Hekuran Murati insiston: Nuk mund të paguhet dikush pa punuar
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka folur në Kuvendin e Kosovës rreth pagave të mësimdhënësve.
Në deklarimin e tij në interpelancën e kërkuar nga opozita, Murati ka thënë se po e zbatojnë vetëm ligjin.
Sipas tij, askush nuk mund të paguhet pa punuar.
“Këtu bëhet fjalë për pagesën e punëtorëve që kanë qenë në grevë. Ligji për grevat e thekson qartë që përgjatë kohës që personat janë në grevë, marrëdhënia e punës, pezullohen. Me fjalë të tjera nuk mund të paguhet dikush pa punuar. Ne duhet të sigurohemi që organizatat buxhetore e respektojnë ligjin. Këtë do ta bëjmë sa herë vihemi në dijeni që paraja publike të shpenzohet pa qenë në përputhje me ligjet”, tha Murati në Kuvendin e Kosovës.