Aventurieri Rifat Latifi vazhdon ekskursionin në gërmadhat e Greqisë së lashtë - NACIONALE

Aventurieri Rifat Latifi vazhdon ekskursionin në gërmadhat e Greqisë së lashtë

1 vit më parë

nga Halim Kafexholli

Në prezentimin e tij në nëntor të vitit të kaluar, e kishte ripërsëritur disa herë se synimi i tij si ministër i Shëndetësisë është që ta kthej “trurin shkencor” të larguar nga Kosova, duke nënkuptuar kthimin e mjekëve dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë në vend.

Mirëpo, ajo çka pamë më së shumti në këta muaj nga ministri Rifat Latifi, janë udhëtimet tashmë të panumërta prej se e la ShBA-në për ta zënë vendin e Arben Arben Vitisë.

Ministri aktualisht ndodhet në Greqi, ku ditën e djeshme e kishte shfrytëzuar për vizitë në Spitalin e Përgjithshëm të Athinës ku ka takuar ministren alterntive të shëndetësisë në Greqi dhe disa zyrtarë tjerë atje.

Mirëpo, përveç kësaj, specialisti i kirurgjisë, duket se po shfrytëzon vizitën në Greqi edhe në cilësinë e turistit.

Ai sot ka qëndruar në Akropoli të Athinës – një qytet i lashtë i ndërtuar në lartësi shkëmbore mbi kryeqytetin e Athinës.

Gazetari i cili mbulon sektorin e shëndetësië, Bujar Vitija, përmes një statusi në Facebook e ka quajtur Latifin si “Ministëri i Kënaqësisë”, teksa shkruan se kësaj ministrie i ka humbur kuptimi.

“Ministri i Kënaqësisë. Kështu ndreqet shëndetësia. Në Akropol. I ka humbë kuptimi kësaj pune. Zine që s’kena ministër hiq ma mirë. S’ka as marre”, shkruan Vitija referuar Latifit.

“Ministër të Kënaqësisë” e ka quajtur edhe gazetari tjetër, Milot Hasmija.

“Qiky vlla ish ministër i kënaqësisë”, shkruan ironikisht Hasimja.

Njejtë mendon edhe gazetarja tjetër, Saranda Ramaj. Ajo shkruan se Latifi nuk e ka as minimumin e empatisë për pozitën që drejton.

“As rezultate e as minimumin e empatisë për sektorin.Keq, shumë keq. Me vjen keq për krejt ata njerëz që tentojnë me i normalizu problemet në shëndetësi. Kur kanë nevojë për shërbimet shëndetësore e kuptojnë pse nuk duhet të normalizohen telashet në këtë sektor. Por atëherë ndoshta është vonë”, ka shkruar ajo.

Kurti ka “përvjelur mëngët” vetë

Ndonëse gjatë fushatave zgjedhore të vitit 2019 dhe 2021, për dallim nga problemet në arsim, ku thoshte se i duhen dy mandate për ta rregulluar, Kurti besonte se shëndetësinë mund ta transformonte brenda konsumimit të një mandati katër vjeçar.

Se si mund të ndodhte një gjë e tillë, kryeministri merrte shembull një qen endacak i cili bredhte brenda hapësirave të QKUK-së, ku thoshte se me qeverisjen e tij, ai qen nuk do të sorrollatej më.

Megjithatë, problemet në shëndetësi duken shumë më të ndërlikuara se sa sorrollatja e një qeni.

Se problemet nuk po zgjidhen e mbesin të thella, Kurti u bind edhe vetë. Pasi në mbledhjen e 96 të qeverisë, me propozim të tij, themeloi Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi, të cilit do i prijë vetë.

Formimi i këtij komisoni u lexua edhe si pranim i dështimit të Kurtit në këtë sektor dhe “i penduar” se në krye të kësaj ministrie ka vënë doktorin Rifat Latifi, i cili që nga marrja e kësaj pozite, është kritikuar shumë për udhëtimet e tij të shumta jashtë shtetit dhe pasivitetin në punë konkrete.

Në një përgjigje ditë më parë për Nacionalen, analisti Imer Mushkolaj kishte thënë se Themelimi i Komitetit Ekzekutiv, nënkupton pranim të kryeministrit Kurti se “ka dështuar” në shëndetësi. Madje, sipas tij, Latifi do të duhej të shkarkohej urgjentisht.

“Më shumë jam tu e pa një pranim të dështimit të Kurtit për sektorin e shëndetësisë për shkak se po të kishte pakënaqësi, e që është ashtu, do të duhej që ministrin Latifi ta shkarkonte urgjentisht”, thotë Mushkolaj, i cili shton se Kurtit edhe mund t’i vie keq ta liroj nga detyra, siç e quan disi me cinizëm ai “profesorin e nderuar”.

Shëndetësia në Kosovë vazhdon të ketë probleme esenciale ku edhe pas 22 viteve nga përfundimi i luftës, sistemi shëndetësor nuk ka pësuar ndonjë ndryshim rrënëjsor. Madje, shpeshhëre, qytetarët e Kosovës detyrohen të dalin jahstë vendin për shërim ku destinacione të shumta janë edhe spitalet e Turqisë, të spitale të cilat i ka vizituar edhe ministri Latifi.

Lajme të ngjashme