Intervistë | Haradinaj: Kurti është fëmijë, nuk shitet ‘trimëri’ 22 vjet pas lufte - NACIONALE

Intervistë | Haradinaj: Kurti është fëmijë, nuk shitet ‘trimëri’ 22 vjet pas lufte

1 vit më parë

nga Muhamet Koci

Nuk ka kursyer akuzat e rënda dhe epitetet e ndryshme për kryeministrin Albin Kurti. Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se deklaratat e Kurtit për një luftë të mundshme me Serbinë janë qesharake dhe fëmijërore. Haradinaj ka vlerësuar se kërkesa e Kurtit për traktatin e mossulmimit me Serbinë është kërkim i besës.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përçarje të shoqërisë kosovare, për luftim të bizneseve kosovare dhe bllokim të ekonomisë. Ai ka kritikuar të parin e qeverisë edhe për qasjen ndaj dialogut me Serbinë.

Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Haradinaj ka qenë më i pakursyer se asnjëherë sa u përket epiteteve që i ka vënë kryeministrit të Kosovës. Duke komentuar kërkesën e Kurtit për traktatin e mossulmimit me Serbinë, ai ka thënë se shefi i ekzekutivit po i kërkon “besë Serbisë”.

Sipas tij, vetëm një i (sic.) ‘luajtur’ mund t’i zë besë Serbisë. I pari i AAK-së është shprehur se cilido që shet trimëri e flet për luftën 22 vjet pas saj, është fëmijë, në njërën prej deklaratave më të forta të tij në intervistë. Në këtë intervistë të gjatë, ai ka folur edhe për mobilizimin e opozitës, shoqërisë civile dhe qytetarëve për ta rrëzuar Qeverinë Kurti.

Nacionale: Z. Haradinaj, në një status tuajin në “Facebook” ia keni kërkuar dorëheqjen kryeministrit Kurti. Pse duhet të japë dorëheqje ai?

Haradinaj: Të gjitha rrethanat që janë krijuar në Kosovë flasin për fajësinë e Kurtit. Pra, rrethanat rënduese flasin për fajësinë e kësaj qeverie. Për gjendjen në energji, fajësia e Kurtit është edhe më e hershme, edhe para se ai të vijë në pushtet. Dështimi i dy investimeve të mëdha në energji, i një termocentrali me qymyr 500 MWh që tash me i pasë në çmim të lirë, mos me pasë nevojë me investu Kosova është meritë e Kurtit. Dështimi i gazsjellësit, menaxhimi i situatës se çfarë po ndodh tash, reduktimet në verë, më kanë nxitur me përshpejtu kërkesën për dorëheqje të Kurtit para dimrit. Nuk ka qeveri në botë që në kohë krize nuk kërkon mënyra shtesë me lëshu para në ekonominë e vet, pra në investime kapitale, në infrastrukturë, në projekte, sepse ato gjenerojnë dhe kthejnë në kacën e shtetit prapë. Është e vetmja qeveri në botë që e ka mbyllë paranë, pra e ka hequr prej ekonomisë dhe e ka mbyllur. Kjo është një fajësi e tmerrshme për një qeveri. Pastaj, mungesa e investimeve zhvilllimore dhe nxitja e debateve përçarëse në vend. Ne ia kemi respektuar të drejtën me qeverisë, por ai çdoherë është kujdesur me gjetë tema përçarëse. Për një kohë arriti me e gjetë edhe temën përçarëse me UÇK-në, e vazhdoi pastaj me veteranët. Kur ajo temë iu djeg në dorë dhe më nuk po i jep efektet e duhura, ai shpiku temën e shamisë. Ai po nxit temë përçarëse më i fshehë dështimet e veta. Nuk ka arritur me e forcu aparatin shtetëror, aparatin e sigurisë. Ajo që folëm më herët, se nuk ka investime kapitale, nuk ka implementim të buxhetit. Investim të buxhetit që e ka për detyrë me e implementu nuk rezulton as me pagat.

Pra, një shtet që ka probleme të sigurisë, si rasti jonë, me rendin dhe ligjin në veri, gradualisht e përforcon aparatin shtetëror të sigurisë. Që i bie me ua rritë rrogat policëve. Serbia, edhe së fundi tash, ua ka rritë 25 për qind rrogat ushtarëve, ka rritur 19 për qind pensionet, ndërsa kryeministri që e ka për qëllim një pakt për mossulmim, nuk po e bën. Paktin para tij e ka nënshkruar Michael Jackson në 99-ën dhe ai është garancë për mossulmim Kosovë-Serbi. Pra, është marrëveshje e Kumanovës. Tash ky do me na kthy në vitin 1999. Kur e sheh edhe menaxhimin e politikës së jashtme, vërtet dje iu kam drejtuar në mënyrën më të sinqertë të mundshme për dorëheqje. Edhe për faktin se jam ai që ka dhënë dy herë dorëheqje, i kam thënë, të lutem shqyrto dorëheqjen. Është nder me ditë kur me u tërheqë, që mos me e thellu më shumë dëmin.

