Pas Shtërpcës, a do t’i largojë shteti edhe kamerat që kontrollohen nga Beogradi në Veri? - NACIONALE

Pas Shtërpcës, a do t’i largojë shteti edhe kamerat që kontrollohen nga Beogradi në Veri?

1 vit më parë

nga Besian Beha

U lavdërua e u cilësua shumë i suksesshëm aksioni i Prokurorisë së Ferizajt në Shtërpcë, ku u larguan të gjitha kamerat e strukturave paralele serbe.

Megjithtë, një numër kamerash të cilat dyshohet se monitorohen gjithashtu nga strukturat serbe dhe bartin sinjal në Beograd, ekzistojnë edhe në disa komuna në pjesën veriore të Kosovës.

Policia e Kosovës dhe institucionet e tjera, e kishin konfirmuar kohë më parë se nuk kanë qasje në monitorimin e këtyre kamerave në pjesën e veriut. Për këtë kishte raportuar edhe mediumi Kallxo.com

Megjithatë, në një konferencë për media muaj më parë, ish-Kryeprokurori, Aleksandër Lumezi e drejtori i Policisë, Samedin Mehmeti, nuk kishin pranuar të përgjigjen konkretisht për këtë temë.

“Fillimisht dua të them se nuk do të lejojmë që asnjë zyrtar shtetëror të jetë mbi ligjin. Të gjithë ata që i shkelin ligjet e këtij vendi do të përballen me drejtësinë dhe do ta ndjenjë forcën e shtetit”, kishte thënë Lumezi në një konferencë për media muaj më parë.

Megjithatë, a do të ketë fuqi shteti i Kosovës të ndërhyjë në veriu, siç bëri edhe në Shtërpcë?

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala kërkon që shteti të ndërhyjë në secilën pjesë të territorit, për të vendosur rend dhe ligj.

Sipas Shalës, Kosova i ka të gjitha informacionet e nevojshme për shkeljen e ligjit në gjithë territorin.

“Në lidhje me heqjen e kamerave të sigurisë që janë të vendosura në kundërshtim me normat ligjore në veri të vendit, institucionet duhet sa me parë që jepet hapësira e veprimit të ndërhyjnë dhe të largohen gjitha ato kamera që nuk kanë marrë leje nga autoriteti përkatës i institucioneve të Kosovës”

“Sa i përket kohës dhe mënyrës së veprimit duhet analizuar edhe rrethanat tjera që mund të marrin organet e rendit nga rrugët operative për shkallën e rrezikshmërisë dhe kështu të përgatitet një plan adekuat për ndërhyrje në pjesën veriore por edhe në komunat tjera që nuk respektojnë normat”, ka thënë Drizan Shala për gazetën Nacionale.

Për kamera të tilla, ka pasur dyshime se ka në Mitrovicë të Veriut, Zveçan e Zubin Potok.

Vuçiqi konfirmoi se i përcjellë kamerat

Se ka qasje në disa incizime në pjeën veriore të Kosovë, e kishte konfirmuar edhe vet presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kjo pasi që i njëjti në një konferencë të thirrur për media, shfaqi disa pamje të rrugëve nën pretendimin se në Komunën e Mitrovicës Veriore kanë kaluar pjesëtarë të Forcave të Sigurisë së Kosovës.

Ai i ishte referuar një dokumenti se FSK nuk lejohet të kaloj në zonën e veriut të Kosovës pa marrë një miratim nga kryetarët e komunave serbe por edhe nga NATO.

“Këtu nuk kanë çfarë të kërkojnë, nuk kanë marrë pëlqimin e asnjërit prej kryetarëve të veriut. Ata hyjnë në Mitrovicën e Veriut nga jugu vetëm për të provokuar qytetarët, nuk u intereson se çfarë do të thotë NATO, sepse NATO-ja do ta tolerojë. Ata do të provokojnë një reagim serb dhe do të akuzojnë serbët për çdo incident”, kishte thënë Vuçiq para gazetarëve, derisa kishte publikuar pamjet e kamerave.

Kamerat që u larguan në Shtërpcë

Përderisa në pjesën veriore të vendit, këto kamera funksionojnë pa problem, sinjali nga Shtërpca nuk do t’i shkojë më presidentit serb.

Kjo pasi me një urdhër të Prokurorisë së Ferizajt, janë larguar të gjitha kamerat që dyshohet se ishin instaluar nga strukturat paralele të Serbisë.

Prokurori Rasim Maloku kishte thënë se të gjitha këto kamera janë sekuestruar.

“Lokacione ku janë të vendosur kamerat e sigurisë në mesin e këtyre lokacioneve është edhe objekti i komunës së strukturave paralele dhe ilegale, kanë me u sekuestru të gjitha, edhe nja katër lokacione ku janë të vendosura kamerat e sigurisë e që monitorohen dhe kontrollohen nga strukturat ilegale. Veprojnë në mënyrë kundërkushtetuese, në mënyrë ilegale”, kishte thënë Rasim Maloku.

Në lidhje me këtë kishte pasur reagime edhe në Beograd. Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi.

Ata aksionin e sotëm e kanë quajtur të qëllimshëm për të frikësuar serbët në Komunën e Shterpcës.

“Edhe pse njësitë nga Prishtina e dinë shumë mirë se kamerat, të cilat janë instaluar ligjërisht para gati dhjetë vjetësh, nuk kanë qenë në funksion për një kohë të gjatë dhe këtë e kanë kontrolluar disa herë në ditët e kaluara, kjo ka shërbyer si arsyetim për ta pushtojnë sërish Shtërpcën, të ngacmojnë njerëzit që nuk mund të funksionojnë normalisht”, thuhet në reagim.

Në anën tjetër, zyrtarët e pushtetit vazhdimisht janë krenuar me shtrirjen e sovranitetit edhe në pjesën veriore të vendit.

“Lufta jonë ndaj ilegaliteteve që cënojnë jetën e qytetarëve tanë nuk ka alternativë. Dita e sotme shënohet me plot suksese në zbatimin e ligjit dhe me plot dëshpërim për shkelësit e tij”, ka shkruar ministri Sveçla pas aksionit në Shtërpcë.

Lajme të ngjashme