Bosi i Veriut dhe shfaqja nën frikë nga kodra – Heshtje totale nga institucionet për Radojiçiqin
Është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte i dyshuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Tash, dyshohet për frikësim të dëshmitarëve në rastin Brezovica. U arratis tri herë nga Policia e Kosovës. Me kaq pak fjali, mund të përshkruhet figura e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiçiq.
Edhe pse i kërkuar nga Prokuroria e Kosovës, ai mbrëmë u shfaqë nga një kodër që u tha se është në pjesën veriore të Kosovës. Aty ai paralajmëronte rikthimin dhe betejën e tij “për të mirën e popullit serb”.
Radojiçiq që është sanksionuar nga Amerika, dyshohet për frikësim dhe ndikim te dëshmitarët për rastin e ndërtimeve në Brezovicë. Në listën e të kërkuarve ai u fut nga Prokuroria e Ferizajt, më saktësisht prokurori Rasim Maloku.
Gazeta Nacionale nga mëngjesi ka tentuar të kontaktojë me Malokun por edhe kryeprokurorin e Ferizajt, Shukri Jasharin, por asnjëri nga ata nuk e ka hapur telefonin.
Javë më parë në një prononcim për Nacionalen, Rasim Maloku paralajmëronte se posa të afrohet në territorin e Kosovës, Radojiçiq do të arrestohet. Kjo pasi ai kishte arritur të ikë nga pika kufitare në Bërnjak, pasi ishte ndaluar nga Policia e Kosovës.
Disa policë u suspenduan për disa ditë, e më pas u kthyen në punë,pasi në ato momente kamerat ‘çuditërisht’ nuk kishin punuar.
“Kena marrë hetime edhe ndaj policëve, mirëpo tash për tash nuk ka asgjë konkrete. IPK po bën hetime edhe ndaj atyre. Ende vlen urdhri, deri afër mundet me u afru, si te nxajna e arrestojmë”, kishte thënë javë më parë për Nacionalen prokurori Maloku.
Gazeta Nacionale ka drejtuar pyetje edhe te Policia e Kosovës për të parë nëse kanë nisur hetimet se si ka hyrë Milan Radojiçiq në Kosovë, por as ata nuk kanë kthyer përgjigje.
Në anën tjetër, eksperti i sigurisë Drizan Shala e vlerëson si shqetësues faktin që Radojiçiq paraqitet lirshëm nga territori i Kosovës.
“Pra video e publikuar nga medium serb ku shihet i apostrofuari duhet të analizohet se kur është bërë video, në cilën periudhë por edhe ana tjeteër dihet që rruget ilegale në veri të vendit është problem të monitorohen në aspektin statik. Dhe personi në fjalë ka gjithë mekanizmin e ti kriminal strukturuar në dispozicion për të gjetur depertim në territorin e vendit”, thotë Shala për Nacionalen.
Shala ka kërkuar edhe bashkëpunim të Qeverisë me Kuvendin, dhe presion politik, që Radojiçiq të kapet.
“Është me rëndesi që Milani nuk ka tentuar të hy në qytetin e Mitrovicës nga frika që mos po indetifikohet nga organet e sigurisë të cilët janë bukur aktive dhe prezent në atë pjesë, por ka përzgjedhur që të qendrojë sipas videos në Leposaviq dhe atë jo ne qytet, por në pjesen malore. Kjo po jep një mesazh që nënkryetari i këtij subjekti politik e di që në momentin që levizë në qytet do mund të arrestohet dhe të vihet para drejtësisë”, ka thënë Shala për Nacionalen.
Arratisjet e Milanit
Milan Radojiçiq i njohur si bosi i veriut bashkë me Zvonko Veselinoviqin, është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. E të zeza po del se janë edhe aksionet për ta arrestuar Radojiçiqin. Kjo pasi asnjë prej tyre, nuk ka realizuar me sukses.
Në nëntorin e vitit 2018, Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion për të arrestuar disa persona për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. U arrestuan disa persona, por sërish ‘çuditërisht’ në banesën e tij nuk u gjet Milan Radojiçiq. Ai arriti të arratiset.
Megjithatë, urdhër-arresti i gushtit të vitit 2020 për Radojiçiqin, ishte anuluar më 23 shkurt të vitit 2021. Kjo pa asnjë arsyetim, e as sqarim për publikun se si ndodhi.
Kurse, në fillim të shkurtit të këtij viti, Milan Radojiçiq kishte mësyrë Kosovën nga pika kufitare në Bërnjak. Pasi u ndalua nga Policia e Kosovës, ai e ktheu veturën dhe iku nga vendi i ngjarjes. Kamerat në atë kohë nuk po punonin, si rezultat disa policë u suspenduan. Por, ata pas pak ditësh sërish u kthyen në vendin e ngjarjes. Edhe një arratisje kjo e të fortit të veriut.
E ikja e tretë po del se ndodhi këtyre ditëve, kur Radojiçiq u fut në pjesën veriore të Kosovës nga ku edhe realizoi një video.
Videoja e Radojiçiqit nga kodra
Zyrtarisht është në kërkim nga shteti i Kosovës. Megjithatë, Milan Radojçiq po qëndron në Kosovë. Dhe pa asnjë frikë për kapjen nga Policia, ai ka postuar një video në të cilën tregon se rikthyer në atë që ai e quan “Kosovë e Metohi”. Pra, shteti i Kosovës për të tretën herë bjen nga provimi për të kapur Radojçiqin.
Në një video të postuar në Youtube, ai ka thënë se nuk ka më kthim prapa dhe se nuk do të zbrapset më.
Në video mesazhin 32 sekondësh, nënkryetari i Listës Serbe ka theksuar se terrori kundër popullit serb po fillon.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq nga Leposaviqi.
Nënkryetari i Listës Serbe është njëri i “fortë” i krimit. Për këtë, ai është në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Për më shumë, Radojçiq, është edhe në kërkim për rastin e Brezovicës, ky dyshohet nga Prokuroria e Ferizajt për krim frikësim të dëshmitarëve.