Nacionale: T’u shkojmë më radhë të gjitha këtyre temave. Pas një kohe të gjatë, dje Kosova është përballë me reduktime të energjisë. Çka do të thotë kjo për Kosovën?

Haradinaj: Kjo është fajësi, është faj direkt i kësaj qeverie. Menaxhimin që e bën qeveria jonë me energjinë, me partnerët në energji, pa planifikim paraprak se sa sasi i nevojitet Kosovës, i huazimeve ose blerjeve, të gjitha këto janë përgjegjësi e Qeverisë. Te kesh reduktime tani në gusht është faj direkt i qeverisë. Kjo nuk ka lidhje me asgjë tjetër, pos me një fajësi të kësaj qeverie. Qytetarëve të Kosovës, të gjithë atyre që ia kanë qitë votën, u them: ju lutem, a ia keni qitë votën që me ju dyfishu faturat e energjisë, dhe a ia keni qitë votën me pasë reduktime edhe në gusht?
Nëse ia keni qitë votën për këtë, vazhdoni qitjani prapë. Por, nëse jo për këtë, ju lutem, ejani të bëhemi bashkë ta ndërrojmë këtë Qeveri. Se dëmi është kah rritet, çmimet po rriten, problemet po na shtohen. Kjo qeveri është kthyer në rrezik jo vetëm për sigurinë sociale të njerëzve tanë, por për ekzistencën e njerëzve, e qytetarëve të Kosovës.

Nacionale: Përveç reduktimeve është paralajmëruar sërish shtrenjtimi i rrymës. Sa do të jetë kjo e përballueshme për qytetarët dhe bizneset në këtë krizë?

Haradinaj: Asnjëherë nuk kam kërkuar nga cilado qeveri atë që nuk është reale. Është e habitshme që qeveria jonë nuk ka fare plan paraprak si do t’i mbulonte potencialisht diferencat në çmim të energjisë. Një mënyrë do të ishte si me siguru energji tash, me çmim më të lirë. Një mënyrë tjetër do të ishte me ba kontrata për shtije të energjisë me partnerët tjerë që kanë energji. Një mënyrë mund të ishte edhe subvencionimi paraprak, por jo me pritë pikun, kohën e krizës. Dhe në fund ndodh që kjo qeveri i ndan disa milionë për t’i mbuluar vjedhjet në veri, ndërsa diferencën në çmim e paguan qytetari. Sa herë është rritur çmimi, sa herë që qytetari ka paguar më shtrenjtë, është faj i Albin Kurtit dhe i kësaj qeverie. Duhet ta kuptojë qytetari ynë se për shkak të menaxhimit të këtillë të situatës me energjinë, pra mosndërmarrja e veprimeve paraprake, kemi ardhur në këtë gjendje.
Kur na sjell në këtë situatë nuk e merr përgjegjësinë qeveria, por ia hedh qytetarit. Kjo ka ndodhur deri tash.

Nacionale: Pse nuk po i ndërmerr qeveria këto veprime. Nuk po di, apo nuk po do?

Haradinaj: Mendoj se ai është në përgjegjësinë e gabuar. Ai nuk është njeriu i duhur për atë përgjegjësi. Me gjasë ai fare nuk e kupton përgjegjësinë e vet. Nuk e ndien ndoshta. Përgjegjësi e tij me obligimet që i ka në vend, e kam përshtypjen kohë pas kohe se ai e ka si eksperiment. Pra, ai është duke bërë eksperimente me Kosovën.

Nacionale: Para se të lajmërohen reduktimet, doli Raporti Financiar i Thesarit për gjashtëmujorin e parë të vitit 2022, i cili tregon se investimet kapitale kanë qenë vetëm 9%. Si ish-kryeministër, çka flet kjo për një qeveri?

Haradinaj: Unë e kam paralajmëruar këtë, e kam thënë se ai po dëshiron me i lodhë sektorin privat, sipërmarrësit. Kur kishte hyrë komunizmi, pas luftës së Dytë Botërore, në një fshat në Korishë, kanë shkuar komunistët me u tregu se çka është komunizmi. Por një plak nuk e kishte marrë vesh, dhe thotë: çka po dëshirojnë me bo. I thojnë po dojnë me ua kajtë nanën pasanikave. Dhe plaku thotë: “mozamakeq, ata që kenë ma herët fukarave, këta që erdhën tash pasanikave. Paska me na hangër dreqi”.

Nacionale: A do të thotë kjo se edhe z. Kurti po dëshiron t’i luftojë pasanikët?

Haradinaj: Ky është i mobilizuar kundër sektorit privat, kundër sipërmarrësve.
Sepse pjesëmarrësi më i madh në ekonominë e Kosovës është buxheti i shtetit. Njeriu që e bllokon buxhetin për investime kapitale, ai nuk është duke i futur ato para në ekonomi. I bie sikur me ikë një investitor prej Kosove. Ai po e bën këtë me qëllim. Nuk ka këtu dilemë se ai po do me e ngufatë sektorin provat.

