Intervistë | Komisionerja Sogojeva flet për ‘të dhënat personale’ të veteranëve, e sanksionet ndaj institucioneve - NACIONALE

Intervistë | Komisionerja Sogojeva flet për ‘të dhënat personale’ të veteranëve, e sanksionet ndaj institucioneve

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Komisinerja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, Krenare Sogojeva-Dërmaku, në një intervistë për Nacionale ka folur për publikimin e të dhënave të veteranëve, gjobat për institucionet që nuk ofrojnë qasje në dokumente publike.

Privatësia ende duket një term i vagullt për një pjesë të shoqërisë, medieve dhe fatkeqësisht edhe institucioneve tona.

Për mbrojtjen e privatësisë dhe të drejtës së informimit, bëmë një intervistë me Komisioneren Krenare Sogojeva-Dërmaku.

Ajo ishte përfolur se kishte lidhje me partinë në pushtet, Vetëvendosjen, por këto ‘përfolje’ i ka mohuar duke treguar se punon me profesionalizëm.

Para disa ditësh, bëri bujë lajmi se Agjencia në fjalë kishte dënuar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të drejtuar nga Donika Gërvalla Schwarz me 13 mijë euro për mos-ofrimin e qasjes në dokumente zyrtare për një gazetë vendore. Ato dokumente do të duhej të zbulonin shumën e shpenzuar për derivate të naftës nga Zotëriu i Parë, Prindon Sadriu.

Më poshtë mund ta lexoni intervistën e plotë:

Nacionale

Vite më parë, u publikuan nga Prokuroria emrat dhe numrat e leternjoftimit të qytetarëve të cilësuar si “veteranë të rrejshëm”. A mendoni se ka pasur shkelje të privatësisë në këtë rast? Nëse po, çka duhet të bëjnë këta qytetarë që ta adresojnë këtë problem?

Sogojeva-Dërmaku

Në periudhën të cilën ju i referoheni, ish- Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale nuk ka qenë funksionale dhe ja ka pamundësuar veprimin konkret sepse ishte në fazën kur asaj i ka munguar mekanizmi i mandatuar për të zhvilluar inspektime dhe për të marrë veprimet dhe vendimet e duhura. Kjo për faktin se Këshillit të Agjencisë i kishte përfunduar mandatin 5 vjeçar dhe nuk iu është vazhduar mandati dhe se ende nuk ishte bërë emërimi i Këshillit të ri. Me ndryshimet ligjore të vitit 2019 është paraparë një strukturë dhe mekanizëm tjetër që ka mandat dhe kompetencë për të zhvilluar inspektime dhe kontrolle.

Me datë 06.07.2022 Agjencia për Informim dhe Privatësi u ka bërë thirrje të gjitha institucioneve, mediave të shkruara dhe elektronike dhe qytetarëve të mos i publikojnë listat me të dhënat personale të Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, deri në vendimin përfundimtar të nxjerrë nga organet e Drejtësisë.

Nacionale

Në komunat veriore dhe ato të banuara me shumicë serbe janë vendosur kamera rrugëve të qytetit. Kamera të njëjta janë vendosur edhe në qytetet tjera të Kosovës. Si është e përcaktuar kjo dhe a përbën shkelje të privatësisë?

Sogojeva-Dërmaku

Vendosja e kamerave të cilat vëzhgojnë hapësirat publike është në kompetencën e Policisë sipas Ligjit Nr.04/L-076 për Policinë përcakton se:

Policia është e autorizuar t’i përdorë incizimet video-akustike dhe fotografitë për të vëzhguar dhe mbledhur informacione në një tubim publik atëherë kur ka arsye të bazuar se tubimi publik mund t’i rrezikoj personat apo pronën.

Para se të ndërmerret vëzhgimi parandalues, në përputhje me këtë nen, policia do ta informoj publikun për qëllimin dhe arsyen e ndërmarrjes së këtij aktiviteti, përveç nëse kjo mund ta pengoj qëllimin apo rezultatin e vëzhgimit.

Incizimet, video dhe audio, nga vëzhgimi parandalues do të mbahen jo me gjatë se tridhjetë (30) ditë nga dita e incizimit, përveç kur pas kontrollimit, verifikohet se incizimi përmban të dhëna për veprimtari kriminale. Mbajtja e këtyre të dhënave më gjatë se kjo periudhë bëhet vetëm në rastet e parapara me ligjin në fuqi. Monitorimin e sistemit të vëzhgimit me kamerë e bënë kontrolluesi i të dhënave personale, në këtë rast vetëm Policia e Kosovës (për hapësirat publike), duke ndërmarr të gjitha masat e duhura organizative, teknike dhe procedurale për sigurinë e përpunimit të të dhënave personale të përcaktuara sipas legjislacionit përkatës.

Agjencia për Informim dhe Privatësi, në kuadër të planit të saj, deri më tani ka realizuar inspektime sipas detyrës zyrtare sa i përket vëzhgimit me kamerë në hapësira publike në Pejë, Prishtinë, Gjilan, Gjakovë, Ferizaj, Prizren, Shtërpce, Fushë Kosovë, Ranilluk, Partesh, Lipjan, Graçanicë. Për shumicën nga këto komuna, tashmë kemi nxjerrë vendime, të cilat janë publike në ëeb-faqen e AIP-së. Të tjerat janë në proces të hartimit të raportit. Në momentin e përmbylljes së raporteve, AIP do të dal me vendime përfundimtare, për të cilat do të njoftoheni me kohë.

