Kurti kujton rektorin Statovci, harron dëshmorin Shkëlzen Haradinaj - NACIONALE

Kurti kujton rektorin Statovci, harron dëshmorin Shkëlzen Haradinaj

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Rivaliteti i kryeministri Albin Kurti me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, po i tejkalon kufijtë politik.

Kritikat që po i bën Haradinaj për qeverinë Kurti, ka bërë që ky i fundit të mos respektojë kontributin e familjes Haradinaj gjatë luftës çlirimtarët të Kosovës.

Përveçse nuk ka marrë pjesë në ceremoninë e “Epopesë së Dukagjinit”, më 24 mars, Kurti sot nuk ka përkujtuar as rënien heroike të Shkëlzen Haradinajt, njërit prej figurave kryesore të UÇK-së, i cili është vëllai i Ramush Haradinajt.

I pari i qeverisë, zakonisht shkruan për betejat e lavdishme të UÇK-së dhe përkujton figurat të rëndësishme në profilin e tij në “Facebook”.

Në ditën e 23-vjetorit të rënies së Shkëlezen Haradinajn, ish-komandant për Operacione Luftarake në Zonën Operative të Dukagjinit, kryeministri Kurti ka përkujtuar ditëlindjen e ish-rektorit të UP-së, Ejup Statovci.

“Në listën e rektorëve të Universitetit të Prishtinës është i 10-ti në radhë, por në historinë e tij, ai është rektori që më së gjati e drejtoi Universitetin e Prishtinës, nga 26 nëntori i vitit 1991 e deri më 31 dhjetor 1997. Profesor Dr. Ejup Statovci, lindi më 16 prill 1940 në fshatin Prugoc të Prishtinës, por gjatë jetës, ai i dha profilit të tij përmasa ndërkombëtare. Ai studioi për drejtësi në Universitetin e Zagrebit ku diplomoi më 1966 dhe magjistroi më 1971, për të vazhduar më pas me studimet e doktoraturës në Universitetin e Lublanës, ku mbrojti tezën më 1974, me një punim mbi marrëdhëniet pronësore juridike në sendet e paluajtshme në Kosovë”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në “Facebook”.

Ish-luftëtari i shquar i UÇK-së nuk është kujtuar as nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca. Ky i fundit, është edhe më i rregullt se shefi i qeverisë në përvjetorët e luftërave të UÇK dhe përvjetorët e masakrave serbe mbi popullatën civile në Kosovë.

Përvjetorët e tilla Konjufca i nderon edhe duke bërë homazhe në komplekset e varrezave.

Një ditë me parë, ai ka përkujtuar masakrën e Sllovisë së Lipjanit, duke vendosur lule të varrezat e martirëve . “Më 15 prill 1999 në Sllovi të Lipjanit Serbia pushtuese masakroi 45 shqiptarë dhe i plagosi 16 të tjerë. Paramilitarët serbë plaçkitën dhe dogjën shtëpitë e tyre. Një ditë më parë, më 14 prill, në Rrugën e Kovaçëve në Mitrovicë, ushtarët e policët e Serbisë masakruan e vranë edhe 31 banorë të asaj ane. Dhimbje të vazhdueshme që zemrat tona të thyera nuk do t’i harrojnë asnjëherë”, ka shkruar Konjufca në profilin e tij në “Facebook”.

Gjeneral Shkëlzen Haradinaj dhe tre eprorët e lartë të Brigadës 131 ”Jusuf Gërvalla”, Hasim Halilaj, Fatmir Nimanaj dhe Luan Nimanaj, kishin rënë në betejën e Maznikut.

Pushteti kishte injoruar edhe “Epopenë e Dukagjinit”

Qeveria aktuale kishte injoruar edhe përvjetorin tradicional “Epopeja e Dukagjinit”, i cila është mbajtur më 24 mars.

Në ceremoninë e 24-vjetorit të “Epopesë së Dukagjinit” kishin marrë pjesë mijëra qytetarë, por jo edhe zyrtarët e lartë të Qeverisë.

As kryeministrin Albin Kurti dhe as kryeparlamentari Glauk Konjufca nuk kishin shkruar në rrjetet e tyre sociale për këtë përvjetor.

Ndryshe nga ta, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kishte përkujtuar këtë epope përmes një deklarate për medie.

“Luftëtarët e lirisë bashkë me ata të Aleancës Veri-Atlantike, i dhanë udhë lirisë sonë, e bën të mundshme realizimin e amanetit të brezave, prandaj kujtimi për të gjithë dëshmorët e UÇK-së do të jetë i përjetshëm”, kishte theksuar Presidentja.

Ndërsa, liderët opozitar për nder të këtij përvjetori kishin bërë homazhe në Gllogjan.

Mospjesëmarrja e udhëheqëseve të institucioneve në këtë epope, kishte irrituar zyrtarët lokal. “Mosprezenca në Epopenë e Dukagjinit ka qenë e pajustifikueshme dhe qëllimkeqe”, ka thënë kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për gazetën Nacionale.

Edhe ish-deputeti i AAK-së, Gazmend Syla, kishte reaguar për mospjesëmarrjen e liderëve institucionalë në epope. “Urime ditëlindjen Albin Kurti, boll mire qe nuk erdhe, tu kish prishe matematika e çlirimit”, kishte shkruar Syla në profilin e tij në “Facebook”.

Se fundit, raportet e kryeministri Albin Kurti me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, janë acaruar. Kjo pasi, Haradinaj është lideri opozitar më kritik ndaj qeverisë Kurti. Në asnjë seancë parlamentare nuk mungojnë kritikat ndaj njërit-tjetrit.

Lajme të ngjashme