Opozita: UP-ja u kap me kritere partiako-klienteliste dhe jo akademike - NACIONALE

Opozita: UP-ja u kap me kritere partiako-klienteliste dhe jo akademike

1 vit më parë

nga NACIONALE

Të premten nga Senati i Universitetit të Prishtinës janë zgjedhur pesë anëtarët e Këshillit Drejtues, organ kryesor qeverisës i Univesitetit. Përzgjedhja ka nxitur polemika të shumta e akuza për kapje të UP-së nga ana e Vetëvendosjes.

Selim Bezeraj, Rifat Krasniqi, Azem Hajdari, Arjan Krasniqi dhe Naser Kabashi janë zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues. Tashmë do zgjedhen edhe katër anëtarë tjerë të Këshillit Drejtues, të cilët emërohen nga Ministria Arsimit.

Zgjedhja e anëtarëve të rinj të KD-së u bë nën tensione, e po ashtu me protestë para ndërtesës së Rekotoratit.

Selim Bezeraj e Rifat Krasniqi janë parë si emra të lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje, e në bazë të kësaj procesi është parë si kapje e UP-së prej partisë në pushtet.

Muzafer Shala nga PDK e ka cilësuar këtë zhvillim brenda UP-së ‘‘paftësi për të qeverisur’’ të Lëvizjes Vetëvendosje.

‘‘Ka tendenca për të kapur Universitetin e Prishtinës. Ta kemi parasysh se katër anëtarë tjerë të Këshillit Drejtues të UP-së, ata [Vetëvevendosje] i dërgojnë nga ministria e arsimit’’, i tha Shala gazetës Nacionale, duke shtuar se duke zgjedhur anëtarë të afërm me partinë e tyre nga votat e Senatit, tashmë Vetëvendosje do ta dominojë e kontrollojë Këshillin Drejtues.

Shala tha se këtë më nuk po e thojnë vetëm partitë opozitare, por edhe organizata joqeveritare që monitorojnë punën e UP-së, si dhe në reagimet e medieve. Sipas tij, kjo dëshmon se disa persona të zgjedhur në KD janë të afërm të partisë në pushtet.

‘‘Janë njerëz që janë zgjedhur përmes manipulimeve, dhe janë aty për shkak të afërsisë me Lëvizjes Vetëvendosje’’, thotë Shala, duke shtuar se edhe më të rëndë këtë veprim e bën fakti se anëtari i ri i Këshillit Drejtues, Selim Bezeraj, është i akuzuar për plagjiaturë.

‘‘Çdo kush që ka bërë plagjiatur duhet t’i marret titulli shkencor’’, thotë ai, duke shtuar se kjo duhet të vlejë për çdo profesorë i cilësdo parti që është.

Zgjedhjen e anëtarëve të afërm me LVV në Këshillin Drejtues të UP-së e ka cilësuar si kapje të UP-së edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

‘‘Me qëllim të shtrirjes së ndikimit dhe të kontrollit në institucione, partia në pushtet po vazhdon të kapë bordet e institucioneve të pavarura’’, është cilësuar procesi brenda UP-së nga ana Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sipas partisë opozitare, partia në pushtet veçse ka dëshmuar se përzgjedhja është bërë ‘‘me kriter partiak-klientelist, dhe jo akademik, me disbalanc total gjinor, duke mos e respektuar as Ligji për Barazi Gjinore’’.

‘‘Këtë ndikim partia në pushtet e ka bërë përmes ushtrimit të presionit ndaj senatorëve dhe organizatave studentore të afërta me partinë në pushtet, të cilit i ka ndihmuar një interpretim kundërthënës që u ka marrë mandatin senatorëve nga radhët e studentëve, për çfarë kishte pakënaqësi dhe protestë para Rektoratit të UP-së’’, thuhet më tej në reagimin e LDK-së.

LDK thotë se duke e pasur parasysh se Këshilli Drejtues i UP-së është organi më i lartë vendimmarrës i UP-ës, që mbikëqyr punën e Rektorit dhe funksionimin e Universitetit edhe në rrafsh buxhetor, kjo hapur cënon punën e universitetit.

‘‘Qeveria e Republikës së Kosovës ka rol në punët e menaxhimit të UP-së përmes anëtarëve që i cakton MASHT-i në Këshillin Drejtues. Por, jo duke përcaktuar direkt anëtarët nga trupi akademik’’, thuhet në reagimin e LDK-së, duke shtuar se efektet e ushtrimit të ndikimit dhe të kontrollit nga pushteti në arsimin e lartë dëmtojnë rëndë cilësinë dhe funksionimin institucional.

Në anën tjetër, Muzafer Shala ka thënë se duhet të refuzohen skenarët e cilësdo parti politike për të cënuar autonominë e Universitetit të Prishtinës, si dhe gjithë faktorë në shoqëri duhet të insistojë që të zbatohet Statuti i Universitetit të Prishtinës.

Kujtojmë se këtë javë UP zgjodhi Këshillin Drejtues, këshill ky që u kritika dukshëm nga opinionistë e njohës të arsimit, pasi në të siguruan vend edhe njerëz të afërt me VV-në.

Lajme të ngjashme