Shkencëtari nga UP-ja: Ajnshtajni e ka gabim - NACIONALE

Shkencëtari nga UP-ja: Ajnshtajni e ka gabim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Qëndrimet e tij për shkencëtarin Albert Ajnshtajn kanë bërë mjaft bujë viteve të fundit. Në një intervistë ekskluzive për Nacionale-n, studiuesi, shkencëtari dhe profesori Shukri Klinaku, argumenton qëndrimet e tij lidhur me këtë çështje. Përveç kësaj, profesori shpjegon raportin e tij me Zotin, qasjen ndaj Big Bang-ut dhe ide tjera mjaft të diskutuara.

Një shpjegim i shkurtër i historisë së relativitetit…

Relativiteti është dukuri e përditshme, por si problem për studim është shtruar relativisht vonë. Aryabhata (476 – 550), Jean Buridan (c. 1301 – c. 1361), Nicole Oresme (c. 1325 – 1382) dhe Xhordano Bruno (1548 – 1600) janë marrë me relativitetin para Galileit, mirëpo Galilei gjeti parimin e relativitetit. Njutoni e riformuloi këtë parim në librin e tij të njohur “Parimet matematike të filozofisë së natyrës”.

Studimi i relativitetit deri në këtë kohë shërbeu për vërtetim të sistemit heliocentrik të lëvizjes së trupave qiellorë. Dhe pasi u fitua kjo betejë, parimi i relativitetit dhe krejt relativiteti më shumë mbeti si në nëndije të shkencëtarëve sesa në aktivitetet e tyre. Kjo vazhdoi kështu deri në pjesën e dytë të shekullit 19, kur u intensifikuan përpjekjet për identifikimin e eterit të dritës, pasi që teoria elektromagnetike e dritës ishte ndërtuar mbi ekzistencën e eterit.

Mirëpo, mosidentifikimi e këtij eteri ishte bërë shqetësim për fizikanët. Në këtë kohë u riaktualizua relativiteti nga Puankare, i cili edhe e riformuloi parimin e relativitetit. Pastaj vijnë punimet e Lorencit dhe të Ajnshtajnit. Prej fillimit të shekullit 20, relativiteti i është shumë i pranishëm në tekstet shkollore të fizikës dhe në punën hulumtuese të fizikanëve.

Çka thotë teoria e relativitetit?

Termi teori e relativitetit është shumë i gjerë. Së pari duhet të dihet se ekziston teoria e relativitetit sipas Galileit dhe teoria e relativitetit sipas Ajnshtajnit. Teoria e relativitetit sipas Ajnshtajnit është e përbërë nga dy teori: teoria speciale e relativitetit dhe teoria e përgjithshme e relativitetit. Sipas teorisë speciale të relativitetit (TSR), në sistemet që lëvizin (tren, aeroplan, etj.) koha zgjerohet dhe trupat shkurtohen. Dhe, sado shpejt ta ndjekësh dritën, ajo nga ti largohet gjithnjë me shpejtësi të njëjtë.

Cili është shpjegimi juaj dhe ku mendoni se qëndron huqja?

Sipas bindjes sime, asnjë nga këto përfundime të TSR-së nuk qëndrojnë. Me lehtësi në çdo rrethanë provoj teorikisht dhe me eksperiment se nuk ka zgjerim të kohës, se trupat e ngurtë nuk deformohen vetiu nga lëvizja (pra nuk shkurtohen) dhe, në fund, se drita u nënshtrohet të gjitha ligjeve të lëvizjes, njësoj sikurse të gjithë trupat tjerë.

Më pëlqen që këtë ta shpreh në formë aforizmi: Drita është e jashtëzakonshme për ne, por e zakonshme për ligjet e lëvizjes. Fizika e relativiteti ka bërë kthesë të gabuar në momentin kur Lorenci, Puankare, Ajnshtajni dhe Minkovski dështuan në kuptimin e efektit Doppler.

Efekti Doppler tregon për ndryshimin e frekuencës së regjistruar nga frekuenca e emetuar për shkak të lëvizjes së burimit (ose vrojtuesit). Mirëpo, frekuenca është e lidhur me të gjitha madhësitë fizike të relativitetit, e sidomos me kohën. Pra, kur ka ndryshuar frekuenca në efektin Doppler, aty kemi edhe një ndryshim kohe.

Ky ndryshim kohe shpjegohet lehtë dhe bukur – në teori dhe praktikë me anë të fizikës së Galilei-Njutonit. Kurse, TSR-ja e shikon si tejet të ndërlikuar këtë ndryshim kohe dhe shpikë tërmet zgjerim kohe, kohë vetiake e plotë terma të tjerë të çuditshëm, të cilët nuk të përkojnë gjë me realitetin.

