Ambasada e Italisë: Vendimi i Speciales mund të apelohet
Ambasada e Italisë në Prishtinë ka reaguar pas vendimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në çështjen që përfshin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin, duke theksuar se vendimi mund t’i nënshtrohet apelit përmes procedurave të parashikuara me ligj.
Ambasada italiane ka bërë thirrje që të gjitha palët dhe aktorët, në Kosovë dhe në mbarë rajonin, ta respektojnë vendimin dhe procesin gjyqësor, duke rikujtuar njëkohësisht se procedura gjyqësore nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë.
“Italia përsërit mbështetjen e saj për mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në garantimin e drejtësisë përmes procedurave gjyqësore të pavarura dhe të paanshme”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Italia ka rikonfirmuar gjithashtu mbështetjen e saj të kahershme për pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Vendimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe, siç thekson Ambasada e Italisë, ndaj tij mund të ushtrohet ankesë në përputhje me procedurat e përcaktuara me ligj.