"Perandori Haradinaj" vazhdon udhëheqjen e AAK-së, rizgjedhet kryetar - NACIONALE

"Perandori Haradinaj" vazhdon udhëheqjen e AAK-së, rizgjedhet kryetar

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Ramush Haradinaj është rizgjedhur kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ish-kryeministri nuk kishte asnjë kundërkandidat, gjë që ia zbehu paksa hijeshinë këtij kuvendi zgjedhor, përcjell Gazeta Nacionale.

Këtë e konfirmoi para pak çastesh edhe vet partia përmes një postimi në rrjetin social "Facebook".

Sipas njoftimit, mësohet se i pari i partisë mori besimin e 518 delegatëve, nga 528 sosh sa ishin të pranishëm.

Përveç emrit të kryetarit është publikuar edhe lista me emrat e anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm.

"Rezultatet e zgjedhjeve të Kuvendit të IX Zgjedhor

Votimi për kryetar të Aleancës:

Nga 528 vota, 5 ishin të pavlefshme, 3 abstenime dhe 2 vota kundër.

Me 518 vota pro, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, u rizgjodh z. Ramush Haradinaj.

Në përbërjen e Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së, bëjnë pjesë edhe: kryetari i AAK, kryetarja e AGK, kryetarja e ARK, kryetarët e degëve, kryetarët e komunave dhe deputetët e AAK-së", thuhet mes tjerash në komunikatë.

Tutje, janë bërë të ditur të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, ku në top 3-she janë: Arbër Tolaj, Arif Ahmetxhekaj e Lahi Brahimaj.

Më poshtë edhe 10-shja e parë nga 71 sosh sa do të jenë pjesë e këshillit.

1. Arbër Tolaj

2. Arif Ahmetxhekaj

3. Lahi Brahimaj

4. Labinot Panxha

5. Agron Bacaj

6. Xhemile Murati

7. Zeqë Malaj

8. Durim Halilaj

9. Ramush Ahmetaj

10. Tringa Morina

Ramush Haradinaj, kësisoj vazhdon drejtimin e partisë që edhe e ka themeluar vet në vitin 2000.

Ky ishte Kuvendi i Nëntë Zgjedhor i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Kësaj përzgjedhjeje i parapriu ristrukturimi i partisë në të gjithë vendin, si në degë ashtu edhe në nëndegë respektive.

Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit parlamentare, AAK fitoi 62 mijë e 111 vota, ose 7.07 për qind, që ia siguroi asaj tetë ulëse nga 100 sosh për sa ishin në garë partitë shqiptare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, në zgjedhjet komunale të mbajtura vitin e kaluar, Haradinaj dhe partia që ai drejton dhe do ta drejtojë edhe më tutje, triumfoi në pesë komuna: Deçan, Gjakovë, Therandë, Rahovec dhe Klinë.

Historiku i AAK-së

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është një parti politike nga Kosova e formuar në vitin 2000 nga parti dhe individë me një të kaluar patriotike.

Në fillim, AAK-ja ishte një koalicion i pesë partive atdhetare. Në vitin 2001, dy nga partitë u tërhoqën nga koalicioni.

Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, për zgjedhjet komunale në vitin 2002, AAK-ja u regjistrua si parti politike e pavarur, ku dhe filloi të funksionojë si parti e vetme e jo si një koalicion.

/Nacionale/

Lajme të ngjashme