Inati i Vjosa Osmanit: nuk publikon asnjë foto me Ramën nga Samiti i Pragës - NACIONALE

Inati i Vjosa Osmanit: nuk publikon asnjë foto me Ramën nga Samiti i Pragës

1 vit më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka vazhduar inatin me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

As në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian, i cili është mbajtur në Pragë të Çekisë, ajo nuk është takuar me shefin e qeverisë shqiptare.

Në këtë samit, ajo ka zhvilluar dhjetëra takime me homologët e saj të shteteve evropiane, por jo edhe me kryeministrin e Shqipërisë.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka publikuar rreth 20 fotografi dhe në asnjërën prej tyre nuk shihet Edi Rama.

Krahas liderëve nga mbarë Evropa në samitin inaugurues të Komunitetit Politik Evropian për të shprehur përkushtimin tonë për paqe të qëndrueshme dhe të ardhmen tonë euroatlantike!”, ka shkruar Osmani në shkrimin e saj, ku tregon se është takuar me liderët e shteteve me të fuqishme evropiane, por jo edhe me kryeministrin e Shqipërisë.

As ky i fundit nuk ka postuar në rrjetet e tij sociale fotografi me presidenten e Kosovës.

Megjithatë, Rama e ka publikuar fotografinë familjare të samitit, në të cilën shihet edhe presidentja Vjosa Osmani. Kjo e fundit nuk e ka publikuar as fotografinë familjare të samitit.

Prerja e fotografisë

Kjo nuk është hera e parë që Vjosa Osmani i tregon inatet me kryeministrin shqiptar. E njëjta gjë kishte ndodhur edhe në Samitin e Selanikut, i cili ishte u mbajt në muajin qershor të këtij viti.

As në këtë samit, ata nuk kishin realizuar ndonjë takim dypalësh. Përveç që nuk njoftuan se kishin ndonjë takim, në publikimet e tyre në rrjete sociale, ata u kujdesën që ta shfaqnin haptazi ftohjen e raporteve. Madje, në postimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë shihet vetëm në gjysmën e trupit e me pamje mjaft nervoze.

Prerja e fotografisë, në të cilën ishte kryeministri Rama, kishte nxitur reagime të shumta në Kosovë dhe Shqipëri. Me këtë rast, shumë njohës të rrethanave politike i kishin rikujtuar Osmanit se ajo është presidente e Kosovës dhe se raportet personale me udhëheqësit e Shqipërisë nuk duhet të ndikojnë në raportet Kosovë - Shqipëri.

Kritikat e Osmanit ndaj Ramës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk ka ngurruar që edhe publikisht ta kritikojë kryeministrin Rama. Gjatë qëndrimit në ShBA, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Osmani kishte thënë se Rama po ia shpëton fytyrën Serbisë.

Kritikat e Osmanit kishin ardhur një ditë pasi Rama e kishte mbrojtur ish-presidentin Hashim Thaçin, në fjalën e tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.

Unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë, pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve. Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet pro-ruse të Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia, që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në atë që quhet politika e ‘face-saving’, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit”, kishte thënë Osmani.

Osmani nuk kishte thënë asnjë fjalë për fjalimin e Edi Ramës në Asamblenë e OKB-së.

Fjalimin e Ramës në OKB e kishin përshëndetur shumë përfaqësues të partive opozitare në Kosovë, por jo edhe ndonjë zyrtar shtetëror.

Presidentja Osmani është kritikuar edhe për faktin se nuk kishte thënë asnjë fjali për veprimin e Shqipërisë – dorëzimin e rezolutës kundër Dick Marty-t në Këshillin e Evropës.

Lajme të ngjashme