Argumentet tuaja që vërtetojnë se ju keni të drejtë…

Argumentet e mia janë jo një e dy, por me dhjetëra. Sa i përket argumentit eksperimental – ka shumë eksperimente krejt të thjeshta që rrëzojnë pretendimet e TSR-së. Por një nga pajisjet që përdoret shpesh sot e demonstron problemin më së qarti dhe me të gjitha madhësitë fizike që përfshihen në problem. Është fjala për radarin Doppler, radari që mat shpejtësinë e veturave.

Ndërsa në aspektin teorik, tregoj se transformimet Lorencit janë ndërtuar mbi dy pandehma të gabuara fizike dhe mbi një gabim të thjeshtë matematik. Gabimi matematik është se ekuacioni i kohës dhe koordinatës (që përbëjnë transformimin e Lorencit) janë linearisht të varur, kurse fizika moderne, gabimisht i merr si të pavarur.

Pastaj, kam bërë korrigjimin e transformimit të Galileit (gjë që i merr TSR-së truallin e ekzistencës, me fjalë tjera, tregon se fizika as që ka nevojë TSR-në sepse të gjitha ato për të cilat pretendon se ka lindur, shpjegohen nga korrigjimi që i kam bërë transformimit të Galileit).

Së fundmi, transformimin e transformuar të Galileit e paraqes me një metodë shumë kredibile, sikurse është metoda gjeometrike, dhe tregoj se ekuacioni i valës është invariant ndaj transformimit të ri.

Kush tjetër nga komuniteti shkencor qëndron kundër teorisë së Ajnshtajnit?

Ka shumë fizikanë që për shpjegim të relativitetit nuk pajtohen me TSR-në. Shumë nobelistë, qysh me lindjen e TSR-së kanë pasur shpjegime për paqëndrueshmërinë e saj. Ndërsa sot ka mijëra fizikanë që nuk pajtohen me TSR-në.

Ndër më të njohurit do të përmendja fizikanët Herbert Dingle dhe Luis Esen. Këta janë fizikanë me të arritura të mëdha, të cilët kanë botuar punime në kundërshtim të TSR-së.

Mendoj se puna ime në mesin e atyre që kundërshtojnë TSR-në është e veçantë për tri arsye: e para, për dallim nga të tjerët, nuk ndalem vetëm në një segment të teorisë, por e shpjegoj dhe në tërësinë e saj; e dyta, argumentet e mia janë të mbështetura në eksperimente, madje në eksperimente të thjeshta, lehtë të realizueshme; dhe e treta, angazhimi im nuk është vetëm kritik, por edhe jap zgjidhje – kam kompletuar teorinë e relativitetit sipas Galileit, që do të thotë se kjo teori është e kompletuar dhe e aftë të shpjegojë çdo problem që nuk mund ta shpjegonte prej fundshekullit 19.

Na tregoni më shumë rreth radarit që keni krijuar, kush ju ka mbështetur, cilat ishin sfidat dhe çfarë keni nxjerrë?

Në një projekt të financuar nga MASHT-i kam demonstruar se radari Doppler konfirmon pretendimin tim, se shpejtësia e dritës mblidhet dhe zbritet me shpejtësitë tjera sikurse çdo shpejtësi tjetër. Po të ishte sikurse thotë TSR-ja, atëherë nuk do të mund të matej shpejtësia e objekteve (e veturave) me anë të radarit që përdorë valët elektromagnetike (valë që kanë shpejtësinë e dritës).

Keni shumë artikuj shkencorë të botuar nëpër revista prestigjioze, a e keni ndonjë që e veçoni më shumë dhe a keni artikuj ende të papublikuar që prisni t’i publikoni?

Këto natyrisht mund t’i gjeni në Researchgate, apo në Google scholar. Ndër më të fortit dhe në revistë të fortë e çmoj punimin: Efekti Doppler është i njëjtë për optikën dhe akustikën, i botuar në revistën gjermane Optik.

Dhe po, janë disa artikuj që janë në përfundim e sipër dhe shumë shpejt do të botohen.

Si qëndron bashkëpunimi juaj me fizikanët tjerë ndërkombëtarë në lidhje me trajtimin ‘çështjes’ rreth teorisë së relativitetit?

Bashkëpunim ka, pritet që të intensifikohet kontakti në vazhimësi, megjithatë, tani po mjaftohem për të thënë që janë shkencëtarë eminent nga të gjitha anët si: Amerika, Kanada, India, Rusia e Gjermania.

Ç'vlerësim keni për shkencën në Kosovë, a ka ndonjë emër të ndonjë shkencëtari që konsideroni ta përmendni?

Shkenca në Kosovë nuk qëndron aq keq, kaq kemi kapacitet. Kemi disa emra, megjithatë, kjo varet edhe prej kërkesave të prodhimit. Pra në shkallën si janë shtytësit për zhvillim të shkencës, ashtu është edhe shkenca, aty-aty…

Shkenca lind dhe zhvillohet si nevojë për prodhim më të madh, dhe aq sa shtron historikisht nevoja e shoqërisë, shkenca përafersisht aq edhe zgjidh. Megjithatë, sikur segmentet udhëheqëse të ishin më ‘në rregull’ – mbase edhe situata do ishte më mirë.

