Paraqitja ‘horror’ e Besnik Bislimit që duhet t’i kushtojë me vend pune - NACIONALE

Paraqitja ‘horror’ e Besnik Bislimit që duhet t’i kushtojë me vend pune

1 vit më parë

nga NACIONALE

Skandali që duhet t’i humbas vendin e punës zëvendës-kryeministrit ndodhet në pjesën e fundit të këtij shkrimi

Kur fjala “sovranitet” shqiptohet si “so-va-ra-ni-tet” nga një qytetar i thjeshtë, ky përbën thjesht një akt ofendues ndaj gjuhës shqipe. Por, kur “sovranitetit” i thotë “so-va-ra-ni-tet” një politikan që ka negociuar me Serbinë dy ditë më herët, atëherë Kushtetutën e kapin dridhmat.

Qytetarët që e duan Kosovën nuk mund të kenë fjetur mirë në mbrëmjen e 23 qershorit. Nëse mendoni se po e teprojmë, ju lusim të prisni derisa ta përfundojmë dhe pastaj jepni gjykimin.

Besnik Bislimi, Zv. Kryeministër i Kosovës, dha një intervistë për RTV Dukagjinin pas ujdisë që bëri në Bruksel me Serbinë për udhërrëfyesin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë të 2013-s dhe 2015-s.

Intervista pritej të ishte një grumbull çastesh kur Besnik Bislimi flet për çështje teknike, e pështjell e e pështjell e e pështjell, dhe zihet ngushtë që Vetëvendosje i ka ndryshuar qëndrimet. Nuk ishte kështu!

Qëndrimet

Gazetari Ermal Panduri ndoqi ‘skenarin’ e pritshmërive të lartpërmendura. U përpoq ta zinte ngushtë Zv. Kryeministrin e Kosovës me deklarime të Kryeministrit, shefit të tij, që shprehej në vitin 2018 se kompania serbe Elektrosever nuk duhej të lejohej kurrsesi që të operonte në Kosovë.

Të gjithë jemi lodhur duke përsëritur e ripërsëritur qëndrime të ndryshuara të Albin Kurtit, dhe duket se kjo lodhje e kishte ‘infektuar’ edhe njeriun e dytë të Qeverisë Kurti që e bëri një deklaratë tepër problematike.

“Me nxjerrë përfundimin se një qëndrim i vitit 2018 duhet të vlejë për vitin 2022, osht absurd. Kjo është sikur me i thanë dikujt që ka thanë në vitin 2018 “i kom 25 vjet”, pse nuk po thotë i kom 25 vjet edhe në vitin 2022.”

Kjo nënkupton, mes shumëçkaje tjetër, se Bislimi i sheh qëndrimet politike kanë afat skadence, njësoj si mallrat ushqimore. Shumica prej nesh mund të krenohen që kanë qenë parimor dhe kanë mbajtur qëndrimin për një çështje – sepse, po flasim vetëm për një çështje – por jo edhe Bislimi. Kjo shënon tamam një përmbysje vlerash, të tillë që as Friedrich Nietzsche s’mund ta kishte imagjinuar.

Natyrisht, njerëzit mund t’i ndryshojnë qëndrimet që kanë, sidomos nëse ato dëshmohen të jenë të gabuara për shkak të fakteve mbi të cilat bazohen. Por, ai nuk dha asnjë shpjegim se cilat fakte kishin ndryshuar sa i përket marrëveshjes për energjinë prej vitit 2018 kur ishte shprehur Kurti, ose prej viteve 2015 e 2013 kur ishin nënshkruar marrëveshjet dhe ishin kundërshtuar prej tij.

Siç mund ta vëreni, ai mori edhe një shembull: “Një person 25 vjeçar që në vitin 2018 thotë se është 25 vjeçar nuk mund të akuzohet për ndërrim qëndrimi në vitin 2022 kur nuk thotë më se është 25 vjeçar.”

Problemi, nëse mund ta vëreni, është se të pohosh moshën nuk nënkupton se ke pohuar qëndrim politik. E aq më pak, qëndrim politik në lidhje me marrëveshjet për energjinë.

Kur jemi te banalitetet, Bislimi u përpoq të shfaqej paksa “gjenial” përmes një kalkulimi të shpejtë të 7 x 365, por fatkeqësisht dështoi.

“Nga 2015-a deri më 2022-n janë 2300 ditë,” – i tha Bislimi, gazetarit.

Në fakt, janë 2555 ditë (2557 nëse njehim edhe vitet me nga 366 ditë).

Jo Negociata, Jo Vetëvendosje, Jo Rinegociata, Marrëveshje Finale

Bislimi e bëri edhe një tjetër veprim interesant gjatë mbrëmjes së kaluar: përvetësoi fjalorin e ish pushtetarëve që i kishte akuzuar dikur.

Lexojeni se çka tha:

“Në vitin 2022, ke pasë vetëm dy mundësi, të thuash se nuk e njoh marrëveshjen e 2013-s dhe 15-s, dhe futemi në rinegocim të saj, që do t’i konvenonte palës serbe, sepse ajo ka pranuar ta fus në rinegocim marrëveshjen në mënyrë që t’i humbin edhe 10 vite me pikë elemente dhe të shmangemi nga marrëveshja gjithëpërfshirëse, ose opsioni tjetër ta minimizojmë dëmin e marrëveshjeve që i kemi trashëguar, në mënyrë që të hapet rruga për marrëveshjen gjithëpërfshirëse,”

Nëse nuk ju kujtohet, po e rikujtojmë për ju: Vetëvendosje është akuzuar se përmes kundërshtimit të marrëveshjeve, i ka humbur shumë kohë Kosovës; Vetëvendosje është akuzuar se nuk po e konsideron marrëveshjen gjithëpërfshirëse (eufemizëm për marrëveshjen finale) si zgjidhje.

Nuk po komentojmë më shumë. Nëse nuk e keni kuptuar, ju ftojmë që ta rilexoni me kujdes edh një herë këtë pjesë.

Horror

Dhe, pjesa që është përtej skandalit ka të bëjë me një element thelbësor të ujdisë me Serbinë për të cilin dukej se Bislimi nuk kishte kurrfarë njohurish.

I pyetur nëse një banor shqiptar në Mitrovicë të Veriut mund të zgjedh të mos furnizohet me rrymë nga operatori serb, kryenegociatori i Kosovës që ka marrë pjesë në negociata përgjigjet si vijon:

“Në bazë të sistemit ekzistues energjetik, po them KESCO është ofrues universal i shërbimeve të furnizimit. Qysh funksionon kjo në rrafshin teknik, gjatë implementimit, duhet me i thirrë ekspertat edhe me spjegu në rrafshin teknik. Me mu duhet me folë politikisht,”

Në fakt, çështja në fjalë nuk është ndonjë teknikalitet që mund të zgjidhet nga ekspertë të fushës së energjisë por një problem thelbësisht politik që duhej zgjidhur në tavolinën e negociatave në Bruksel.

Mbetet të shihet nëse kryeministri Kurti do t’i kërkojë llogari për këtë skandal, duke qenë se ai vetë shprehej që me Serbinë “asnjë çështje nuk ishte teknike”. E meqë asnjë çështje nuk është teknike, si mund të lihen shqiptarët në Mitrovicë të Veriut – e me këtë edhe so-va-ra-ni-te-ti - në duart e teknikëve të rrymës?

Lajme të ngjashme