Simpoziume, varrime, samite, forume, darka, konferenca etj: Kurti edhe më kampion se Rifat Latifi për udhëtime - NACIONALE

Simpoziume, varrime, samite, forume, darka, konferenca etj: Kurti edhe më kampion se Rifat Latifi për udhëtime

1 vit më parë

nga NACIONALE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka udhëtuar drejt Japonisë për të marë pjesë në varrimin e ish kryeministrit të këtij vendi, Shinzo Abes. Ministri i tij, Rifat Latifi, po kritikohet për ‘udhëtimet e shpeshta’. Por, sa udhëtime ka bërë kryeministri Kurti?

Për shkak të ‘udhëtimeve të shpeshta’ të ministrit Latifi, kryeministri ka themeluar edhe një Komision Ekzekutiv për Shëndetësi që t’i ndihmojë. Vetë kryeministri është vënë në krye të Komisionit, dhe deri tash janë mbajtur dy mbledhje.

Por, kryeministri i vendit në fakt, ka udhëtuar edhe më shpesh se ministri i tij.

Para se të merrte udhë në Japoni, kryeministri i Kosovës ka qenë në Oslo të Norvegjisë ku besohet se jeton familja e tij, rreth datave 20-22 gusht.

Më datat 17 deri më 20 gusht, ai ka qenë në Bruksel dhe ka zhvilluar një mori takimesh të ndryshme që nuk kishin të bënin me prioritetet e para të qeverisjes së tij, por me dialogun e Kosovës me Serbinë. Për më keq, z. Kurti nuk është treguar aq transparent në lidhje me diskutimet, derisa marrëveshja për dokumente raportohet të jetë arritur vetëm në formë gojore.

Kurti kishte bërë, ndoshta udhëtimin më të rëndësishëm të mandatit të tij gjatë këtij viti, më 25 korrik kur kishte udhëtuar drejt ShBA-ve bashkë me presidenten Osmani dhe ministren Rizvanolli. At kishin qëndruar në këtë shtet deri më 30 korrik, derisa kishin nënshkruar edhe marrëveshjen për energjinë me MCC-në.

Prania e z. Kurti në këtë udhëtim do të ishte e padobishme sikur të mos takonte Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, së bashku me presidenten Osmani.

Po gjatë muajit korrik, Kurti do të merrte pjesë edhe në dy simpoziume në një hotel luksoz në Greqi. Ai do të qëndronte në këtë shtet, ashtu siç kishte qëndruar edhe vitin e kaluar, prej datës 5 e deri më 14 korrik.

Për udhëtimin e tij, nuk kishte pasur njoftim nga Zyra e Kryeministrit e cila vetëm më vonë do të njoftonte qytetarët.

Ndërkohë, më datën 6 qershor, kishte ndodhur vizita e kryeministrit të Kosovës për në Mbretërinë e Bashkuar. Ky udhëtim ishte njëftuar nga ZKM-ja.

Paraprakisht, më 2 qershor ai ishte parë në Bratisllavë të Sllovakisë për ët marrë pjesë në Forumin e Bratisllavës GLOBSEC 2022.

Në fund të muajit maj, prej datës 23 e deri më 26 ose 27 maj, ndërkohë, Kurti kishte vizituar Zvicrën dhe kishte marrë pjesë në shumë qytete zvicerane

Para vizitës në Zvicër, Kurti kishte zhvilluar vizitën e gjatë tetëmbëdhjetë ditore në ShBA. Prej datës 6 e deri më 23 maj.

Më 4 maj, ai kishte udhëtuar për në Berlin ku ishte takuar me kancelarin Olaf Scholz dhe kishte ngrënë darkë me presidentin serb Vuçiq dhe me ndërmjetësin e BE-së, Mirosllav Lajçak.

Më 27 prill, Kurti do të zhvillonte një tjetër udhëtim drejt ShBA-ve, për ët marrë pjesë në varrimin e ish Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright.

7 prill, Kurti kishte bërë vizitë zyrtare në Norvegji ku ishte takuar me kryeministrin e këtij vendi, Jonas Gahr Store, por që nuk kishte përfunduar mirë.

Store ia kishte shprehur zhgënjimin e tij në fytyrë Kurtit, me një akt të paprecedent për një lider shtetëror.

Ai kishte ndërmarrë vizitë edhe më 28 mars drejt Greqisë, ndoshta në parapërgatitje të vizitës së tij të gjatë të muajit qershor.

28 shkurt ndërkohë, Kurti ishte nisur për udhëtim në Londër që të merrte pjesë në Samitin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Dhjetë ditë më herët, më 18 shkurt, kryeministri do të udhëtonte drejt Mynihut për të marrë pjesë në një konferencë e ku do të rrinte dy ditë.

Kurti kishte marrë pjesë gjatë kësaj periudhe edhe në Antali, në Forumin për Diplomaci.

Për fat të keq, numri i saktë i udhëtimeve dhe qëndrimit të kryeministrit Kurti jashtë shtetit është i pamundur për shkak të mënyrës se si janë raportuar ato nga ana e Zyres së Kryeministrit. Për më tepër, është e pamundur të dihen udhëtimet e Kurtit drejt Oslos për shkak të karakterit privat.

Lajme të ngjashme