Raporti balistik që pritet të administrohet në gjykimin për vrasjen e trefishtë në Gllogjan
Një raport i ekspertizës balistike, i cili ndodhej në shkresat e lëndës, por nuk ishte propozuar për administrim si provë, do të trajtohet gjatë gjykimit të rihapur për vrasjen e trefishtë në Gllogjan.
Dokumentet e siguruara nga Nacionale përmbajnë të dhëna për ekzaminimin e një fisheku dhe 13 gëzhojave të gjetura në vendin ku, sipas Policisë, Kreshnik Mehmetaj shihet në një videoincizim duke shtënë me armë.
Gjykimi për vrasjen e trefishtë në Gllogjan është rihapur për shkak të një çështjeje që trupi gjykues e konsideroi të domosdoshme të sqarohej para marrjes së aktgjykimit: lidhjes së pretenduar ndërmjet armës që shihet në videoincizim dhe armës së përdorur në sulmin ndaj autobusit më 26 nëntor 2021.
Vendimi për rihapjen e shqyrtimit gjyqësor u mor më 10 korrik 2026, në seancën në të cilën ishte paraparë të shpallej aktgjykimi.
Kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska, bëri të ditur se Prokuroria, në fjalën përfundimtare, kishte paraqitur pretendimin se arma me të cilën Kreshnik Mehmetaj shihet duke shtënë në bjeshkë ishte arma e përdorur në krimin në Gllogjan.
Gjatë shqyrtimit të shkresave, Gjykata konstatoi se vendi i paraqitur në videoincizim ishte kontrolluar nga Policia gjatë fazës së hetimeve. Atje ishin gjetur 13 gëzhoja dhe një fishek, të cilat ishin dërguar për ekspertizë balistike në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Raporti i ekspertizës ndodhej në dosjen e rastit, por, sipas Gjykatës, Prokuroria nuk e kishte propozuar më parë për administrim si provë.
Për këtë arsye, trupi gjykues vendosi që raporti me numër AKP 2022 2700/2022-2627, i datës 27 korrik 2022, së bashku me dokumentacionin përcjellës, të shqyrtohet gjatë gjykimit të rihapur.
Çka thuhet në dokumentin policor?
Dokumentet e siguruara përmbajnë një memorandum dyfaqësh të Policisë së Kosovës, drejtuar Prokurorisë Themelore në Pejë, në të cilin përmblidhen konstatimet e specialistit të armëve të zjarrit dhe gjurmëve të veglave në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë.
Në dokument thuhet se për ekzaminim ishin dërguar:
- një fishek i evidentuar si GZH#2;
- 13 gëzhoja të evidentuara nga GZH#3 deri në GZH#15.
Të gjitha dëshmitë ishin të kalibrit 7.62x39 milimetra.
Sipas përmbledhjes së ekspertizës, fisheku GZH#2 ishte i ndryshkur dhe i goditur në kapsollë, por nuk kishte karakteristika të mjaftueshme individuale balistike për krahasim.
Ndërkaq, për 13 gëzhojat e evidentuara nga GZH#3 deri në GZH#15 thuhet se ishin të ndryshkura, por kishin karakteristika të mjaftueshme për krahasim.
Sipas dokumentit, këto gëzhoja iu nënshtruan krahasimeve mikroskopike dhe kontrollit përmes sistemit IBIS.
Në memorandum konstatohet se 13 gëzhojat:
- nuk u përputhën me ndonjë rast nga Libraria e Rasteve të Hapura në Drejtorinë e Balistikës;
- nuk u përputhën as me tri gëzhojat e të njëjtit kalibër nga vendi i ngjarjes në rastin e Gllogjanit.
Dokumenti bën dallim ndërmjet fishekut GZH#2, për të cilin nuk kishte karakteristika të mjaftueshme individuale balistike për krahasim, dhe 13 gëzhojave, për të cilat thuhet se kishin karakteristika të mjaftueshme dhe se u krahasuan.
Raporti dhe dokumentacioni përcjellës do të administrohen gjatë vazhdimit të shqyrtimit gjyqësor.
Rasti i vrasjes së trefishtë
Halil, Kastriot dhe Kreshnik Mehmetaj akuzohen në lidhje me sulmin e 26 nëntorit 2021 ndaj autobusit që po transportonte nxënës nga Gjakova në drejtim të Deçanit.
Nga të shtënat mbetën të vrarë shoferi i autobusit, Gani Gjokaj, dhe dy nxënës 17-vjeçarë. Një person tjetër ishte plagosur rëndë.
Sipas aktakuzës, sulmi ishte kryer për motive hakmarrjeje. Kreshnik dhe Kastriot Mehmetaj akuzohen për vrasje të rëndë në bashkëkryerje, ndërsa Halil Mehmetaj për shtytje në vrasje të rëndë.
Të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë.
Ata konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.