Kërkohet përjashtimi i Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit nga Universiteti - NACIONALE

Kërkohet përjashtimi i Bujar Dugollit dhe Ardian Kastratit nga Universiteti

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shoqëria civile nuk po pajtohet me dënimin që Komisioni i Etikës ka dhënë për dy profesorët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, të cilët janë dënuar për vjedhje akademike.

Drejtori ekzekutiv i organizatës ORCA, Rron Gjinovci, ka kërkuar që profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati të përjashtohen nga universiteti.

Sipas tij, dënimi që kanë marrë ata është shumë i ulet.

Ndëshkimi përbën ftesë që njerëzit në formë masive me bo plagjiaturë dhe të avancohen nëpër tituj akademik përmes mashtrimi. Nëse një njeri që ka fitu titull akademik përmes mashtrimit, i thua të dënojë me dy vite pamundësi me mentoru njerëz në master dhe doktorat, kujt i bëhet vonë për këtë punë? Secili do të mashtrojë, edhe nëse nxihet dënohet vetëm në mentorim. Ky dënim është thirrje për me vjedh, kjo është thirrje publike që qytetarët e Kosovës me vjedh, shprehet Gjinovci për gazetën Nacionalen.

Ai ka theksuar tanimë ka një kulturë shoqërore të pranishme tek ne, ku vjedhja akademike nuk dënohet.

“Kemi krijuar një kulturë ku vjedhja nuk dënohet në shoqërinë tonë - sikurse në rastin e testit të maturës. Në secilin vend të botës, kur temë është plagjiatura e një profesori ose një studenti, ndodh përjashtimi apo largimi i menjëhershëm prej institucioni. Këtu çka kanë mujtë me bo, më e pakta, është me ua hjek titujt e fituar përmes këtij lloj mashtrimi. Më e pakta kjo ish dashtë me qenë kjo masë”, ka deklaruar Gjinovci.

Rasti për plagjiature kishte filluar nga një denoncim anonim që arriti në adresën elektronike të ORCA-s, e cila menjëherë kishte filluar hulumtimet rreth kësaj çështje.

Në hapin tjetër, një filtrimi të realizuar nga organizata ORCA, punimi në fjalë është vendosur në programin TURNITIN për vlerësimin e përmbajtjeve të punimeve akademike nga pikëpamja e ngjashmërive të mundshme.

Në fund , ky punim, rezultojë të jetë i ngjashëm me tekste tjera në masën e 70% të tekstit të tij.

Për më tepër, paradosksalisht, materialet nga të cilët janë kopjuar punimet, i takojnë kryesisht enciklopedive të përbëra me informacione triviale për studiues të fushës në fjalë.

Lëndën në fjalë, organizata ORCA e dërgoi pranë Komisionit të Etikës, institucion brenda UP-së. Pas një trajtimi disa-mujor dhe një procesi të gjatë komisioni në fjalë arriti në përfundim se dy personat e lidhur me veprën e vjedhjes akadmike janë të fajshëm. Këtë përfundim e arriti Komisioni i Etikës së Universitetit të Prishtinës.

Shpjegimi i Komisionit të Etikës

Komisioni i Etikës, në një vendim të shpjeguar mirë arsyeton natyrën e shkeljes që të përfolurit kanë kryer. Në bazë të gjetjeve të këtij organi, këta punonjës kanë shkaktuar shkelje të plotë, të pothuajse të gjitha akteve që rregullojnë punën akademike brenda Universitetit të Prishtinës.

Sipas Komisionit personat në fjalë kanë shkelur Kodin e Etikës së Universitetit të Prishtinës, përkatësisht Nenin 10 të tij, atë që shpjegon sjelljet e papranueshme gjatë hulumtimit dhe arritjes së dijës.

Po ashtu, Komisioni vlerëson se në këtë rast kemi të bëjmë me shkelje të “Rregullores për Masat dhe Procedurën Disiplinore ndaj Personelit Akademik të UP”. Sipas vlerësimit të Komisionit, të apostrofuarit kanë shkaktuar “shkelje të rëndë të drejtës së autorit dhe etikës në publikimet shkencore”, që zënë vend në Rregullore si neni 1.15.

Për të kompletuar këtë tërësi shkeljesh vendimi i Komisionit të Etikës përfundon se dy të denoncuarit “kanë qenë në dijeni ose do të duhej të ishin në dijeni se një artikull i tillë nuk plotëson standardet shkencore dhe akademike për botim”.

Për gjithë këto shkelje Bujar Dugolli, janë dënuar vetëm me “mohim të përfshirjes në mentorim në ciklin e studimeve master dhe të doktoratës në Universitetin e Prishtinës për dy vite duke filluar nga data 31.05.2021”. Ndërsa, Ardian Kastrati – çuditërisht – për të njëjtën vepër, është dënuar ndryshe, për mos përfshirje në mentorim të cilitdo nivel, për tre vite në vazhdim.

Akuzat në një mënyrë të përgjithshme dhe jo të arsyeshme i mohuan të dy të përfolurit

“Përmes këtij reagimi dua të kundërshtojë vendimin e Këshillit të Etikës, të datës 16.06.2022, si vendim joprofesional, arbitrar, të ndikuar nga ‘’ORCA’’ dhe Rektori i UP-së, të cilët për të realizuar interesat e tyre, për të mbajtur në kontrollë UP-në, po vazhdojnë këtë fushatë, tash e një vit, duke shmangur fokusin nga zhvillimet e dëmshme për universitetin, nga aspekti menaxherial, deri të keqpërdorimet e rënda të detyrës dhe buxhetit të UP-së”, shkroi Dugolli në një postim të tij në rrjetin shoqëror Facebook.

Edhe profesori Ardian Kastrati vendimin e komisionit ndaj tij e ka vlerësuar si tendencioz.

Në një përgjigje ndaj komisionit, Kastrati ka thënë botimi është bërë sipas të gjitha kërkesave dhe standardeve të aplikuara nga redaksia e revistës, e cila është e njohur ndërkombëtarisht në Scopus.

Gazeta Nacionale ka bërë përpjekje për ta marrë një qëndrim për këtë çështje nga udhëheqësi i Komisionit të Etikës, Iset Morninën, por kontakti më të ka qenë i pamundur.

Punimi për të cilin janë dënua të profesorët mbanë titullin “DIPLOMACY THROUGH THE AGES OF HISTORY: THEORETICAL ANALYSES OF THE CONCEPT”.

Lajme të ngjashme