‘Turizmi’ jashtë vendit, ikja e mjekëve, fjalët e pamatura – Cilat ishin kritikat më rënduese ndaj Rifat Latifit? - NACIONALE

‘Turizmi’ jashtë vendit, ikja e mjekëve, fjalët e pamatura – Cilat ishin kritikat më rënduese ndaj Rifat Latifit?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Rifat Latifi nuk ka qëndruar as një vit në pozitën e ministrit të Shëndetësisë. Ai sot ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, vetëm 11 muaj pasi mori këtë post.

Emërimi i Latifit në këtë post ishte pritur me entuziazëm të madh, duke u parë si shpresë për zgjidhjen e problemeve të shumta në shëndetësinë kosovare.

Madje, këtë veprim të kryeministrit Kurti e kishin duartrokitur edhe përfaqësuesit e opozitës.

Synimet e tij kryesore ishin reformat në shëndetësi, kthimi i trurit në Kosovë dhe ndërprerja e ikjes së mjekëve nga Kosova.

“Me ngritjen e kapaciteteve njerëzore si dhe kthimin e trurit të larguar tash e 20 vjet nga Kosova, do të parandalohet largimi i pacientëve tanë për në vendet në rajon dhe kështu këtë investim shtetëror dhe individual në spitalet e huaja i kthejmë në shtëpinë tonë dhe modernizojmë spitalet tona”, kishte thënë Latifi pas marrjes se postit.

Por, nuk kaloi kohë e gjatë dhe pritjet filluan të zbehen. Për një periudhë shumë të shkurtër ai u bë ministri më i kritikuar në Qeverinë Kurti.

Kritikat kryesore ndaj Latifit kanë qenë neglizhenca dhe mungesa e përgjegjësisë.

Gjatë kësaj kohe, ai nuk arriti ta plotësoi asnjërin prej zotimeve të tij.

Ndonëse kishte premtuar, ai nuk arritur të miratoi as Projektligjin për rregullimin e çmimeve të barnave dhe ndryshimin, as projektligjin për organizimin shëndetësor dhe as atë për sigurimet shëndetësore.

Vizitat jashtë vendit

Njëra nga kritikat kryesore që kishte opozita dhe shoqëria civile ndaj Latifit ishin vizitat e tij të shumta jashtë vendit. Për shkak të tyre, filluan edhe talljet me të, duke e cilësuar edhe si ministër të jashtëm.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të punës si ministër ai kishte udhëtuar gjashtë herë.

Nga Shqipëria në Turqi e nga Turqia në Norvegji e SHBA, ishin destinacionet në të cilat Latifi ka kishte qëndruar përgjatë këtyre muajve. Amerika ishte destinacioni më i shpeshta i tij. Kishte raste kur në këtë shtet kishte qëndruar me disa javë.

Se fundi, për disa ditë ai kishte qëndruar edhe në Greqi. Pavarësisht, vizitave të tij të shumta nëpër vende të ndryshme, Latifi nuk kishte sjellë ndonjë risi në sektorin e shëndetësisë.

Në tetor të këtij viti, ish-ministri Lafiti pati thënë se do të udhëtonte në Amerikë sërish në cilësinë e ministrit pas ftesës së pranuar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve. Këtë deklaratë, Latifi, e kishte dhënë pas ftesës së pranuar nga Kolegji Amerikan i Kirurgëve.

Deklaratat e pamatura

Gjatë periudhës si ministër, Latifi ishte karakterizuar edhe me deklarata të tij të pamatura, të cilat kishin nxitur reagime të shumta në opinion.

Pas kthimit nga vizita në Greqi, Latifi kishte thënë se për t`i parë rezultat në shëndetësi duhet të pritet 5 deri në 10 vite. “Ata që më kritikojnë e kanë të drejtën e vet, për atë jemi në demokraci, mund të flasin çka të duan, por unë ju kisha lutur që të keni pak ma durim se mjekësia nuk bëhet brenda natës dhe s’do të bëhet as brenda këtij viti e as brenda vitit të ardhshëm. Unë po flas brenda 5-10 viteve të ardhshme që t’i keni strukturat tona, me qenë pjesë e botës, deri atëherë na duhet të shkojmë jashtë, ose t’i marrim ata jashtë të na ndihmojnë neve”, ka thënë Latifi në një konferencë për medie.

Me deklarata të tilla, ai kishte vazhduar edhe në Kuvend. Kur u pyet në Kuvend nga një deputet për ikjen e mjekëve, ai tha se me këtë dukuri po përballen edhe vendet tjera.

“Ju keni sjellë një pyetje që në çdo moment po merremi me të. Sa isha në Greqi unë në javën e kalune, e kanë të njëjtin problem. Që nga viti 2016 nuk është hapur asnjë konkurs për specializime nga anesteziologjia. Pasojat e mos-planifikimit po i shohim e përjetojmë tash”, ka thënë Latifi.

Ndërsa, reagimi deputetëve ishte se me ikjen e mjekëve në Greqi dhe vende tjera duhet të merren ministra e atyre vendeve dhe jo Latifi.

Krijimi i komisionit për Shëndetësi

Duke i parë kritikat për shëndetësinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte formuar edhe një Komision Ekzekutiv për Shëndetësi në mënyrë që të adresonte në formë më të menjëhershme problemet në sektorin e shëndetësisë. Opozita këtë veprim e kishte konsideruar si ndërhyrje në kompetencat e vetë ministrit të tij.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, kishte thënë se me këtë veprim Kurti ka marrë përgjegjësit e ministrit. “Ku ka dështim duhet të ketë shkarkim e jo Komision Ekzekutiv. Albin Kurti e emëroi veten kryetar të Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi, që e themeloi si institucion paralel të Ministrisë së Shëndetësisë. Këto janë idetë "gjeniale" brilante të këtij kryeministri i cili dështimin e menaxhimit të Ministrisë së Shëndetësisë po mundohet ta mbulojë me komisione paralele. Pas kësaj presim ta shohim Kurtin kryetar të plot komisioneve në të gjitha ministritë e dështuara për dy vite qeverisje. Nesër Kuvendi duhet që ta formojë një Komision Ekzekutiv për t'ia kryer punët e qeverisë...!!!”, kishte shkruar Haxhiu në profilin e tij në “Facebook”, kur ishte formua ky komision.

“Institucione të tilla paralele po formohen për të justifikuar dështimet dhe keqpërdorimet nëpër ministri, në një shtet funksional ku duhet të ketë llogaridhënie dhe përgjegjësi. Për afro dy vite qeverisje Kurti nuk ndërmorri asnjë veprim për zbatim të Planit të Qeverisë në shëndetësi 2021-2025”, kishte shkruar Haxhiu.

Latifi është ministri i dytë i Shëndetësisë i cili jep dorëheqje nga kjo pozitë. Ish-ministri Arben Vitia, ishte larguar nga ky post pasi kishte vendosur të kandidate për kryetar të komunës së Prishtinës.

Lajme të ngjashme