Nacionale: Më herët i ftuat qytetarët që t’ju bashkohen. Çka do të thotë kjo?

Haradinaj: Mendoj se ne duhet me u bashkërendu më shumë, në radhë të parë partitë politike opozitare, shoqëria civile dhe gjithë ata që janë të interesuar mos me leju vazhdimin e përkeqësimit dhe rrezikimit të Kosovës, të ekzistencës së krejt të arriturave të Kosovës nga kryeministri Kurti dhe qeveria e tij.

Nacionale: E keni ndërmend të formoni një front opozitar?

Haradinaj: Nuk mund ta precizoj se çka do të jetë. Nuk besoj se AAK e ka komoditetin mos me kërku bashkërendim të të gjithëve për ta ndalur këtë gjendje. Nëse rrimë indiferent, ose nuk bëjmë maksimumin për ta ndryshuar këtë gjendje, me e rritë vetëdijen dhe mobilizimin qytetar kundër vazhdimit të përkeqësimit të kësaj gjendjeje, atëherë kemi edhe ne faj.

Nacionale: Qysh doni me ndalë z. Haradinaj? Dihet se në Kuvend opozita nuk i ka numrat.

Haradinaj: Një mënyrë e duhur është me punu edhe me deputetë të pozitës. Nuk ka rëndësi se në cilën parti ata shkojnë, por e rëndësishme është se çdo deputet që ndien se shumica të cilës i takon është duke i bërë dëm vendit, me ia ndalë përkrahjen asaj shumice.
Mos të vijë fare në Aleancë, lë të shkojë ku e vlerëson, por është shumë e rëndësishme me ia ndalë përkrahjen një shumice, nëse ai ose ajo e kupton se kjo shumicë është duke i sjellë dëme vendit të tij dhe fëmijëve të tij. Deputetët e shumicës, që sot Kosova i ka sytë kah ta, mos ta amnistojnë këtë qeveri. Deputetët e Kosovës që ia ndalin përkrahjen kësaj shumice sot janë heronj të Kosovës.

Nacionale: Çka nëse nuk ndodh kjo. Po e përmendni mundësinë e mobilizimit qytetar. A i bie se opozita duhet ta shqyrtojë mundësinë e organizimit të protestave?

Haradinaj: Edhe njëherë isha kthyer të deputetët e shumicës. Nëse ka ndonjë deputet që ka qenë pjesë e UÇK-së, dhe ata e shohin se debati për veteranët është përçmim, është marrje e një të drejte ndaj tyre, ata do të duhet t’ia heqin përkrahjen kësaj shumice. Nëse ka deputetë të shumicës dhe e shohin dënimin që Kurti që po i bën sektorit privat, shpresoj se do t’ia heqin përkrahjen kësaj qeverie.

Me ia heqë përkrahjen një qeverie që në kohë të krizës pengon investimet kapitale është patriotizëm. Nëse të tjerët e kuptojnë se qeveria po do pakt mossulmimi me Qeverinë, duhet të reagojnë. Në fund të fundit, kush të ka thënë ty se duhet me i nxonë besë Serbisë me pakt të mossulmimit. A ka naj logjikë kjo. Shqiptarët e dinë prej mijëra viteve se a ka besë a nuk ka me atë.

Ky tipi jonë tash po do me na bindë se ka besë për një pakt mossulmimi. E vetmja mënyrë me siguri të plotë për Kosovën është me ecë kah NATO. E vetmja besë që na vyen ne është me Amerikën. Merre me mend, ky i mençuri ynë po dëshiron me kriju besë me Serbinë. Ky e di mirë se edhe shqiptarët e Malit të Zi sa kanë pësuar prej Serbisë se atëhershme. E ky i mençuri tash po thotë hajde besë me Serbinë, me kënd besë?

Nacionale: Besoni se z. Kurt po i beson Serbisë?

Haradinaj: Ai po thotë hajde besë me Serbinë për mossulmim. A katragjyshi, babëgjysh, gjyshi, baba dhe gjithkush të tregojë se a mund t’i zësh besë Serbisë.

Nacionale: Kohëve të fundit Kurti nuk po e përmend shumë këtë pakt. Pse po besoni se ai po e synon një gjë të tillë?

Haradinaj: Ai po do me kamuflu këtë me një lloj marrëdhënieje për pakt të marrëveshjes për marrëdhënie të mira dhe për mossulmim. Ky po tallet me ne. Nuk ka nevojë për besë me Serbinë, ky ka nevojë me ecë drejt NATO-s, që i bie se duhet siguruar njohjen me Serbinë, njohjen nga pesëshja e BE-së dhe ecjen drejt NATO-s.
Bashkëpunimin me partitë tjera dhe qytetarët, nuk dua me i paralajmëru hershëm unë, sepse këtë duhet ta bëjmë bashkërisht, me partitë tjera opozitare, me shoqërinë civile dhe nuk dua t’i prij. Nuk jam lider i opozitës, unë e udhëheqi vetëm partinë time që për fat është e konsoliduar më mirë se çdoherë. Por, sot nuk dua të jap produkte sepse kam dëshirë që ato produkte të vijnë nga një konsultim me partitë tjera.

