Dorëheqja e Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë - kryetema e javës - NACIONALE

Dorëheqja e Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë - kryetema e javës

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Tema më e komentuar dhe më e rëndësishmja e javës që po e lëmë pas, ishte mosekzekutimi i pagave për grevistët dhe mësimdhënësit. Përveç kësaj, një komentim i jashtëzakonshëm u bë edhe për dorëheqjen e Rifat Latifit nga pozita e ministrit të Shëndetësisë.

P A G A T

Mësimdhënësit dhe të gjithë ata që ishin në grevë nga 25 gushti e deri më 3 tetor, u detyruan të mbesin pa paga deri të premten e 7 tetorit.

Përplasja e Qeverisë me sindikatat vazhdoi edhe pas grevës. Qeveria bëri të ditur se nuk ka paga pa punë, kësisoj nuk ekzekutoi pagat për mësimdhënësit.

E mosekzekutimi i pagave, nxiti debat dhe sulme ekzekutivit.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, mosprocedimin e pagave e pa si tentim të Qeverisë Kurti për të rrënuar sindikatën që sipas tij, është më e forta.

“Po shihet që syri i qeverisë është të rrënohet SBASHK-u. Po tentojnë ta rrënojnë sindikatën më të fortë. Nuk kanë arritur ta rrënojnë as në vitet e ’90-a, s’do të arrijë ta rrënojë as qeveria Kurti”, kishte thënë Jasharaj.

Edhe partitë opozitare akuzuan Kurtin dhe kabinetin e tij për mosekzekutimin e pagave.

Për të mos harruar, pagat e mësimdhënësve u proceduan të premten, mirëpo kjo pagesë po kushtëzohet që të kompensohen orët e humbura gjatë grevës, teksa SBAShK kishte thënë se nuk të kompensohen këto orë.

“Pas konfirmimit të listave nga komunat, Thesari sot ka ekzekutuar pagesën e paradhënies për orët e muajit shtator që do të zëvendësohen sipas kalendarit të ri të mësimit, të miratuar nga MASHTI.”, tha të premten ministri i Financave, Hekuran Murati.

Kujtojmë se greva është pezulluar deri më janar. Mbetet të shihet atëherë nëse do të kemi përsëri grevë apo do të kemi një pajtim mes sindikatave dhe Qeverisë Kurti.

Dorëheqja e (pa)pritur

Rifat Latifi qëndroi veç 10 muaj në krye të shëndetësisë kosovare. Ai të enjten më 6 tetori njoftoi për dorëheqjen e tij.

Ai përmes një letre publike ka folur për sfidat dhe të arriturat sa ka qenë në krye të kësaj ministrie.

Ai tha se kur ka ardhur në krye të kësaj ministrie ka gjetur keqmenaxhim, buxhet të vogël si dhe mungesë të ekipeve profesionale të menaxhimit dhe zbatimit të projekteve kapitale që kanë filluar në të kaluarën.

Pas dorheqjes, Kurti takoi Latifin të cilit i shprehu mirënjohje për punën, angazhimin dhe kontributin e tij.

Sipas Zyrës së Kryeministrit, Kurti falënderoi Latifin “që nuk ka kursyer jo vetëm dijen e përvojën e tij, por edhe kontaktet e shumta ndërkombëtare, për ta ndihmuar e avancuar sektorin dhe sistemin e shëndetësisë në Kosovë”.

Pas dorëheqjes, menjëherë filloi debati se kush duhet ta zëvendësojë Latifin. E një emër i përfolur është depuetit i GUXO, Haxhi Abdyli, të paktën kështu pretendojnë nga kjo parti që është pjesë e Qeverisë Kurti.

Deri më tani nuk është bërë e ditur për emrin e ri të ministri të Shëndetësisë, teksa ajo që dihet është se ish-ministri, Rifat Latifi ishte kritikuar shumë.

Thirrjet e analistëve të politikës po vazhdojnë që edhe ministra të tjerë të Qeverisë Kurti të japin dorëheqjen pasi nuk kanë bërë asgjë deri më tani.

Gjithashtu, java që po shkon, kishte debat të ashpër edhe në Kuvend mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës.

Deputetit i VV-së, Dimal Basha dhe deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, u kapën keq sa kaluan në ofendime.

Përndryshe në Kuvend me 58 vota për, 4 kundër dhe asnjë abstenim, u miratu në lexim të parë, Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë.

Më tej, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi për disa subvencione, që sipas saj, do të ndihmojnë në kursimin e energjisë elektrike, që këtë dimër pritet të ketë mungesë.

Rizvanolli për izolimin e shtëpive tha se duhet shumë punë ani pse nga foltrja e Kuvendit kishte bërë thirrje që të izolohen shtëpitë.

Nga bota, ngjarja kryesore ka të bëjë me luftën e Rusisë në Ukrainë.

Shpërthimi i urës në Krime vazhdon të jetë në qendër të diskutimit.

Kjo urë ishte hapur nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin më 2018 me qëllimin që ta paraqiste imazhin se Krimea është ruse.

Nuk dihet se kush qëndron prapa shpërthimit të kësaj ure.

Lajme të ngjashme