Veteranët e vërtetë që u shpallën “të rrejshëm”: Skandali i privatësisë që s’u hetua kurrë - NACIONALE

Veteranët e vërtetë që u shpallën “të rrejshëm”: Skandali i privatësisë që s’u hetua kurrë

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Në kohën kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka riaktualizuar çështjen e pastrimit të listave të veteranëve, është diçka që nuk u riaktualizua kurrë: cenimi i privatësisë dhe shkelja e të drejtave të njeriut, me rastin e zbulimit të emrave se kush janë kinse veteranë të “vërtetë” e kush të “rrejshëm”. Gazeta Nacionale ka pyetur të gjithë akterët për një hetim që nuk u finalizua kurrë, dhe sjell detaje.

Më 16 shtator të vitit 2018, Bajram Lani ishte çuditur kur pa emrin e babait të tij, Muhametit, që u publikua si “veteran i rrejshëm”. Pavarësisht angazhimit në front në luftën për çlirim, emri i Muhamet Lanit u publikua në mesin e veteranëve që e kanë fituar këtë status pa qenë kontribues në luftë. Me njollën e “veteranit të rrejshëm”, Muhamet Lani ndërroi jetë pak ditë më parë. Njëjtë, siç vdiqën edhe dhjetëra ish-pjesëtarë tjerë të UÇK-së, emrat e të cilëve figurojnë si veteran të rrejshëm. E një rrëfim të gjithë situatës, e dha djali i Muhametit, Bajrami, në rrjetet sociale.

Pak ditë para se të ndërronte jetë, baba e mori një mirënjohje (mbase të vonuar) nga dy bashkëluftëtarë të tij, ish-komandantë, të cilët ia dorëzuan në shtëpi, te shtrati ku ai po i kalonte ditët e fundit. Mori mirënjohje nga ata që e njohin kontributin e tij, siç ua njihte edhe ai kontributin e tyre. Por, i mbeti emri në listat e veteranëve të rrejshëm. Dhe nuk është i vetmi. Ka edhe ish-ushtarë të tjerë të UÇK-së që kanë vdekur, e të tjerë që janë lodhur e plakur, ndërsa në shpinë e mbajnë etiketën e veteranit të rrejshëm, që ua vendosën institucionet e shtetit të tyre”, ka shkruar Bajram Lani në facebook.

Nëse jo dëmshpërblim për dëmin moral që iu bëri, ky shtet u ka borxh një sqarim veteranëve të vërtetë që ua ka cënuar imazhin dhe dinjitetin, që me futjen në listat e veteranëve të rrejshëm, përveç që ua baltosi kontributin e dhënë në luftë, ua mveshi edhe etiketën si dëmtues të buxhetit të shtetit. Prandaj duhet të ketë riverifikim të veteranëve. Ky është një borxh që shteti e ka ndaj atyre veteranëve që u fyen me përfshirjen e tyre qëllimshëm në listat e mashtruesve. Ky shtet i ka borxh edhe babës tem tashmë të ndjerë. I ka borxh t'ia kthejë statusin e veteranit të vërtetë”, shkroi tutje Lani në dedikimin për prindin e tij.

Çfarë ndodhi saktësisht?

Jo vetëm emri i Muhamet Lanit. Në mesin e shtatorit para 3 viteve, saktësisht më 2019, emrat e tyre në kuadër të “veteranëve të rrejshëm” i gjetën edhe shumë pjesëtarë tjetër të UÇK-së. Madje me raportimet si: “ekskluzive”, “këta janë veteranët mashtrues të rajonit të Drenicës”, “veteranët e rrejshëm nga zona e Dukagjinit”, e tituj tjerë që për disa ditë kishin dominuar opinionin publik në Kosovë.

Skandali këtu doli të ishte i shumëfishtë. E para, që veteranëve iu publikuan emrat, numrat personalë, vendlindja, madje edhe emri i prindërve. E dyta, që në kuadër të hetimeve të Prokurorisë, te veteranët që dyshoheshin se e kishin fituar statusin me dallavere, ishin futur edhe mbi 2 mijë emra të veteranëve të vërtetë. Nga shumëkush u vlerësua se ishte bërë me qëllim për ta denigruar procesin. Të gjithë këta emra bashkë, dikush si “veteran i vërtetë”, e të tjerët si “mashtrues”, kishin zënë vend nëpër ballinat e mediave.

Hetim se si dolën këta emra në publik, kishte kërkuar asokohe Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Hetimet do të bëhen për të verifikuar çdo veprim të personave zyrtarë në sistemin prokurorial dhe gjyqësor, si dhe të zyrtarëve apo personave të tjerë jashtë këtyre sistemeve, nëse të njëjtit kanë kryer vepër penale me rastin e publikimit të emrave të personave të përfshirë në listat e veteranëve apo pjesëtarëve luftëtarë të UÇK-së”, thuhej në komunikatën e lëshuar nga zyra e Prokrurorisë vite më parë.

