Renditja e re e universiteteve, UP s'e pranon faktin e të qenurit i parafundit në rajon - NACIONALE

Renditja e re e universiteteve, UP s'e pranon faktin e të qenurit i parafundit në rajon

1 vit më parë

nga Muharrem Kafexhiu

Platforma e njohur botërore e renditjes së universiteve, Webometrics ka publikuar të dhënat për muajin korrik 2022.

Në këtë ndarje është mësuar edhe renditja e universiteteve kosovare.

Si rëndom, prin Universiteti i Prishtinës "Hasan Prishtina".

I parafundit në rajon

Universiteti i parë publik në vendin tonë zë pozitën e 3031 në botë.

Megjithatë, në krahasim me rajonin, është i dyti për kah fundi. Vetëm Universiteti i Tiranës është më poshtë në renditjen botërore. Saktësisht në atë të 3786.

Por, duket se raportimet e mediave u kanë penguar krerëve të UP-së.

Universiteti i Prishtinës përmes një komunikate të publikuar dje ka thënë se në rangimin gjegjës rangohet si universiteti më i mirë nga të gjitha institucionet publike dhe ato private në trevat shqiptare.

“Në rangimin Webometrics, Universiteti i Prishtinës rangohet si universiteti më i mirë nga të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit të lartë në Kosovë dhe trevat shqipfolëse. Pra, UP-ja nuk është universiteti i dyti më i dobëti në rajon, siç është prezantuar nga disa mediume”, shkruan fillimisht në reagimin e universitetit.

Përveç kësaj, universiteti publik ka bërë një krahasim me atë të janarit të këtij viti.

Atëbotë, gjithnjë sipas kësaj komunikate, UP pozicionohej katër pozita më poshtë, çka do të thotë se për periudhën gjashtëmujore ka shënuar rritje.

Ndërkaq, siç thuhet tutje platforma Webometrics ka ndryshuar metodologjinë e rangimit ndër vite dhe aktualisht 50 % e peshës së rangimit bazohet në indikatorë uebometrikë.

“UP-ja në rangim lë prapa një numër të konsiderueshëm të universiteteve publike në rajon, ndërsa institucioni i dytë i arsimit të lartë në Kosovë, është dyfish më poshtë në rangim krahasuar me UP-në. Sigurisht, UP-ja nuk është e kënaqur edhe me këtë rezultat, andaj menaxhmenti së bashku me Këshillin drejtues, muaj më parë kanë filluar të punojnë në këtë drejtim, duke identifikuar mangësitë dhe duke ndërmarrë nisma strategjike për ta avancuar tutje pozicionin në platformën Webometrics.

Në edicionin e gushtit 2022, UP-ja mban pozitën 3031, ndërkaq në janar 2022 ka pasur pozitën 3027. Në vitin 2021 ka pasur pozitën 3009, vitin 2020 pozitën 2827, vitin 2019 pozitën 2776 dhe në vitin 2018 pozitën 3320.

UP-ja asnjëherë nuk është ranguar në pozitën 1471 siç ka qarkulluar informacioni në disa media. (Ky ka qenë një gabim teknik i platformës, i korrigjuar, për të cilin janë dhënë pastaj sqarime nga menaxhmenti i kaluar).

Për sqarim të mëtutjeshëm, platforma Webometrics ka ndryshuar metodologjinë e rangimit ndër vite dhe aktualisht 50 % e peshës së rangimit bazohet në indikatorë uebometrik, pra prezenca dhe impakti në ueb (Internet). Siç udhëzohet nga Webometrics, https://webometrics.info/en/Pr..., krahasimi i rangimeve ndër vite duhet të trajtohet me kujdes për shkak të ndryshimit të metodologjisë së rangimit”, thuhej në komunikatë.

Larg më i miri në vend

Duhet përmendur faktin se në krahasim me universitetet tjera publike, UP qëndron dukshëm më mirë.

Universiteti i Prizrenit "Ukshin Hoti", që është i dyti në Kosovë për nga cilësia, është hiç më pak se 9491 pozita më poshtë. Pra, 12522. Por, ky lajm duket t’i ketë gëzuar autoritetet e këtij universiteti.

Kjo pasi, përmes një komunikate në sajtin zyrtar, UPZ ka shkruar se universiteti i tyre ka regjistruar ngritje për 1000 pozita.

Më pas renditet Universiteti i Mitrovicës, “Isa Boletini”, që zë vendin e 13162 në rruzull. Pasohet nga Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë, “Fehmi Agani” në Gjakovë dhe ai “Kadri Zeka” në Gjilan.

Më poshtë edhe renditja e universiteteve publike në një grafik të publikuar nga UPZ, e që për burim ka Webometrics.

Lajme të ngjashme