“Barazia gjinore”: Nga 14 dekanë, veç një grua në Universitetin e Prishtinës
Universiteti i Prishtinës ditën e djeshme ka përfunduar me procesin e zgjedhjes së dekanëve të rinj.
Megjithatë, ajo që duket shqetësuese është se nga 14 dekanë të përzgjedhur, vetëm një grua është përzgjedhur në këtë pozitë.
Gruaja e vetme që është votuar për dekante është profesoresha Violeta Nushi në Fakultetin e Arkitekturës.
Këta janë dekanët e tjerë që u votuan:
1. Fakulteti i Arkitekturës: Prof. Violeta Nushi
2. Fakulteti i Arteve: Prof. Hazir Haziri
3. Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë: Prof. Arben Musliu
4. Fakulteti i Edukimit: Prof. Blerim Saqipi
5. Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit: Prof. Florian Miftari
6. Fakulteti Ekonomik: Prof. Driton Balaj
7. Fakulteti i Filologjisë: Prof. Abdulla Rexhepi
8. Fakulteti Filozofik: Prof. Bekim Baliqi
9. Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike: Prof. Isak Shabani
10. Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike: Prof. Mirlind Bruçi
11. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit: Prof. Florim Grajçevci
12. Fakulteti Juridik: Prof. Avni Puka
13. Fakulteti i Mjekësisë: Prof. Sefedin Muçaj
14. Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore: Prof. Kajtaz Bllaca
Për këtë ka njoftuar edhe Universiteti i Prishtinës duke e vlerësuar proces të suksesshëm.
UP përfundon me sukses procesin e zgjedhjes së dekanëve të rinj
“Sot, në Universitetin e Prishtinës, është zhvilluar procesi i zgjedhjes së dekanëve të rinj në katërmbëdhjetë fakultetet e ndryshme të universitetit. Procesi është zhvilluar në mënyrë të rregullt, të qetë dhe ka rezultuar në zgjedhjen e suksesshme të dekanëve”, thuhet në komunikatë.
Kritika të ashpra pati edhe gjatë kësaj jave pasi në Këshillin e Etikës që po e trajton rastin e Xhevat Krasniqit, të gjithë anëtarët ishin burra.
Organizatat e ndryshme të shoqërisë civile kanë vlerësuar se kjo është shenjë që as në institucionin më të lartë të arsimit në vend, nuk ka barazi gjinore.
Pezullimi i profesorit të dyshuar për ngacmim
Profesori Xhevat Krasniqi është pezulluar nga puna.
Kështu ka bërë të ditur rektorati i Universitetit të Prishtinës.
“Mbi bazën e vendimit të Këshillit të Etikës dhe rekomandimit drejtuar Rektoratit, Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, sipas kornizës normative përkatëse, derisa të përfundojnë veprimet hetuese nga ana e prokurorisë se shtetit”, thuhet në njoftim.
Këshilli i Etikës ka propozuar që rasti të procedohet edhe në hetuesi.
“Këshilli i Etikës i rekomandon Rektoratit që çështjen e referuar kundër Prof. Xh.K. ta procesojë edhe formalisht në organet e hetuesisë dhe të bashkëpunojë me to”, thuhet aty.
“Këshilli i Etikës i Universitetit të Prishtinës refuzon sulmet brutale nga persona brenda dhe jashtë UP-së dhe kërkon përmbajtje dhe rezervim nga çfarëdo ndërhyrje dhe sulm ndaj UP-së, sidomos nga vetë anëtarët e stafit të UP-së. Me datë 22 prill, Këshilli i Etikës është sulmuar në mënyrën më të ashpër, pa arsye dhe në baza personale nga individë, të saktësuar në Vendimin e Këshillit të Etikës, që rezulton të jenë staf i portaleve, gazetarë, përfaqësues të OJQ-ve dhe staf akademik i UP-së.”
Profesori i Edukimit, Xhevat Krasniqi ishte denoncuar nga 27 studente se i kishte ngacmuar seksualisht ato.