Përfundon protesta në Mitrovicë të Veriut, veç 12 veta marrin pjesë - organizatorët fajësojnë Listën Serbe
Sot në Mitrovicë të Veriut është planifikuar të mbahet edhe një protestë kundër nënshkrimit të udhërrëfyesit. Kjo protestë është thirrur pasi në Bruksel u nënshkruar një marrëveshje e re, e cila parasheh faturimin e shpenzimeve elektrike për serbët në veri. Protesta që filloi rreth orës 19:00, tashmë ka përfunduar.
Nacionale tashmë gjendet në Mitrovicën e Veriut, vendin ku pritet të organizohet protesta. Në fakt, protesta ishte planifikuar të fillonte në ora 19:00.
Por, siç njofton gazetarja e Nacionales, Anita Nikaj, deri më tani gjithçka është qetë. Përveç këngëve nacionaliste, janë shumë pak protestues të mbledhur, teksa shumica e serbëve të asaj pjesë po vazhdojnë ditën normalisht.
Madje, qytetarët serbë kanë prerë edhe një torte, gjersa po festonin një ditëlindje në njërën nga kafiteritë e qytetit.

“Protesta është paralajmëru me u mbajt në ora 19:00. Krejt çfarë ka është që njerëzit janë nëpër kafe. Ka tepër pak njerëz të pranishëm në shesh t’u pritë. Organizatorët nuk po duken të kënaqur me pjesëmarrjen. Janë 10-20 njerëz që po protestojnë, për momentin ka tepër pak protestues. Njerëzit tjerë janë nëpër kafe, fëmijët po luajnë, do torte të ditëlindjes t’u festu një ditëlindje”, raporton gazetarja Nikaj.
E një nga organizatorit ia ka hedhur fajin Listës Serbe për dështimin e protestës.
“Shumë njerëz do të na ishin bashkuar, nëse nuk do të ishte Lista Serbe dhe presionet që janë duke i bërë”, tha gjatë fjalit të tij.
Lëvizja Qytetare Serbe për Qëndrim, Aleksandër Arsijeviç, që është njëri nga organizatorët e kritikoi ashpër marrëveshjen për energji të nënshkruar nga Kosova e Serbia.
"I themi jo bisedimeve pa neve dhe pa popullin. Këto bisedime janë bërë që të pasurohen vetëm disa persona të afërt me Listën Serbe", shtoi tutje ai.
“Njerëzit duhet të lirohen nga këto presione. Përmirësimin e marrëveshjes e pres nga ata që e kanë nënshkruar. Bash nga ata e kërkoj korrektimin e marrëveshjes. Do të luftojmë me mjetet e civilizuara, ne nuk jemi kundër pagesës së energjisë, por jo me këto kushte, me çmime të larta të rrymës. Çfarë do të bëjnë njerëzit që ngrohen me rrymë, fëmijët? Kjo është edhe një çështje sociale që ka kriju kjo marrëveshje”, shtoi Arsijeviç.
“Jo vetëm ne, por asnjë qytetarë nuk ka informacion se çfarë ka në këto marrëveshje”, tha ai për Nacionale.
Me gjasë pak më shumë se protestues, pati gazetarë e kameramanë, të cilët po përcjellin nga afër protestën që ende po vazhdon.

Kujtojmë që më 20 qershor u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia një udhërrëfyes që pritet të ketë impakt të menjëhershëm në jetën e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, por edhe në procesin e dialogut në Bruksel.
Për këtë çështje, Nacionale ka kontaktuar aktivistin serb nga veriu, Ognjen Gogiqin, për të rrëfyer udhën drejt impaktit të udhërrëfyesit.
Gogiq menjëherë përmend qëndrimet refuzuese të mëhershme të kryeministrit Kurti ndaj marrëveshjeve, derisa tregon se si respektimi i “çdo pike e çdo presjeje” siç tha Besnik Bislimi, ka bërë që të shmangej precedenti i rishikimit të marrëveshjeve (siç ishte premtuar nga partia në pushtet).

“Marrëveshja e Energjisë e arritur në Bruksel të martën nuk është marrëveshje e re por udhërrëfyes për zbtimin e marrëveshjeve të vitit 2013 dhe 2015. Është shumë me rëndësi të mbahet në mend ky dallim. Arritja e një marrëveshjeje të re do të krijonte precedent sipas të cilit të gjitha marrëveshjet e reja do të rishikoheshin gjatë negociatave. Kjo u shmang. Është disi befasuese që kryeministri Kurti ishte i gatshëm të vazhdonte me këto marrëveshje pasi i ka refuzuar ato në të kaluarën. Për më tepër, ai dukej se ishte refuzues i krejt procesit të dialogut pasi donte që negociatat me Serbinë të nisnin nga fillimi. “
Kjo që na tha më lart Gogiq mund të konfirmohet edhe nga fjalët e kryenegociatorit Besnik Bislimi, i cili në një intervistë të dhënë mbrëmë përmendi edhe togfjalëshin “marrëveshje gjithëpërfshirëse (finale)”. Ai u shpreh se rinegocimi i marrëveshjes i konvenonte vetëm palës serbe mënyrë që të shtyhej arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Ishte hera e parë që një anëtar i Vetëvendosjes i dilte kundër status quo-së në raportet me Serbinë duke bërë thirrje që të ecej përpara.
