“Albin, eja në Kuvend”: PDK-ja dhe Aleanca e ftojnë Kurtin të paraqitet në Kuvend në orën 11:00 - NACIONALE

“Albin, eja në Kuvend”: PDK-ja dhe Aleanca e ftojnë Kurtin të paraqitet në Kuvend në orën 11:00

6 orë më parë

nga NACIONALE

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca presin vazhdimin e seancës konstituive sot në ora 11:00. Deputetët e këtyre dy partive edhe sot kanë ftuar kreun e VV-së, Albin Kurti që në ora 11:00 të paraqitet në Kuvend.

Ndonëse PDK-ja zyrtarisht ia ka përsëritur kërkesën kryesuesit Avni Dehari për vazhdimin e seancës, VV-ja ka vazhduar të injoroi këtë kërkesë të opozitës.

Paraprakisht PDK-ja ka vazhduar aksionin para Kryeministrisë, ku sot i është bashkuar edhe Aleanca.

Nga ky aksion deputetët e dy partive sërish kanë përsëritur thirrjen për liderin e VV-së, Albin Kurti, që të shkoi sot në Kuvend për të vazhduar seancën.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka akuzuar liderin e VV-së, Albin Kurti, për kapje të institucioneve kryesore të vendit.

Në një adresim për media, para ndërtesës së Qeverisë, ajo ka thënë se Kurti e ka kapur Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencës.

Albin Kurti ka kapur Qeverinë, Presidencën, Kuvendin dhe, mbi të gjitha, edhe grupin parlamentar të LVV-së, të cilët nuk kanë guxim të vijnë për ta konstituar Kuvendin”, ka deklaruar Musliu.

Ajo e ka ftuar sërish kreun e VV-së për konstituimin e Kuvendit.

Me PDK-në jemi këtu për të gjashtën ditë radhazi, që t’i bëjmë thirrje deputetit Albin Kurti, njëherësh kryetarit të VV-së, që të kthehet në Kuvendin e Kosovës dhe t’i konstituojë institucionet e vendit, për çka ka marrë mandatin dhe besimin e qytetarëve të Kosovës”, ka thënë ajo.

Kurse, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se opozita ka vetëm një kërkesë ndaj Kurtit.

Sipas saj, ai duhet të respekton Kushtetutën dhe të konstituon Kuvendin e Kosovës.

Deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj, tha se kërkesa e tyre është respektimi i Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

E gjithë ajo që po kërkojmë është të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka përcaktuar qartë periudhën kohore brenda së cilës duhet të konstituohet Kuvendi dhe të bëhet zgjedhja e presidentit. Pikërisht për këtë arsye kërkojmë që të respektohet ligji. Askush nuk është mbi ligjin dhe mbi ligjin nuk është as Albin Kurti, i cili po mendon se është njëfarë shefi dhe mund ta interpretojë ligjin e Kushtetutën ashtu siç dëshiron vetë”, ka deklaruar Kadrijaj.

Lajme të ngjashme