Qeveria e "harron" padinë për gjenocid ndaj Serbisë – të gjithë heshtin - NACIONALE

Qeveria e "harron" padinë për gjenocid ndaj Serbisë – të gjithë heshtin

1 vit më parë

nga Arbër Ramadani

Padia për gjenocid të Serbisë në Kosovë gjatë luftës së fundit ishte njëri ndër premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje, sa u përket marrëdhënieve me shtetin fqinj.

Albin Kurti mbase ishte personi më i zëshëm në Kosovë, i cili kishte avokuar për të drejtën, siç e quante ai, që Kosova të formulojë një padi të tillë ndaj shtetit serb.

Kurti gjatë fushatës premtonte se Qeveria e tij do ta kishte prioritet këtë nismë, e kur erdhi në pushtet, përsërit se nuk heq dorë nga një zotim i tillë. Ai, së bashku me Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deklarativisht kanë qëndruar në ballë të kësaj nisme.

Jemi të bindur se Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë, në luftën e fundit dhe kjo meriton një padi, e Qeveria e Kosovës e ka përgatitjen e saj obligim ndaj historisë tonë, ndaj qytetarëve që i kanë plagët e hapura e ndaj ardhmërisë sonë që e kërkon një shtetndërtim demokratik, një shtet të drejtë, në të cilin dihet qartë se kush është agresori e kush është viktima. Do ta përgatisim padinë për gjenocid ndaj Serbisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë”, deklaronte Kurti, edhe në cilësinë e Kryeministrit.

Megjithatë, shpresë të rreme për familjarët e viktimave e qartazi të paarritshëm e quan këtë premtim Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Shala i ka thënë Gazetës Nacionale se nuk është e mundur ngritja e kësaj padie, meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së.

Ngritje e një padie për gjenocid ndaj Serbisë ka qenë pjesë e programit qeverisës së Lëvizjes Vetëvendosje. Edhe në atë kohë, IKD kishte theksuar se ngritja e kësaj padie nuk është e mundur. Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe as shtet palë i Konventës për Parandalimin dhe Danimit të Krimit të Gjenocidit”, ka thënë Shala për gazetën Nacionale.

“Për këtë arsye, një padi e tillë nuk mund të trajtohet dhe nëse potencialisht e njëjta ngrihet, ajo do të shpallet si e papranueshme. Për këtë arsye, ngritja e kësaj padie nga Kosova nuk është e mundur. Një premtim i tillë, qartazi i paarritshëm, është shpresë e rreme për familjarët e viktimave të krimeve të luftës, të cilët presin drejtësi për familjarët e tyre”, theksoi ai.

Në anën tjetër, profesori i të Drejtës Penale, Ismet Salihu, i cili ishte edhe ndër ekspertët të cilët pritej të merrnin pjesë në përpilimin e kësaj aktpadie, ishte më optimist sa i përket mundësisë ligjore për një gjë të tillë.

Ka elemente të bollshme se në Kosovë, forcat paramilitare policore e ushtarake kanë kryer krime, të cilat kanë shume elemente të gjenocidit. Por për t'u vërtetuar këto, duhet të punohet. Gjenocid konsiderohet krimi i cili ka për qëllim që tërësisht apo një pjesë të atij kombi, race a feje ta zhdukë, ose tërësisht, ose një pjesë, siç ka ndodhur në Kosovë. Për bazë në këto raste merret Konventa për Parandalimin dhe Ndëshimin e Gjenocidit, e cila është miratuar në Kombet e Bashkuara në vitin 1949, atë formulim e ka edhe Kodi ynë Penal, sepse të njëjtin e ka marrë”, deklaroi Ismet Salihu për gazetën Nacionale.

Ndërsa sa i përket konkretizimit të aktpadisë, profesori Salihu ka thënë se është tejet i pakënaqur me qeverinë aktuale. Sipas tij, po punohet tepër ngadalë në këtë aspekt.

Këta po kan qejf, dëshirë, por me e përgatitë aktpadinë për gjenocid duhet të punohet së paku 3-4 vjet, në mënyrë sistematike prej 10 deri në 12 ekspertëve, në mënyrë që të grumbullohen, sistemohen, argumentohen e dokumentohen të gjitha provat, në mënyrë që të fillohet procedura për ngritjen e padisë për gjenocid”, tha profesori Salihu.

“Qeveria e re e ka pasë në program parazgjedhor një premtim të tillë, por ngadalë janë duke shku. Një vit e gjysmë po kalon, nuk po punohet siç duhet në atë drejtim. Keq, shumë keq u bë. Po nervozohem me këtë mospunë”, përfundoi Ismet Salihu.

Çka veproi deri më tash Qeveria?

Gazeta Nacionale ka provuar të kontaktojë me zëdhënësin e Qeverisë, meqenëse kjo kompetencë bie mbi Zyrën e Kryeministrit, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. As nga Ministria e Drejtësisë nuk i janë përgjigjur pyetjeve tona.

Kujtojmë se, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13.500 persona. E muaji më i trishtë ishte ai i prillit të vitit 1999, kur u vranë 4.082 persona.

Padia për gjenocid ndaj Serbisë vazhdon të jetë ndër temat më të paqarta në vend.

Dyshimet për ligjshmërinë e një akti të tillë, meqenëse Kosova nuk është anëtare e OKB-së, e dyshime për vullnetin politik në lidhje me këtë temë vazhdojnë ta përcjellin debatin publik.

Në anën tjetër, Qeveria shpeshherë refuzon të përgjigjet për specifikat e temave të ndërlikuara si kjo.

Një gjë është e sigurt: padia për Gjenocid kundër Serbisë ka qenë ndër zotimet kryesore të partisë në pushtet, e mandati i kësaj Qeverie, të paktën ai i rregullti, mbaron pas më pak se dy viteve e gjysmë. Deri atëherë, Qeveria e Kosovës ka kohë ta hedhë në letër këtë padi, e cila mund të ndihmohet edhe nga Instituti për Krime Lufte, që është në rrugë e sipër për t'u finalizuar.

Lajme të ngjashme