AIP, sipas planit do të shtrijë autoritetin e vet të zbatimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës, për sa i përket inspektimeve në hapësirat publike, brenda këtij viti.

Nacionale

Qeveria dhe institucionet publike të tjera në Kosovë nuk e respektojnë Ligjin për qasje në dokumente publike. Sa raste ka trajtuar AIP dhe sa gjoba janë shpërndarë deri më tani? Na tregoni cilat institucione?

Sogojeva-Dërmaku

Nga Janari i vitit 2022 ka trajtuar 153 lëndë. Një ndër parimet bazë të funksionimit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi është ushtrimi i funksioneve dhe kompetencave në mënyrë transparente dhe llogaridhënëse para publikut. Për më tepër, një ndër parimet bazë të funksionimit të punës sonë është komunikimi i hapur me publikun, mediat dhe shoqërinë civile brenda asaj që e përcakton ligji. Sikurse, ju informojmë se të gjitha kërkesat trajtohen në mënyrë profesionale dhe mbi bazën e fakteve. Lidhur me secilin vendim të miratuar nga Agjencia për qasje në dokumente publike apo mbrojtjen e të dhënave personale, ju lutem referohuni tek faqja zyrtare e Agjencisë, ku mund të i gjeni të njëjtat si më poshtë:

Nacionale

Çka po bën AIP në parandalimin e ‘Përpunimin e të dhënave personale për qëllim të marketingut të drejtpërdrejtë’? A është dhënë ndonjë gjobë deri më tani?

Sogojeva-Dërmaku

Agjencia për Informim dhe Privatësi në mënyrë të vazhdueshme ka mbikëqyrë zbatimin e ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale në këtë fushë, respektivisht përmes inspektimeve dhe kontrolleve në bazë të ankesave të pranuara, ka siguruar që aplikimi i marketingut të drejtpërdrejtë të jetë në harmoni me parimet e përpunimit të të dhënave personale.

Në bazë të kompetencave për mbikëqyrjen e Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia me vendim urdhëron kontrolluesit dhe përpunuesit e të dhënave personale që të shkatërrojnë të dhënat personale, të grumbulluara pa pëlqimin e subjektit të të dhënave me qëllim të realizimit të marketingut të drejtpërdrejtë, si dhe këshillon që aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë ta harmonizojnë me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Pas lëshimit të urdhrit të lartcekur, nëse kontrolluesit ose përpunuesit e të dhënave personale, përsërisin shkeljen e njëjtë, pra kur për të njëjtin biznes kemi ankesë të ngjashme për aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë në kundërshtim me parimet e përpunimit të të dhënave personale, Agjencia për Informim dhe Privatësi shqipton masat sanksionuese, respektivisht gjobat e parapara me Ligjin Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Agjencia, ka pranuar gjithsej katërmbëdhjetë (14) ankesa për aplikimin e marketingut të drejtpërdrejtë, për të cilat ka lëshuar Vendime urdhëruese për shkatërrim dhe ndalim, ndërsa një nga to ka rezultuar me gjobë për shkak të mos zbatimit të vendimit urdhërues dhe përsëritjes së shkeljes së dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Nacionale

Është raportuar se ju znj. Sogojeva-Dërmaku keni lidhje me partinë në pushtet, Vetëvendosjen. Cila është e vërteta e këtyre raportimeve?

Sogojeva-Dërmaku

Unë ushtroj funksione publike tanimë për më shumë se 15 vite karrierë në sektorin publik, kryesisht në pozita të larta në Ministrinë e Mbrojtjes. Procesi lidhur me emërimin tim në pozitën aktuale është monitoruar nga shoqëria civile. Se procesi dhe emërimi im është përcjellë me meritokraci është raportuar si nga shoqëria civile ashtu edhe partnerët ndërkombëtare. Ajo çka mund të konfirmoj dhe siguroj publikun është fakti se unë nuk kam lidhje me asnjë parti politike në Kosovë, dhe se detyrat dhe përgjegjësitë e mia i ushtroj vetëm duke u bazuar në ligjin dhe procedurat në fuqi, dhe me transparencë të plotë aq sa e lejon ligji.

Nacionale

Si duhet të mbrohemi nga ekspozimi i të dhënave personale?

Sogojeva-Dërmaku

Qytetarët duhet të kenë kujdes të shtuar kur japin të dhënat e tyre personale, se cilat kategori të dhënash i ofrojnë, duhet të kërkojnë informacione nga kontrolluesit e të dhënave se si përpunohen ato, mbi cilën bazë ligjore, për cilat qëllime përpunohen ato. Qytetarët nuk duhet të ekspozojnë/publikojnë të dhënat e tyre personale në rrjete sociale apo platforma publike pasi në ato të dhëna lehtë mund të kenë qasje persona të paautorizuar apo edhe persona keqbërës.

Lajme të ngjashme