“2 Korriku” në Beguncë të Vitisë, festë futbolli e përkujtim i historisë - NACIONALE

“2 Korriku” në Beguncë të Vitisë, festë futbolli e përkujtim i historisë

1 vit më parë

nga Mirlind Behluli

Përkrahja për ekipet e tyre është e madhe. Përveç brohoritjeve, nuk mungojnë as tupani shurdhues, e si pasojë e adrenalinës nganjëherë edhe sharjet. Qindra shikues janë mbledhur për të shikuar finalen e turneut të futbollit “2 Korriku” në Beguncë të Vitisë, që për organizatorët është më masoviku në Kosovë.

Secili qershor, tradicionalisht, i jep gjallëri komunës së Vitisë. Pothuajse të gjitha bisedat nëpër kafe për dy javë rresht, sa herë që qëndrojë në vendlindje, sillen rreth lojërave në turnirin e futbollit të vogël në Beguncë.

Komentimet e ndeshjeve të natës së kaluar, e paralajmërimet për derbit e ditës, janë disa nga bisedat që mbeten në kujtesen time që nga fëmijëra, e që përsëriten secilin vit.

Natyrshëm, ka shumë mendime të ndryshme për favoritin e turneut. Nuk ishte ndryshe as këtë vit, gjersa për dy javë rresht, 64 ekipe synuan trofeun e “2 Korrikut”.

Megjithatë, në finale janë dy ekipe, që kanë investuar koxha para për të dalë triumfues në turneun që mbahet për nder të Deklaratës Kushtetuese të vitit 1990.

Ky vit shënon 30 vjetorin e turneut, i cili nuk u ndal as në kohën e okupimit gjatë viteve 90-ta, kur sporti i shërbente kauzës së rezistences ndaj ish-regjimit të diktatorit serb, Sllobodan Millosheviç.

Në fakt, turneu i futbollit në Beguncë mbetet e vetmja hapësirë e mirëmbajtjes së kujtesës kolektive në Viti rreth përpjekjeve paqësore të shqiptarëve të Kosovës për liri e pavarësi.

Por, le t’i kthehemi turneut.

Krenar Ismajli, njëri nga organizatorët, më tregon se janë të kënaqur me organizimin, përkundër dy-tri incidenteve përgjatë zhvillimit të turneut.

“Po kemi qenë shumë të knaqur nga lojtarët, ekipet, shikuesit. Përkrahja ka qenë edhe nga Komuna e Vitisë me rekuizita sportive (rrjeta, topa, fanella etj.), pastrimi i fushës, Policia, zjarrëfiksat, QKMF, të gjithë kanë qenë prezent”, thekson Ismajli.

I riu nga Vitia, që është në fund të 20-tave, rrëfen për lojëtarët e shumtë që kanë ardhur nga e gjitha Kosova. Por, viteve të fundit, është parë edhe interesim nga vendet fqinje.

“Këtë vit ka pasë lojtarë kolumbianë, malazezë, serbë, maqedonë, etj.”, e thotë me krenari Ismajli.

Para lojës finale për të cilën janë mbedhur të gjithë, ka një ceremoni të organizuar nën patronatin e kryetarit të komunës së Vitisë, Sokol Haliti. Në krah të këtij të fundit, gjendet edhe Muharrem Shabani, guximtari nga Vushtrria që lexoi Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut, saktësisht 32 vite më parë.

Të parët në skenë dalin gjimnastet, vajza të reja nga Vitia, akrobacionet e të cilave ngjallin shumë kurreshtje tek publiku.

Valdrin Xhemaj, fotografi i Nacionales, tenton nga afër të zë momentet më të mira të njomakeve gjimnaste.

Sigurisht, një lojë triviale e veteranëve kundër ushtarëve amerikanë të KFOR-it është e pashmangshme. E kthyer në një traditë tashmë, është një ndeshje simbolike ndërmjet atyre që përjetuan vitet e 90-ta e aleatëve më besnik të kosovarëve. Një falënderim, ndeshje që tregon mirënjohjen e kosovarëve për amerikanët.

Anadaj, rezultati i kësaj përballje, është në rend të dytë.

E kur përfundon ajo, në fushën e futbollit hyjnë vallëtarët, të cilët me veshjet e tyre kombëtare shumëngjyrëshe e vallet e bukura, janë shenjë se ndeshja finale është afër.

Por, para finales, ish-deputeti Shabani e kryetari Haliti përshëndesin publikun, që për shkak të zërimit të keq, nuk kuptohen shumicën e kohës.

Fishekzajrret e shumta janë një prelud që lojëtarët po hyjnë në fushë.

Ndeshjen e fundit të turneut tre dekadësh, e shikoj me shokun e vjetër, Dardan Shabiu, me të cilin komentojmë vazhdimisht aksionet e shpejta e lojën e bukur të lojëtarëve.

Secili gol përcillet me fishekzjarre e me brohoritje nga tifozët e shumtë. Në fund, vetëm njëra palë feston.

Fytyrat e buzëqeshura të tifozëve, njomaket gjimnaste, e policia që më nuk ushtron dhunë ndaj qytetarëve, më rikujton një të vërtetë tejkohore: liria është gjëja më e bukur në botë.

Lajme të ngjashme