Nacionale: A i keni në plan këto konsultime me dy partitë tjera opozitare?

Haradinaj: Jo vetëm me dy, edhe me partitë tjera më të vogla dhe me shoqërinë civile. Nuk e ndiejmë se është vetëm detyrë e jona. Kjo është detyrë e Kosovës. Për këtë arsye po ju them edhe njëherë deputetëve të shumicës, se dorëheqja është akt nderi. Kushdo që e vlerëson se janë duke i ndodhur pasoja Kosovës, ndërmerrni këtë veprim. Mos lejoni që pasojat të thellohen. Edhe sot mbahen mend ata që iu kanë taku situatave të vendimeve të gabuara. E përmenda energjinë dhe investimet kapitale, po ashtu, mund të marrin procesin e sigurisë. Nuk i rrit pagat e policëve.
Që katër vjet rriten çmimet, ky (Kurti) nuk ua rrit rrogat policëve. Ata policë do me i çu në veri, me bë rend dhe ligj. Kur e merr vesh krimineli andej... se nuk ka këtu shumë filozofi, ju lutem, a je me ligjin apo me kriminelin? Nëse je kryeministër që duhesh me qenë me ligjin, i mbështet institucionet e ligjit. E mbështet aparatin e rendit dhe ligjit shtetëror, policinë, ua rrit rrogat. Nëse kryeministri nuk ua rrit rrogat policëve, ai është me kriminelin. Në këtë rast, Kurti është kah u ndihmon kriminelëve, duke mos ua rritë pagat policëve. Ai është aleati kryesor i kriminelëve në veri. Pse? Nuk e ka forcuar aparatin e sigurisë në vazhdimësi. Kur e merr vesh krimineli andej që ti në vazhdimësi po i konsolidon mekanizmat e tu, atëherë ai frikësohet dhe të respekton. Kur ai e sheh sa shumë i ke dobësuar ti strukturat tua të sigurisë, në këtë rast policinë, kur s’i rrit pagat, ti je kah inkurajon kriminelët.

Nacionale: Në këtë situatë të krizës, ai ka zgjedhur ta përmendë në disa media ndërkombëtare edhe çështjen e luftës, duke folur për mundësinë e një lufte në mes të Kosovës dhe Serbisë?

Haradinaj: Krejt e ka me i rritë pritshmëritë për qit besën me Serbinë, pakt mossulmimi me Serbinë. Na doli ky filozofi me na tregu ne që ne po bëjmë besë me Serbinë, s’ka besë me Serbinë. Ka vetëm nëse je i zoti e i fortë ose je mik me të fortin. Për fat të mirë, Kosova është mik me të fortin, me Amerikën, për fat të mirë po them, edhe për fat të mirë po konsolidohen institucionet e sigurisë, ku duhet me bë kujdes për implementim të buxhetit për mbrojtje. E shihni që... çka ka ndodhur me implementimin e buxhetit, ju lutem? Se e dëgjova edhe ministrin Mehaj, e edhe po i dëgjoj diskutimet. Por, shumica e tyre që flasin për implementim të buxhetit për mbrojtje, nuk dinë, nuk janë në rrjedha. Unë kam nënshkruar në kohën e krijimit të qeverisë, kam nënshkruar zotimet e Kosovës... krijimin e ushtrisë – më falni, zotime të Kosovës, financiare, kam nënshkruar zotime financiare, bilaterale me vendin aleat kryesor të sigurisë sonë, mësova që tri-katër buxhete të shtetit për ushtri ishin implementu menjëherë. Çka po them me këtë, për shembull nuk mundesh me i thanë Amerikës “A ma jep për tre muaj se po bëj kontratë me ty”, ti duhesh me bë kontratën sot, qoftë edhe pas dhjetë vjetve me ardhë ajo, e nëse ke kontratë me Amerikën dhe situata ndryshon, ata e vlerësojnë me ta pru në kohë. Çka ndodh tashti, çka ka bo qeveria gabim klasik? Meqenëse kontratat me aleatët stabilë, qëndrueshëm, në këtë rast me Amerikën, janë graduale, janë disavjeçare, në emër të veprimit të shpejtë, kanë filluar me bë kontraktime jo fort të duhura për teknikë mbrojtëse, pra më e sigurt është Kosova nëse e bën kontratën me Amerikën për armë që kanë me ardhë pas tri vjetve, sesa kur bën kontratë me dikë që t’i jep sot. Sepse nëse ke marrëdhënie kontraktuese me Amerikën, nëse në periudhën prej sot deri në tri vjet, ndodh një e papritur, në kuadër të atyre zotimeve, pra sa ka parapa kontrata, ata menjëherë t’i japin. Nuk ke nevojë me pritë tri vjet, nëse vjen lufta. T’i japin në sekondë. Pra, ka mundur kjo qeveri ta shpenzojë krejt buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes, por me lidhë kontrata sot, qoftë edhe për dhjetë vjet. Sot me i dhanë paratë, paratë me i çu, kontrata është, malli nuk humb se dihet prej kujt vjen, e ndërsa nëse përshpejtohet situata ose përkeqësohet situata e sigurisë... çka bëjnë këta të mençurit? Nuk i bëjnë këto kontrata afatgjata, e kur të na teprojë buxheti i këtij viti, del në vitin tjetër, edhe shkojnë shëtiten nëpër fqinjë, se na po bëjmë ushtri, po bëjmë teknikë për mbrojtje... nuk funksionon ashtu. Nëse ti tregon sa herë që lëkundesh, sa herë që e bën një hap në të djathtë dhe të majtë, ti ia ke shtuar vetes një hap deri në qëllim. E vetmja rrugë për Kosovën është me mbetë besnike me Amerikën sa i përket ushtrisë, edhe kontratat afatgjate me i bë bilaterale me Amerikën. Shëtitja majtas-djathtas nuk na e përshpejton mundësinë me u mbrojtë, përkundrazi, na bën të padefinueshëm, për garantin kryesor të sigurisë që është Amerika.