Hetimi i dështuar

Katër vjet nga atëherë, nuk dihet se kush pati gisht në nxjerrjen në publik të këtyre emrave. Madje, nuk dihet nëse emrat e veteranëve të vërtetë, u shtuan në mesin e të tjerëve që ishin të dyshuar për manipulime. Fjala duket se nuk i eci as Kryeprokurorit Lumezi. Gazeta Nacionale fillimisht i është drejtuar me pyetje Prokurorisë në Prishtinë. Kjo e fundit kërkoi që pyetjet të adresohen tek Prokuroria Speciale. Edhe pas dy muajsh pritje, Prokuroria Speciale nuk ktheu asnjë përgjigje për Nacionalen, se çfarë kishte ndodhur me këtë hetim.

Pas gati kaq kohësh, përgjigje ktheu Agjencia për Informim dhe Privatësi. Kjo e fundit ka thënë fillimisht se nuk ka pranuar ndonjë ankesë për publikimin e emrave të veteranëve, e për këtë arsye nuk kanë zhvilluar asnjë inspektim. Megjithatë, Agjencisë për Informim dhe Privatësi në vitin 2018 i kishte shkuar një ankesë, pas së cilës ishin konstatuar disa shkelje.

Në tetor të vitit 2018, sipas kërkesës së një pale, Agjencia, në atë kohë, gjersa kishte emër dhe mandat më të kufizuar seç e ka tani, kishte lëshuar një interpretim ligjor lidhur me ligjshmërinë e përpunimit të të dhënave personale, përmes publikimit të listave me emrat e ‘veteranëve të rrejshëm’, me ç’rast ishin publikuar të dhënat personale si në vijim: emri, emri i prindit, mbiemri, datëlindja, vendlindja dhe numri personal i një numri të madh personash fizikë. Sipas këtij interpretimi të A.Sh.M.Dh.P.-së, të lëshuar në tetor 2018, publikuesit është dashur të kishin aplikuar parimin e minimizimit gjatë përpunimit (publikimit) të këtyre të dhënave personale, duke shmangur publikimin e të dhënave që nuk kanë qenë të domosdoshme, si numri personal, datëlindja, vendlindja, etj.), si dhe që publikimi i tyre do të ishte dashur të kishte pritur një vendim përfundimtar të gjykatës, pas përfundimit të procesit hetimor”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Informim dhe Privatësi dhënë gazetës Nacionale.

Dështimi i shtetit

Se shteti ka dështuar në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ruajtjen e të dhënave personale, e konfirmojnë edhe nga organizatat që qysh në vitin 2018 kishin reaguar zëshëm.

Nga Organizata e Veteranëve të Luftës e konfirmojnë se Prokuroria aso kohe kishte nisur hetimet, por që diçka konkrete nuk pati asnjëherë.

Prokuroria i ka nisur hetimet në lidhje me zbulimin e emrave se kush kanë qenë përfitues të kundërligjshëm të pensionit. Cenim të privatësisë ka pasur, dhe deklaratat e OVL-UÇK-së janë publike për këtë çështje”, deklaroi për gazetën Nacionale Faton Klinaku nga Organizata e Veteranëve të Luftës.

Të pafuqishëm për të bërë diçka më shumë ishin edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

“Ne kemi reaguar edhe për shkak të fryerjes së listave edhe për shkak të privatësisë. Ka qenë e padrejtë me u publiku emrat me të dhënat private. Por ne nuk kemi mundur të bëjmë më tepër”, u shpreh Behxhet Shala nga KDMLNj për Nacionalen.

Përderisa shumë aktive për çështjet e shamisë dhe martesave me gjini të njëjtë, Duda Balje si Kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, nuk i është përgjigjur Nacionales, për të marrë një qëndrim rreth kësaj teme.

Pavarësisht që në vitin 2018, Balje kishte lëshuar një komunikatë si kryetare e komisionit, ku kishte konstatuar shkelje flagrante të të drejtave të njeriut.

"Me rastin e publikimit të listave të veteranëve të dyshuar si veteranë mashtrues, janë shkelur të drejtat e njeriut, të drejtat e privatësisë, si dhe është cenuar prezumimi i pafajësisë duke u bërë gjykim publik përmes mediave ndaj veteranëve. Andaj, duke e parë se procesi është akoma në fillim të shqyrtimit nga organet e drejtësisë, reagojmë me shqetësim të thellë para opinionit publik”, thuhej në komunikatën e Baljes asokohe.

Gjykata Themelore në Prishtinë për çështjen e veteranëve i shpalli 12 ish-anëtarët e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Veteranit të UÇK-së. Për keqpërdorim të detyrës zyrtare të pafajshëm u shpallën: ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari. Të gjithë, të akuzuar se keqpërdorën detyrën duke manipuluar me listat e veteranëve.

Por aktgjykimin e pafajësisë të marrë nga trupi gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës, e kundërshtoi Prokuroria duke u ankuar në Gjykatën e Apelit. Më 25 maj 2021 ankesa e Prokurorisë ishte pranuar nga Apeli, dhe për t’u marrë me këtë lëndë ishte caktuar gjyqtari Bashkim Hyseni. Gati 1 vit nga pranimi i ankesës, kjo instancë gjyqësore nuk ka marrë ende një vendim për rastin e njohur si “Veteranët”.

Deri kur Apeli të vendosë, prokurori, avokatët dhe rreth 40 mijë veteranë “jetimë” do të vazhdojnë të presin në ankth.

Lajme të ngjashme