Flet prokurori që lëshoi urdhër-arrestin: Radojiçiqi nuk ka hyrë në Kosovë përmes rrugëve ligjore
Prokurori i rastit Brezovica, Rasim Maloku, ka dhënë detaje për gazetën Nacionale, pas videos së postuar nga nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Maloku që ka lëshuar urdhër-arrest për Radojiçiqin si i dyshuar për frikësim të dëshmitarëve në rastin Brezovica, ka thënë se kjo kërkesë ende është aktive.
Ai ka thënë se ende nuk e kanë verifikuar, nëse Radojiçiq vetëm ka hyrë në Kosovë, apo videoja është e mëhershme.
“Po, ai është ende i kërkuar. Qysh ka hi, a ka hi apo jo, ato çështje janë të policisë. Do të verifikojë. Urdhër arresti është aktiv”, ka thënë Maloku për Nacionalen.
Maloku është shprehur i bindur se Radojiçiq nuk ka hyrë nëpërmjet rrugëve ligjore në Kosovë.
“Me Policinë na kanë njoftuar, por janë procedurat të veprimit ato tash. Ne nuk mundemi me e ndjek nëpër male në veri, por ndoshta nuk ka qenë fare dhe ajo video është postuar më herët me provoku. Në rrugë ligjore ai nuk ka hyrë në Kosovë, mbetet me u verifiku”, ka thënë Maloku për gazetën Nacionale.
“Kudo që haset nga Policia, ai do të arrestohet”, ka thënë Maloku.
Rrezik për sigurinë
Është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Tash, dyshohet për frikësim të dëshmitarëve në rastin Brezovica. U arratis tri herë nga Policia e Kosovës. Me kaq pak fjali, mund të përshkruhet figura e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala e vlerëson si shqetësues faktin që Radojiçiq paraqitet lirshëm nga territori i Kosovës.
“Pra video e publikuar nga medium serb ku shihet i apostrofuari duhet të analizohet se kur është bërë video, në cilën periudhë por edhe ana tjeteër dihet që rruget ilegale në veri të vendit është problem të monitorohen në aspektin statik. Dhe personi në fjalë ka gjithë mekanizmin e ti kriminal strukturuar në dispozicion për të gjetur depertim në territorin e vendit”, thotë Shala për Nacionalen.
Shala ka kërkuar edhe bashkëpunim të Qeverisë me Kuvendin, dhe presion politik, që Radojiçiq të kapet.
“Është me rëndesi që Milani nuk ka tentuar të hy në qytetin e Mitrovicës nga frika që mos po indetifikohet nga organet e sigurisë të cilët janë bukur aktive dhe prezent në atë pjesë, por ka përzgjedhur që të qendrojë sipas videos në Leposaviq dhe atë jo ne qytet, por në pjesen malore. Kjo po jep një mesazh që nënkryetari i këtij subjekti politik e di që në momentin që levizë në qytet do mund të arrestohet dhe të vihet para drejtësisë”, ka thënë Shala për Nacionalen.
Arratisjet e Milanit
Milan Radojiçiq i njohur si bosi i veriut bashkë me Zvonko Veselinoviqin, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E të zeza po del se janë edhe aksionet për ta arrestuar Radojiçiqin. Kjo pasi asnjë prej tyre, nuk ka realizuar me sukses.
Në nëntorin e vitit 2018, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për të arrestuar disa persona për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. U arrestuan disa persona, por sërish ‘çuditërisht’ në banesën e tij nuk u gjet Milan Radojiçiq. Ai arriti të arratiset.
Megjithatë, urdhër-arresti i gushtit të vitit 2020 për Radojiçiqin, ishte anuluar më 23 shkurt të vitit 2021. Kjo pa asnjë arsyetim, e as sqarim për publikun se si ndodhi.
Kurse, në fillim të shkurtit të këtij viti, Milan Radojiçiq kishte mësyrë Kosovën nga pika kufitare në Bërnjak. Pasi u ndalua nga Policia e Kosovës, ai e ktheu veturën dhe iku nga vendi i ngjarjes. Kamerat në atë kohë nuk po punonin, si rezultat disa policë u suspenduan. Por, ata pas pak ditësh sërish u kthyen në vendin e ngjarjes. Edhe një arratisje kjo e të fortit të veriut.
Videoja e Milanit nga kodra
Në një video të postuar në Youtube, ai ka thënë se nuk ka më kthim prapa dhe se nuk do të zbrapset më.
Në video mesazhin 32 sekondësh, nënkryetari i Listës Serbe ka theksuar se terrori kundër popullit serb po fillon.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq nga Leposaviqi.