Nacionale: Pra, a mendoni se këto deklarata për luftë, të cilat i ka përsëritur disa herë kryeministri Kurti, janë në shërbim të këtij traktati të besës që po i thoni ju?

Haradinaj: Po po, ky po do me na bindë se na kemi besë me ata që i them unë në gjuhën e keqe, se ka besë me serbët, se mund të merret si urrejtje, ata na thonë ‘shiptari’, ne u themi ‘shkije’. Ky po do me na bindë, zotnia, se ka besë me “shka”. Po do me ardhë e me na tregu “Burra, unë ua kom jepë besën, në rregull jemi”. Qita është ka mundohet ky me ardhë me na bindë neve shqiptarëve të Ballkanit se paska besë me anej, edhe që është mjaft budalla, ky nime ka lujtë. Ti po do me ardhë me më kallëzu që ka besë me ta? Ik more.

Nacionale: A po i bëni akuzë të rëndë z. Haradinaj që po i thoni “ka lujtë”, kryeministrit të Kosovës?

Haradinaj: Më fal, pyetni shqiptarët, cilin të duash se çka është besa me ta.

Nacionale: Sigurisht që nuk ju beson askush?

Haradinaj: Ani pyetni ndonjë. Ku doli ky Ajnshtajni me më bindë që paska besë. Ka respekt të ndërsjellë, ka frikë të ndërsjellë, ka interesa të ndërsjella. Por, sa për besë, bofsh hajr.

Nacionale: Po pse ai po e bën këtë, z. Haradinaj. Ky zakonisht ka thirrë në bashkim kombëtar?

Haradinaj: Qe pse. Po e shihni edhe ju pse, eksperiment e ka Kosovën. Ky është duke eksperimentu teori të caktuara politike, kush e di ku i kanë nxjerrë, e në çfarë libra i ka lexu ky, të lëvizjeve të majta dhe po implementohen te ne.

Nacionale: Z. Haradinaj, kur ndryshoi Kurti? Dikur ju keni bashkëpunuar bukur shumë me të, bile kritikoheni prej shumë analistëve se ju ia keni dhënë krahët Kurtit, duke i nxjerrë përkrahësit tuaj në shesh dhe duke i dhënë fuqi atij. A ka qenë i njëjti edhe atëherë?

