Instalacioni madhështor i Petrit Halilajt zbulohet në MET, në New York
Hapet për publikun, i shumëprituri, instalacioni i artistit kosovar Petrit Halilaj, komisionuar dhe zbuluar nga Muzeu Metropolitan i Artit në New York.
Si projekti skulptural më i rëndësishmi i Halilajt në ambient të hapur, ‘Abetare’ ka transformuar terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor të Muzeut MET, me një instalacion të shtrirë që eksploron ndërthurjen e realitetit dhe imagjinatës përmes botës së pasur të vizatimeve të fëmijëve.
Skulpturat metalike janë frymëzuar nga shkarravinat dhe vizatimet e gjetura në bankat e shkollës, ku ai vijonte mësimet në Runik, Kosovë, si dhe në shkolla të tjera të rajonit, të cilat tani po pësojnë ndryshime të mëdha kulturore dhe socio-politike.
“Me entuziazëm të lartë, Muzeu MET komisionoi dhe zbuloi instalacionin skulptural të Petrit Halilajt në çatinë e terracës së Iris dhe B. Gerald Cantor, për të krijuar një bashkëbisedim të ndjerë në mes artistit, Muzeut, qiellit të Manhattan, dhe jo vetëm,” tha Max Hollein, Drejtori dhe CEO i Marina Kellen French të MET. Drejtori i MET, e cilëson artistin kosovar si tejet vizionar dhe ndërkombëtar në fushën e tij. “Rrëfimi që Petriti gjithmonë po tregon është historia e tij, por është gjithashtu historia e shoqërisë sonë. Ai na dhuron një përvojë emocionale dhe personale, dhe përmes artit të tij, e bën këtë si diçka me të cilën një gjeneratë e tërë mund të personifikohet. Dhe kjo e bën atë tejet të fuqishëm,"-shtoi drejtori i Muzeut.
“Shkarravinat e zakonshme të nxënësve në bankat e tyre, në çaste monotonie apo shpërqendrimi, pëmbajnë fantazitë dhe ëndrrat e kokës së tyre,” tha Halilaj.
“Fillova ta hulumtoj këtë si praktikë më 2015, atëherë ishte e rëndësishme për mua që ëndrrat e shkollës sime në Kosovë t’i barti në Evropë, nga e cila pjesë e botës, vendi im ishte ende i izoluar. Tani në vitin 2024, shkarravina të panumërta nga bankat shkollore nga i gjithë Ballkani po zbulohen në një kontekst dhe kontinent të ri. Puna ime këtu në Muzeun MET, i dedikohet të gjithë fëmijëve, në jetën e të cilëve luftërat në tërë botën iu lanë vragë të thella. Shpresoj që ëndrrat e tyre do t’na fluturojnë në një të ardhme më të bukur.”
Kjo është hera e parë që puna e një artisti kosovar komisionohet dhe ekspozohet në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, të Shteteve të Bashkuara.
Për arritjet e artistit kosovar Halilaj, po shkruajnë edhe mediat e huaja prestigjioze, vlerësimet e të cilave po e ngrisin artistin kosovar në majë të artit bashkëkohor, ndër to.
Revista e njohur amerikane ‘Vogue’, The New York Times, Apollo, The Cult 100
Instalacioni skulptural i artistit Petrit Halilaj, në terracën e Muzeut Metropolitan të Artit, në New York, është i hapur për publikun prej 30 prill deri më 27 tetor 2024.
Instalacioni i komisionuar nga MET Abetare është i njëmbëdhjeti në serinë e krijimeve të komisionuara për ambiente të hapura.
Rreth Artistit
Petrit Halilaj është artist kosovar i lindur në vitin 1986, që përjetoi luftën në rajonin e Ballkanit gjatë viteve 1990.
Pas një periudhe formuese në Itali, ku studioi artin në Akademine di Brera në Milan, ai u shpërngul në Berlin në vitin 2008, ku ende jeton dhe punon.
Projektet e tij përfshijnë një portfolio të lloj-llojshme, skulpturë, vizatim, poezi dhe performancë. Shpesh duke inkorporuar rrëfime historish nga vendlindja e tij dhe duke i manifestuar ato si instalacione të mëdha dhe ambicioze, puna e tij shndërron marrëdhëniet personale, kujtimet dhe përvojat në skulptura.
Puna e Halilajt ka fituar njohje ndërkombëtare me ekspozita të rëndësishme të mbajtura në Ocean Space të TBA21-Academy, Venedik (2023); Tate St Ives (2021); Museo Reina Sofia, Madrid (2020); Paul Klee Zentrum, Bernë (2018); Fondazione Merz, Turin (2018), Neë Museum, Neë York (2017); Hangar Bicocca, Milan (2015); Kölnischer Kunstverein, Cologne (2015); Bundeskunsthalle, Bonn (2015). Në vitin 2013, ai përfaqësoi vendin e tij në paviljonin e parë të Kosovës në Bienalen e Venedikut. Në vitin 2022, ai mori pjesë në Manifesta 14 që u mbajt në Prishtinë, Kosovë. Në nëntor 2023, një retrospektivë e punës së tij u hap në Museo Tamayo, Mexico City. Instalacioni i komisionuar në MET i Petrit Halilajt, Abetare është konceptuar nga artisti, në konsultim me Iria Candela, kuratoren e Estrellita B. Brodsky të Met-it për Artin Latin Amerikan në Departamentin e Artit Modern dhe Bashkëkohor.
Ekspozita shoqërohet nga një publikim që përfshin një intervistë mes Halilajt dhe Candelas, dhe një shkrim nga David Breslin, Kuratori i Leonard A. Lauder në Departamentin e Artit Modern dhe Bashkëkohor në Met. Publikimi do të jetë në shitje në Dyqanin e Met-it. Katalogu është mundësuar nga Fondacioni i Mary dhe Louis S. Myers. Programet të tjera edukative do të postohen në faqen e internetit të Met-it sapo të jenë gati.
Seria e punëve të komisionuara në Terracën Iris dhe B. Gerald Cantor në MET, ka përfshirë punë nga Imran Qureshi (2013), Dan Graham (2014), Pierre Huyghe (2015), Cornelia Parker (2016), Adrián Villar Rojas (2017), Huma Bhabha (2018), Alicja Këade (2019), Héctor Zamora (2020), Alex Da Corte (2021), dhe Lauren Halsey (2023). ‘Abetare’ e Petrit Halilajt do të prezantohet në uebfaqen e MET, si dhe në Facebook, Instagram dhe Twitter përmes etiketave #CantorRoof dhe #MetPetritHalilaj.
Ekspozita e artistit Petrit Halilaj në MET mbështetet nga Bloomberg Philanthropies.
Mbështetje shtesë i është dhënë edhe nga Fondacioni Diane W. dhe James E. Burke, Cynthia Hazen Polsky dhe Leon B. Polsky, dhe Fondacioni Edward John & Patricia Rosenwald.