Raportet e Shqipërisë dhe Kosovës shihen në këto dy fotografi, si e paraqitën njëri-tjetrin Rama e Osmani? - NACIONALE

Raportet e Shqipërisë dhe Kosovës shihen në këto dy fotografi, si e paraqitën njëri-tjetrin Rama e Osmani?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Se raportet ndërmjet Kosovës e Shqipërisë nuk janë më të mirat të mundshme, është pothuajse sekret publik. Njëra nga arsyet, s’ka dyshim që ndërlidhet edhe me Ballkanin e Hapur. Ftohtësia e liderëve të Kosovës e Shqipërisë, ka nisur të vërehet edhe në tryeza e organizime ndërkombëtare.

Një gjë e tillë ndodhi në Samitin SEECP (procesi i bashkëpunimit të Evropës Juglindore), që u mbajt mbrëmë në Selanik të Greqisë. Atje ishin kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ata përveç që nuk njoftuan se kishin ndonjë takim të ndarë mes vete, në publikimet e tyre në rrjete sociale, u kujdesën që të shfaqin haptasi ftohjen e raporteve.

Në më shumë se 15 fotografi të publikuara nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentja e Kosovës, shihet vetëm në një prej tyre. Në disa fotografi, Rama shihet me Vuçiqin, e në disa tjera me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kurse, në anën tjetër, në postimin e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë shihet vetëm në gjysmën e trupit, e me pamje mjaft nervoz, shkruan gazeta Nacionale.

“Kosova është e bekuar me mbështetjen nga Kancelari Scholz dhe miqësinë me Republikën Federale të Gjermanisë”, ka shkruar Vjosa Osmani në postimin e saj në facebook.

“*në darkën e punës së pjesëmarrësve në Samitin e SEECP (procesi i bashkëpunimit të Europës Juglindore)”, ka shkruar Edi Rama në anën tjetër.

Raportet jo shumë të mira ndërmjet Osmanit e Ramës fillin e kanë pasur qysh nga koha e shkëmbimit të territoreve, e pastaj te Mini-Schengeni Ballkanik që sot njihet si Ballkani i Hapur.

Një pritje e ftohtë i ishte bërë president Osmani në vitin 2020. Në një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, Osmani kishte sulmuar indirekt Ramën për iniciativën e Ballkanit të Hapur.

“Sot dialogu me Serbinë është ende i pambyllur ne jemi të vendosur që të dialogojmë vetëm për njohjen e ndërsjellë, duke respektuar integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit, duke e njohur dhe pranuar paprekshmërinë e territorit, rregullimin kushtetues dhe nivelin e organizimit politik. Kosova nuk mund ta shpërblejë Serbinë me territor të saj e as me koncesione të tjera, për politikën gjenocidale që Serbia kishte ndaj nesh. Serbia duhet të pendohet, të kërkojë falje e të dënohet. E jo të shpërblehet. Dhe kjo duhet të jetë e qartë për këdo dhe ta themi me zë të lartë këtu e në çdo vend tjetër të botës”, kishte thënë presidentja e Kosovës.

E kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, sërish nuk e la pa reaguar. Kishte thënë se qëndrimi i Osmanit ishte më shumë elektoral për të mbledhur vota.

“Jam përpjekur edhe publikisht pa dashur të rëndoj askënd. Është tipike ajo që ndodh me qasjen ndaj Shengenit rajonal ku një nga shtylla e politikës së jashtme që ka të bëjë me politikën rajonale është bërë si kalaja e Rozafës në Kosovë. Për mua është e pakonceptueshme që një qeveri legjitime të firmosi vullnetin e shtetit të Kosovës në Shtëpinë e Bardhë për shengenin dhe një presidente në detyrë shfaqet në Shqipëri të bëjë politikë të brendshme me këtë. Akoma më grotesk është debati për traun.Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i vendosur për Kosovën. Kjo është të bësh politikë me një çështje administrative me vendin fqinj, të vish në Tiranë, të bësh propagandë për të fituar vota në Kosovë. Ai tra atje nuk është kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës. Nëse për zonjën Vjosa atdheu është Kosova dhe Shqipëria. ky tra është në mes të atdheut dhe duhet ta paguajnë të gjithë atdhetarët”, kishte thënë Edi Rama.

E nga Selaniku, Edi Rama sërish foli për Ballkanin e Hapur.

“Natyrisht që rimarrja e Procesit të Berlinit pas ndryshimit në kancelari dhe riangazhimi i Kancelarisë dhe personalisht i kancelarit gjerman për Procesin e Berlinit është një lajm i mirë. Procesi i Berlinit është një le të themi, vijë sjelljeje e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe është një hapësirë ku janë vendosur si të thuash ato piketa të cilat janë objektiva konkretë dhe nxitje për punë konkrete në Ballkanin e Hapur. Pra, Procesi i Berlinit dhe Ballkani i Hapur jo vetëm që nuk janë dy nisma kundërshtuese, nuk janë as dy nisma konkurruese, po janë dy nisma komplementare ku njëra është në një nivel parimor, tjetra është në nivel konkret. Ballkani i Hapur është një njësi e zbatimit të Procesit të Berlinit”, ka thënë Rama në një intervistë për TVSH nga ‘Darka e Selanikut’ në Greqi.

Në fakt, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dallime për Ballkanin e Hapur ka edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në samitin e fundit që u mbajt pak ditë më parë në Ohër, Rama sërish i bëri thirrje Kosoës të bashkohet. Në të kundërtën sipas tij, kushdo që e kundërshton këtë iniciativë, do të mbetet i zhgënjyer.

“Kosova është sovrane dhe i merr vendimet vetë për veten e vet. Vendi për Kosovën në tryezën e Ballkanit të Hapur është aty, askush nuk e mbush dot nëse nuk e mbush vetë Kosova dhe nuk dua të them asgjë më shumë, sepse çfarë kam pasë për t’i thënë, i kam thënë. Ftesa është gjithmonë e hapur, por respektoj plotësisht vendimin e autoriteteve të Kosovës për të lënë vendin bosh. E respektoj”, tha Rama.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ende po refuzon të bëhet pjesë e inciaitivës që njihet si Open Balkan.

Lajme të ngjashme