Haradinaj: A di sa gabim janë të gjithë këta që flasin kështu? Mos me të rrejtë, janë ose mungesë analize ose mungesë dije, këta njerëz që flasin kështu. E tash të tregoj pse mungesë analize dhe dije. Nëse unë bashkëveproj sot me Memli Krasniqin për me e heqë një rrezik që unë mendoj se është rrezik potencial për vendin, unë nuk jam ka të jap përkrahje ty, Memli, as ty tjetrit. Unë jam ka e kundërshtoj një temë, unë e kam kundërshtuar një temë të cilën edhe ai e ka kundërshtuar. Për shembull, rasti i Zajednicës që i themi ne. Besomëni që unë mendoj që vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka shpëtuar Kosovën edhe për fat të mirë, një vetëdijesim i madh i qytetarëve, një ngritje e çështjes, rezultoi deri te marrja e vendimit. Nuk po them se gjykata ka rënë në presion të protestave, sepse nuk vendos. Por, pas mobilizimit qytetar, presidentja e atëhershme e vendit e ka thirrë gjykatën. Unë s’e kam përkrahur Kurtin, ju lutem. Kurrë nuk përkrahi individ, as Hashimin, as Ibrahimin, as Ademin. Unë e përkrahi vendin tim, çështjen e vendit tim. Nuk prish punë për mua kush është në krah të djathtë ose të majtë, nëse unë besoj për diçka të vendit tim. Kurtin e kemi përkrahë atëherë kur s’kemi ditë me qeverisë. Atëherë kur kemi bë klienteleizëm. Atëherë kur kemi bë besa improvizime me dialog apo në marrëdhënie me tjerë. Të gjitha ato e kanë rritur Kurtin: korrupsioni, nepotizmi, kriminaliteti... të gjitha këto. Jo kur i kam dalë unë në krah, unë dhe Fatmiri, por sa herë që kemi qeverisur keq... po e vërtetë, e kemi rritur Kurtin. Por, do ta rrisë edhe ndokush tjetër ndonjëherë nëse s’dimë me qeverisë. Sa herë që e kemi pa veç grupin tonë politik, klientelizmin, po. Ata tjerët i kanë besu, i kanë thanë ti je njeri i fukarave, ty po të duam. Për këtë arsye, për shembull, çka i kanë bërë PDK-së. Po ta jap një shembull të kolegëve të mi. PDK-në kanë shku me e bindë se Ramushi po u ka faj se ka dhënë dorëheqje, se u ka dhënë pushtet. Nuk ka kryeministër që jep dorëheqje prej qejfit. Mos harroni, nëse e gjeni një kryeministër që jep dorëheqje prej qejfit, tregomani cili është ai. Pse po du me thanë këtë? Ajo është me i dobësu marrëdhëniet mes palëve, për shembull, kur e bind dikë që unë e kam ndihmu Kurtin ndonjëherë, e bind mos me bashkëpunu me mu. Ose mos me më besu mu ose anasjelltas. Që i bie, për shembull, në fund të fundit kush është përfituesi i kësaj teorie, që po thonë analistët? Ose ata që mendojnë se i kemi hak njëri-tjetrit. Të gjithë janë ka i çojnë ujë në mulli të Kurtit dhe të gjithë po ia ndihmojnë mullirit të Kurtit. Nuk është në rregull, nuk i kemi ndihmuar Kurtit asnjëherë, besomëni, i kemi ndihmuar temave serioze të vendit tonë, për demarkacionin. Ju e shihni, për shembull, demarkacioni vetëm në marrëveshjen e parë, do të ishte i markuar kufiri, fakti që kemi shti tri dokumente përfshi marrëveshjen Thaçi-Bujanoviq, përfshi raportin e komisionit tre-shtetëror që i ka gjetur gabimet, na ka lënë këtu ku jemi sot, ende pa demarkim. Nuk po gëzohem që jemi pa demarkim, por po gëzohem që nuk është cenuar ai kufi që ishte i gabuar. Na ka mbetë mundësia me shku në arbitrazh.

Nacionale: Z. Haradinaj, në këtë kohë kur Kurti po flet për luftën, në të njëjtën kohë siç e thatë edhe ju, po e sulmon dhe përqesh numrin e veteranëve që ju po e mbroni vendosmërisht. A po e bën këtë qëllimshëm që të denigrojë këtë shtresë të shoqërisë?

Haradinaj: Beso, këto po shkojnë gjatë. Ky është duke bërë eksperiment me ne. Shih si s’ka respekt për këtë vend, për njerëz, për qytetar. A e dini pse? Kthehuni te ai njeri që s’e respektonte himnin, flamurin e institucioneve. Ky tash me veprimet e veta po rri afër flamurit të Kosovës, por me veprimet e veta, po e shpreh të njëjtin mosrespekt që e ka pasur dikur ndaj kësaj republike. Pra, veprimet e tij, nuk janë më simbolika, por janë praktikë dhe po e shkatërrojnë gjendjen brenda.

Nacionale: Z. Haradinaj, në rast se mund të ndodhë një luftë e mundshme, ju me ata veteranët, ish-ushtarët e UÇK-së, a jeni në gjendje përsëri ta bëni atë që e keni bërë gjatë viteve 1998-1999, nëse është e nevojshme?

Haradinaj: Më pëlqeu deklarata e ambasadorit Hill, ishte shumë e mirë, tha lufta ka ndodhur për toka, por jo për targa. Ishte një deklaratë shumë domethënëse, a e dini çka ju ka bërë ai me këtë deklaratë? Ai ka thënë ‘ua dimë dallaveret që po i bëni me këtë retorikë’. Ai ju ka thënë ‘ne e dimë çka keni mbrapa jush, kur po flisni për to’.

Nacionale: Pra, mendoni i është drejtuar Kurtit dhe Vuçiqit?