Meqë më kërkove të përmend disa nga emrat, si shumë të cituar që dihet që janë dhe të vlërësuar do përmendja disa nga fakuleti jonë: Fetah Podvorica, Bajram Berisha, Avni Hajdari etj.

Përpara se t'ju falënderoj përzemërsisht që pranuat të ishit pjesë e intervistës, desha t'ju pyes çka është shenjtëria dhe si e shihni zotin nga perspektiva shkencore?

Unë jam fizikan edhe sikurse thashë te teoria e relavitietit, por edhe në të gjitha fushat tjera, nuk është e nevojshme të ndërtohen pa pikë nevoje terma të vështirë, të çuditshëm e të pakuptimtë.
Në këtë kontekst unë them që jam rob i metodës së thjeshtë shkencore, i metodave të thjeshta tashmë të vërtetuar katërcipisht, me to operoj dhe mendoj se shkenca është në këmbë më të forta nëse veprohet kësisoj.

Kur diçka nuk shkon sipas ligjeve të tyre, disa e kanë prirje të thonë “po i then natyra ligjet e veta”, e në të vërtetë natyra asnjëherë nuk i then ligjet e veta. Me këtë desha te them që një fizikan nuk beson pa verifiku. Çështja e krijimi të Gjithësisë është çështje filozofike, fetare dhe shkencore, pra ju përket të tri këtyre vetëdijeve njerëzore, dhe unë meqë i përkas fizikës – për të folë rreth kësaj më duhet të mbështetem në baza të prekshme, dhe kur flasim për krijimin dhe funksionimin e Gjithësisë – janë pezull ato që quhen pyetje të mëdha, të cilat janë të vjetra, por jo të vjetëruara.

Sot kozmologjia moderne shkencore mbështetet në idenë e Shpërthimit të Madh, e kjo ide është një lloj Zoti, se si të thuash Zoti si të thuash ideja është e njëjtë.

Megjithatë, unë përpiqem me njoftë çka ka në të, por mendoj që ashtu si Shpërthimi i Madh edhe qenia eventuale e Zotit nuk ta zgjidhin problemin. Dhe meqë ka probleme të pazgjidhshme, një prej tyre është prej nga erdhi materia. Ne e dimë kush shpërthen në një bombë, kush shpërthen në një plagë e në një vullkan; po në Shpërthimin e Madh, kush shpërtheu?

Kozomologjia e sotit e thotë se shpërtheu energji e madhe e grumbulluar, mirëpo kjo në njëfarë forme është deformim i fjalës energji dhe materie.

Materia është qënie ndërsa energjia është veti e materies, energjia nuk mund të shpërthejë. Në qenien time nuk mund të shpërthejë ngjyra ime e lëkurës, se ajo eshte veti e imja, nëse shpërthen diçka do të shpërthejë materia, mos të flasim tash për shpërthim ndjenjash…
Pyetja ishe për Zotin dhe unë mendoj që sikur të ishte Zoti, të gjitha këto do ishin përgjigje të thjeshta, e fakti që ne po kemi pikëpyetje gjithandej mua më jep të kuptojë që duhet njoftë natyra, ende duhet njoftë…

Në qoftë se njeriu ka një mision, tash për tash ai mision është njohja.

Në mënyrë natyrore asgjë nuk është e shenjtë në këtë botë, shenjtëria është term njerëzor, që shpreh nivelin më të lartë të vlerësimit që njeriu me vetëdijen, qëllimin dhe dëshiren e tij i’a mvesh diçkaje, andaj, diçka që është e shenjtë për një, nuk është e shenjtë për një tjeter, dhe shkenca në përgjithesi shenjtërinë nuk e duron, sepse nëse shenjëteria behet metodë – atëherë ajo nuk është më shkencë.

Të faleminderit shumë edhe ty, Shkëndije!

Shukri Klinaku (1967) është profesor në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2009 ka marrë titullin Doktor i Fizikës. Ka dhjetra artikuj shkencorë të publikuar nëpër revistat e famshme ndërkombëtare si: Physics Essays, Optik, Journal of Natural Sciences and Mathematics of UT, Journal of Engineering and Applied Sciences, International Journal of Novel Research in Physics Chemistry & Mathematics dhe Science Journal of Physics.

Është autor i librave: “Fizika 10, Gymnasium of natural sciences” (2019), “Hyrje në Astronomi” (2014), “Fizika” (2013) dhe “Lëvizja relative – shpjegimi i drejtë dhe gabimet e Ajnshtajnit” (2012).

Në vitin 2016 ka marrë shpërblimin “Shkencëtari i vitit” nga MASHTI.

Lajme të ngjashme