Pa numra të plotë e me iniciativë shkarkimi prapa vetes, Abdixhiku me Osmanin i shkojnë Kurtit në takim
Prej njëzet, në pesëmbëdhjetë, tash tetëmbëdhjetë mandate është bilanci i peshës elektorale që del nga zgjedhjet për Lidhjen Demokratike e Kosovës në tre procese zgjedhore të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku si kryetar partie. Pesë vite timonin e udhëheqjes së partisë në lëkundjen mes 15 dhe 20 mandateve, Abdixhiku e gjen veten sërish nën dyshim të madh nga rreth gjysma e partisë së tij se a duhet të qëndrojë apo të lirojë karrigen e të parit të partisë. Me rreth 160 nënshkrime të mbledhura për hedhjen e tij në votë mosbesimi në Kuvend Zgjedhor–nevojiten 177 vota si shumicë e thjeshtë nga 355 delegatë–Abdixhiku para e prapa vetes përballet me zhvotim kryetarllëku. Por, pavarësisht mungesës së këtij trungu të madh të legjitimitetit brendapartiak, ai, bashkërisht me Vjosa Osmanin, shkoi në takim me Albin Kurtin e Vetëvendosjes për të biseduar për formim të institucioneve për një “marrëveshje politike.” Me tetëmbëdhejtë mandate formalisht, dhe me katër që dihen publikisht që nuk i zotëron, Abdixhiku s’i ka numrat për t’ia përmbushur Kurtit synimin për zgjedhjen e Presidentit, për ç’gjë duhen minimalisht 80 vota. Me Vetëvendosjen dhe pakicat jo-serbe që bëhen 62 vota, dhe me LDK-në pa katër vota që dihen që s’i ka, bëhen vetëm 76. Megjithëkëtë, ai tha se u pajtua me Kurtin “që të vazhdojmë komunikimin.”
Katër zyrtarë të lartë të LDK-së janë distancuar publikisht nga linja e afërt e Abdixhikut me Osmanin.
Bëhet fjalë për Hykmete Bajramin, Janina Ymerin, Avdullah Hotin dhe Armend Zemajn.
Zemaj njoftoi vetë, pas mbledhjes së fundit të LDK-së, se janë mbledhur "mbi 150 nënshkrime" për shkarkimin e Abdixhikut.
"Unë i takoj një dege që ka dhënë vendim unanim që duhet të ketë zgjedhje të parakohshme," tha Zemaj.
Sipas tij, kërkohet reflektim mbi procesin zgjedhor të qershorit, "duke filluar nga kryetari deri te nëndegët".
Zemaj tha se janë "më shumë se 150 nënshkrime" që kërkojnë Kuvend të jashtëzakonshëm në LDK.
Ai shtoi se nuk ka njohuri nëse nënshkrimet janë deponuar zyrtarisht ende në parti.
Sipas Zemajt, kishte edhe mendime kundërt, që i japin përkrahje kryetarit "që të vazhdojë më tutje".
Deputetja e zgjedhur Janina Ymeri u pyet nëse do të qëndrojë në sallë gjatë votimit për President.
Në Facebook, ajo u përgjigj se "kjo varet se kush bëhet president".
Sipas saj, votimi varet nga rrjedha e ngjarjeve, e sidomos nga eventuale kriza apo trazira.
Ajo theksoi se marrëveshja politike "nuk do të thotë që mbivendoset" mbi votën e votuesve të saj, "votën e 27,480 votuesve për Janina Ymeri".
Kryetari i LDK-së tha se ka shqyrtuar rezultatet zgjedhore, pas mbledhjes së Kryesisë qendrore.
I pyetur për iniciativën e shkarkimit, ai tha se ende nuk është dorëzuar asnjë kërkesë zyrtare.
"Në LDK nuk është dorëzuar asnjë nënshkrim formalisht."
Ai shtoi se zgjedhjet e rregullta për kryetarin janë parashikuar për vitin e ardhshëm, sipas Statutit.
"Ne kemi dalë prej një Kuvendi më 31 janar dhe një parti serioze matet me sa i përmbahet zotimeve të veta," tha Abdixhiku.
"Çfarëdo nënshkrimi që deponohet, unë menjëherë, me Statut, e thërras Kuvendin. Ne s'jemi as të përhershëm e as qëndrojmë me forcë," tha ai.
Ai u bëri thirrje strukturave të partisë që debatet të zhvillohen brenda organeve të LDK-së.
"Do të doja që LDK të merret sa më pak me çështje që ndajnë LDK-në. Nuk e dua ndarjen e LDK-së," përfundoi Abdixhiku.