Haradinaj: Po, pse jo? Cilido që po shet trimëri pas 22 vjetve për një luftë Kosovë-Serbi, e po ju doket interesant kjo, ajo ka tregu sa qesharakë jeni, sa fëmijë jeni. Ajo është deklaratë e një ambasadori, me ta thanë ashtu, s’ka mënyrë ma të drejtë me të kallëzu se kush je. Ai vërtet ua ka vizatuar vendin këtyre, po ashtu deklarata e Shërbimit të Jashtëm Evropian që i mbajnë përgjegjës për retorikë edhe pasojat ju i keni edhe për fat të mirë ishte edhe iniciativa ligjore në Amerikë, me kriju një bazë ligjore për ndëshkim të atyre që japin deklarata të gabuara. Mos harroni, çdo retorikë nxitëse sot në Ballkan, vetëm dikujt i ndihmon, Rusisë. Nuk është e vërtetë se nëse ne flasim për luftë, e qesim në pozitë të keqe Serbinë e pastaj dihet që është aleat i Rusisë. Aleat i kujt është Serbia e dinë ma mirë ata që e vuajnë aleancën e Serbisë me Rusinë, e ma së shumti këtë aleancë e vuan perëndimi, tash në rastin e sanksioneve dhe në rastin e luftës në Ukrainë. Pra, është pozitë e gabuar e Kosovës, me marrë rolin se ne të bindim ty se ky është aleat i Rusisë. Nuk janë mbetë ata me na bind neve, se ata në fund të fundit, ata sa për interesa tonat, njëherë kanë vepruar në 99-ën kundër Serbisë dhe Rusisë, me raketa. Kush je ti që po do me u tregu atyre që këta janë aleatë të Rusisë, kur ata e kanë bombardu atë vend. Ti, i nderuar, konsolidoje vendin tënd, konsolidoji institucionet e rendit dhe sigurisë, lidhu me aleatët e tu kryesorë, në këtë rast me Amerikën, dhe ajo që është ma me rëndësi, kërko nga BE-ja ta heqë agjendën e dialogut prej portfolios, pse ta heqë?
Unë nuk jam anti-evropian. Unë jam evropian, unë besoj në Evropën, jemi familje, na jemi në Evropë, jemi dhe do të jemi. Arsyeja pse Këshilli i Sigurimit e ka bartë çështjen e dialogut te BE-ja ka qenë për mos me marrë kundërshtim prej Rusisë dhe Kinës. A e kuptoni? Me gjetë një lloj linje prej rezolutës 1244, me mbulu në aspektin e ligjit ndërkombëtar, me ua dhënë shërbimit të jashtëm të BE-së, BE-ja që e falënderoj shumë, deri sot ka bë shumë dialog dhe ka rezultate prej dialogut. Pra mos harroni... ka shumë të arritura. Ne e shohim se kancelari i ri, i ka pritur këta në Berlin, e ka pritë Albinin dhe Vuçiqin, pastaj Lajçaku, pastaj ka ardhë ai këtu. Çka tjetër mund të bëjë më një shef i vendit më të madh në BE. Veç mund ta përsëris, por tani e tutje, sa herë që ai i takon këta, bën përsëritje, si lifti poshtë e lart. Në anglisht i thonë “elevators proces”, pra evropianët i kanë konsumuar instrumentet e veta. Kanë bë atë që munden me e bë dhe tash i kanë duart e lira për shkak të luftës në Ukrainë, nuk kanë më nevojë ata me u kujdesë për obligimet e dikurshme në kuadër të Këshillit të Sigurimit që duhesh me mbetë në shërbimin e jashtëm. Në situatën e Këshillit të Sigurimit, me luftën në Ukrainë, me pozicionin që ka marrë Rusia, është një vend që sponzorizon terrorizmin, BE-ja është mirë me ia dorëzu agjendën e dialogut Amerikës. Edhe Albin Kurti e Vjosa Osmani duhet t’i thonë BE-së: “faleminderit shumë, a mundeni këtë me ia dhanë presidentit Biden”. Pra, nga kancelari Scholz, jo të kthehemi prapë të Lajçaku e Borrelli. Prej sekretarit Blinken, kancelarit Scholz, tash prapë po kthehemi ku jemi. Ky është ai procesi i gabuar i procesit mbrapa. Mos të harrojmë, Kosova pas marrëveshjes së 4 shtatorit ka mujtë me qëndru atje, e cila nuk ka qenë një marrëveshje e nivelit të ulët. Ka mujtë me shku në atë që ka mbetur pa u kryer, që ka qenë pika dhjetë e marrëveshjes, Kurti prapë na ka ricikluar tek ngjitësit në tabela, stikersat, Bislimi po kënaqet, po shkon e po vjen. Petkoviqi atje po ka qysh me marrë rrogën. Pra, krejt këto janë dëme që po i shkaktohen Kosovës nga z. Kurti.

Nacionale: A mendoni se kështu do të jetë edhe takimi i radhës që pritet të ndodhë më 18 të këtij muaji?

Haradinaj: Nuk është i kotë, për shkak se këto situata nuk janë pronë e dy njerëzve, nuk është pronë e Albinit, as e Vuçiqit. Por, jemi interesa të palëve të mëdha, që këta njerëz ta rrezikojnë investimin ndoshta çerek-shekulli ndoshta, për sigurinë në Ballkan edhe për përmbyllje të çështjeve të hapura që kanë mbetur në Ballkan. Unë besoj se z. Escobar, sidomos kam shpresë shumë te ai, se e kam pa presionin ata se sa jep rendësi kësaj çështjeje, besoj që do të kërkojë rezultate konkrete nga ky takim edhe unë mendoj jemi afër një takimi në Shtëpinë e Bardhë të presidentit Biden. Unë mendoj se ajo e radhës që duhet të ndodhë pas këtij takimi, nuk ka mbetë diçka tjetër përpos me riciklu është që Kurti edhe Vuçiq thirren në Uashington për nënshkrim të marrëveshjes për përmbylljen e asaj që po quhet normalizim mes dy vendeve me njohje reciproke.

