha ka treguar se kriza e vlerave që ka përfshirë shoqërinë kosovare në dekadat e fundit ka prekur edhe fushën e arsimit.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Rexha ka thënë se askush nuk mund të dalë faqebardhë nga kjo krizë.

Duke komentuar renditjen e ulët të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” në ranglistën “Webometrics”, ai ka treguar për hapat që duhet të ndërmerren nga ky institucion për të përmirësuar gjendjen.

Sipas tij, Universiteti i Prishtinës është pajtuar me këtë status-quo dhe nuk po bën asgjë për t’u ngritur në këtë ranglistë.

Nacionale: Profesor, gjendja në Universitetin e Prishtinës nuk është e mirë dhe kjo është evidentuar së fundmi edhe në ranglistën “Webometrics”, ku tregohet se rënia e UP-së po vazhdon. Cili është vlerësimi juaj për këtë renditje?

Rexha: Konstatimi i drejtë do të ishte që Universiteti i Prishtinës nuk ka shënuar progres, sepse gjatë dy viteve të fundit kemi ngecur tek pozita 3000. Vetëm vendi i parë mundohet ta ruajë pozitën aktuale, të gjithë të tjerët garojnë për përmirësimin e pozitës, dhe këtë garë nuk po e vërej tek Universiteti i Prishtinës, sikurse jemi pajtuar më këtë status-quo! Menaxhmenti i Universitetit duhet të marrë masa nxitëse dhe lehtësuese ndaj stafit që kontribuon në këtë drejtim.

Nacionale: Universiteti i Prishtinës përmes një komunikate është krenuar se në rangimin gjegjës UP-ja rangohet si universiteti më i mirë nga të gjitha institucionet publike dhe ato private në trevat shqiptare. Si e keni parë këtë reagim të universitetit?

Rexha: Universiteti i Prishtinës gjithmonë ka qenë i renditur më së miri nga institucionet shqipfolëse të arsimit të lartë, bile dallimi viteve të kaluara ka qenë edhe më i thellë me vendin e dytë dhe të tretë, kështu që besoj këtu nuk ka vend shumë për mburrje. Nuk qëndrojmë aspak mirë kur krahasohemi me rajonin, gjegjësisht institucionet simotra të vendeve fqinje.

Nacionale: Kush mendoni se është përgjegjës për këtë gjendje jo të mirë në universitet?

Rexha: Përgjegjësia më e madhe bie mbi politikë-bërësit e arsimit të lartë dhe menaxhmentin e universitetit ndër vite, pastaj edhe mbi profesorët. Viteve dhe dekadave të fundit kemi pasur krizë vlerash të krejt shoqërisë, edhe në Universitetin e Prishtinës. Kjo krizë është shpërndarë gjithandej arsimit të lartë në vend, saqë tani askush nuk dëshiron të marrë përgjegjësi sepse ka një bindje se dalja nga kjo vorbull është gati e pamundur, apo thënë më ndryshe askush nuk mund të dalë faqebardhë nga kjo krizë e arsimit të lartë.

Nacionale: Çfarë përgjegjësie kanë profesorët në këtë mes?

Rexha: Mendoj se profesori duhet të jetë shembull dhe frymëzim i shoqërisë (“role model”), dhe pikërisht këtu ne e kemi humbur betejën, duke pranuar presionin politik dhe anashkaluar meritokracinë për rekrutimin e stafit akademik.

Nacionale: Kur jemi të profesorët, vazhdimisht po prezantohen raste të plagjiaturës nga ana e personelit akademik të Universitetit të Prishtinës. Si të parandalohet kjo dukuri?

Rexha: Plagjiatura është një dukuri globale, dhe raste të tilla kemi edhe në vendet e zhvilluara si në Gjermani, Austri dhe gjithandej botës. Por, ajo që e dallon nga Kosova dhe rajoni është që dënimet atje kanë qenë të rrepta – si marrja e titullit dhe largimi i menjëhershëm nga institucioni. Plagjiatura që është prezente në Kosovë, temat e diplomës dhe punimet shkencore, e kanë shkaktarin e njëjtë – që është profesori mentor. Është detyrë e tij të kontrollojë temën dhe punimin për nga cilësia, qoftë edhe me ndonjë softuer për anti-plagjiat, thjesht të përkushtohet në punën e tij. Tani vijnë në shprehje mekanizmat institucionalë të sigurimit të cilësisë: si kontrollimet periodike nga jashtë, raportet e brendshme të trupave për sigurimin e cilësisë, dhe raportet nga softuerët për anti-plagjiatë.

Nacionale: Çka duhet të bëhet që të ndryshohet kjo gjendje në universitet?

Rexha: Hapi i parë është të identifikojmë se ku jemi, cila është gjendja jonë aktuale dhe tek pastaj mund ta projektojmë destinacionin tonë. Universiteti i Prishtinës duhet të kuptojë se tani nuk jemi i vetmi ofrues i shërbimeve të arsimit të lartë në Kosovë – kemi konkurrencë edhe nga institucionet tjera publike dhe ato private. Trendet e regjistrimit po tregojnë se shumë maturantë as nuk synojnë Universitetin e Prishtinës. Andaj, përveç ndryshimit të mendësisë na duhet edhe më shumë “energji” nga jashtë – pra më shumë resurse njerëzore dhe infrastrukturore. Përkushtimi ndaj studentit duhet të rritet nëse dëshirojmë ta ruajmë ende primatin.

Nacionale: Cili është vlerësimi i juaj për qasjen e qeverisë Kurti në arsim. A po ndryshon diçka nga qeveritë e kaluara?

Rexha: Deri më tani më ka pëlqyer mbështetja financiare për studentet vajza në fushat e Shkencës, Teknologjisë, Inxhinierisë dhe Matematikës (STEM). Shpresoj që kjo mbështetje të rritet këtë vit.

Nacionale: Çfarë reformash janë të nevojshme për t'u rritur cilësia në arsim?

Rexha: Sigurimi i cilësisë në arsimin e lartë është një proces i vazhdueshëm dhe jo një akt i njëhershëm dhe i vetmuar – dhe kjo duhet të kuptohet nga të gjithë, edhe nga politikë-bërësit. Vitin e kaluar Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka publikuar “Platformën për rimëkëmbjen e Arsimit në Kosovë” dhe në cilësinë e njërit nga autorëve po nxjerri këtu disa rekomandime: (i) “të instalohet sistem i mirëfilltë i përgjegjësisë dhe llogaridhënies...,” (ii) të rishikohet formula e financimit të institucioneve të arsimit të lartë, (iii) “të ristrukturohen institucionet rajonale të arsimit të lartë...”, (iv)”... të filtrohen profesorët jokompetentë...”, (v)” të depolitizohet roli i studentëve...”, etj.

Nacionale: Vazhdimisht është folur për ndërlidhjen e arsimit me nevojat e ekonomisë. Sa po bëhet në këtë drejtim?

Rexha: Pa dyshim jo mjaftueshëm. Ekonomia e Kosovës vazhdimisht ankohet, me të drejtë, për mospërputhjen e shkathtësive të fituara të studentëve me ato të tregut të punës. Agjencia e Akreditimit tani ka vënë kusht të detyrueshëm që secili program studimi duhet të këtë edhe një feedback nga ekonomia, dhe ky fakt besoj do ta korrigjojë këtë dukuri.

Lajme të ngjashme