Nacionale: Pra, z. Haradinaj, a keni informata për këtë çështje që mund të ndodhë apo vetëm mendoni se duhet të ndodhë kjo?

Haradinaj: Ne shpresojmë, kemi dëshirë të ndodhë kështu, e interesohemi, punojmë, ndihmojmë, çojmë porosi të tilla aty ku mbërrijmë e aty ku na ec fjala në vazhdimësi.

Nacionale: Për fund, z. Haradinaj, përmendet mobilizimi qytetar në këtë muaj. Ju kemi parë shumë aktiv edhe muajin e kaluar nëpër aktivitete të ndryshme, dasma, takime të ndryshme. Nga shumëkush është vlerësuar si fushatë kjo e juaja. Pse gjithë ky aktivitet në këta muaj?

Haradinaj: Së pari, dua t’ju kërkoj falje atyre që s’u kam shkuar në dasma edhe pse kam marrë ftesë, që në të vërtetë isha shku me zemër, se i dua. Për shembull më ka mbetur pa shkuar, te djali i Maxhun Berishës, heroit. Ka edhe raste tjera të familjeve që gjallë a vdekur aty isha kanë. Unë them që e mbaj fjalën, nëse ta kam dhënë ty fjalën, pra atë natë jam te ti. Ka situata që njerëz për shembull këtë vit na kanë sjellë ftesën për korrik dhe gusht të vitit që vjen. Edhe ta zëmë i respektoj këto, pra atij që ia kam dhënë fjalën, te ai shkoj. Jo se e kam përzgjedhë, por tash një falënderim tjetër krejt atyre që më kanë mirëpritur, që më kanë bë me u ndi pjesë të gëzimit të tyre familjar, që më kanë ndihmu me u bashku me gjithë ata njerëz prezentë, shumica e të cilëve, mos harroni fëmijë të rinj e të reja, gra e burra, që jetojnë në diasporë, që jetojnë jashtë vendit, në mërgatë. Ishte ndjenjë e mirë me i pa e me bashkëbisedu. Ndjenjë e mirë me e kuptu sa e thellë e sa e fortë është lidhja me vendin. Politikanët janë në punë gjithë jetën derisa nuk tërhiqen në fushatë, po është fushatë, kam komuniku me shumë njerëz për rëndësinë dhe qëllimet e aleancës, për dobinë me na përkrahë më shumë. Por, po ashtu është edhe gëzim, pra jam gëzuar. Besomëni, e përjetoj shumë rëndë kur shkoj për dhimbje, si rasti i Rilindit, e rastet e tjera, e dhimbshme me shku për dhimbje, por çfarë gëzimi me shku për gëzim kur të gjithë jemi të gëzuar.

Nacionale: A keni numër, në sa vende keni qenë z. Haradinaj, sepse ka ndodhur që keni postuar edhe dy dasma brenda ditës?

Haradinaj: Jam kujdesur që në të kaluarën nuk i kemi postuar. Kemi shkuar në mbrëmje në dy-tri dasma që kemi shkuar në Deçan, e kolegut tim, Hajdar Sutaj, dhe te djali i një atdhetari, i burgosur politik, Arif Vokshi, i kemi thënë, ato ishin afër. Në të kaluarën shkuam prej njërës në tjetrën, pra ia kemi bë këtij urimin e parë e kemi shkuar te tjetri. Kësaj here s’kam mbërri ta bëj këtë, t’ju them të drejtën, sepse edhe radhët nuk përputheshin. Për shembull, dasmorët nuk kanë ardhur në kohë. Pra, edhe unë çka kam bë? Kam shkuar në kohën pak para se të vijë dhëndri dhe nusja, nja 10-15 minuta, kam qëndruar aty kur ata kanë hy në sallë, edhe pak kohë. E dikur e kam lypë lejen. E kam bë një në mbramje, por ka raste që kam qenë edhe në mesditë diku. Por jo edhe në të njëjtën kohë, dy-tri, nuk po funksionon dhe s’po del ndershëm. Nuk janë numër për ne, janë njerëz, nuk i kemi numëruar, por i kemi edhe disa tjera, më gëzim do të shkoj. Për shembull unë edhe sonte jam në Vusë, një aheng familjar, pastaj më 28 një mik i imi, Shyqri Shala, bashkëluftëtar, është ai që e mban edhe Urën e Shenjtë, restorantin, e marton djalin, e ka dasmën e parë, gëzimin e parë, shpresoj që jam shëndosh, do t’i bashkohem atë ditë, e kështu me radhë.

Nacionale: Z. Haradinaj, faleminderit shumë për këtë intervistë për Gazetën Nacionale.

Haradinaj: Është intervista ime e parë për ju, për Nacionalen. Ju uroj sukses në punë.

Lajme të ngjashme