ShBA shkarkon fuqinë ushtarake mbi Iranin pasi mbyllën Ngushticën e Hormuzit, “tash do ta paguajnë”
Shtetet e Bashkuara nisën ofansivë të gjerë ushtarake kundër Iranit të shtunën, pasi Teherani sulmoi një anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit dhe shpalli mbylljen e saj, sipas autoriteteve amerikane.
Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, justifikoi menjëherë operacionin.
“Irani bëri zgjedhje të gabuar. Tani do ta paguajë”, shkroi ai në rrjetin social X.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se forcat amerikane goditën 140 objektiva, përfshirë baza raketore dhe dronësh, mjete detare, depo municionesh, rrjete komunikimi dhe pozicione mbikëqyrjeje.
Sipas CENTCOM-it, më shumë se 300 objektiva janë goditur që nga 6 korriku, kur Irani, sipas Uashingtonit, shkeli armëpushimin duke sulmuar anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Sulmet erdhën pasi Marina e Gardës Revolucionare Islamike sulmoi anijen transportuese M/V GFS Galaxy, me flamur të Qipros.
Një anëtar civil i ekuipazhit rezulton i zhdukur, ndërsa anija pësoi dëme të mëdha në dhomën e motorëve, sipas ushtrisë amerikane.
Zyrtarët amerikanë thanë se Irani sulmoi edhe mjete të tjera lundruese, ndërsa forcat amerikane rrëzuan disa dronë.
“Iranit iu dha edhe një mundësi për të respektuar Memorandumin e Mirëkuptimit pasi ishte mbajtur përgjegjës për sulmet e mëparshme ndaj anijeve tregtare, por dështoi sërish”, thuhet në deklaratën e CENTCOM-it.
Mediat shtetërore iraniane raportuan shpërthime në Bushehr, Çabahar dhe Asalujeh, si edhe goditje ndaj objekteve ushtarake në Dejr.
Sulme u raportuan gjithashtu në Kagan, pranë fushës së gazit South Pars, në Jask dhe në qytetin Kerman.
Pas ofensivës amerikane, Irani nisi kundërsulme ndaj disa aleatëve të SHBA-së në Lindjen e Mesme.
Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se vendi u sulmua me raketa dhe dronë iranianë.
“Mbrojtja ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe është duke përballuar sulme me raketa dhe dronë të ardhur nga Irani”, thuhet në deklaratë.
Mediat shtetërore iraniane thanë se baza ajrore Prince Hassan në Jordani u godit me raketa balistike.
Garda Revolucionare pretendoi se shkatërroi një qendër komanduese dhe disa depo dronësh në bazë.
Katari njoftoi se mbrojtja ajrore interceptoi një sulm me raketa, ndërsa sirenat e alarmit u aktivizuan edhe në Bahrein.
Irani kishte paralajmëruar më herët se çdo sulm amerikan do të përballej me një “përgjigje të ashpër” dhe se do të goditeshin “baza të reja armike” në rajon.
Garda Revolucionare tha se ndaj M/V GFS Galaxy ishte qëlluar vetëm një “e shtënë paralajmëruese”, pasi anija po lundronte në një “rrugë të paautorizuar”.
“Pas këtij incidenti, Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të dytë dhe deri në përfundimin e ndërhyrjeve amerikane në këtë zonë. Asnjë anije nuk do të lejohet të kalojë”, thuhet në deklaratën iraniane.
Sulmet ndodhën një ditë pasi administrata Trump i kërkoi Teheranit të garantonte publikisht se Ngushtica e Hormuzit do të mbetej e hapur dhe se nuk do të kishte sulme të tjera ndaj anijeve tregtare.
Pak orë para përshkallëzimit, përfaqësues të Iranit dhe Omanit u takuan në Muskat për të diskutuar një propozim për ndarjen e Ngushticës së Hormuzit në dy korridore administrimi, një nën kontrollin iranian dhe tjetrin nën administrimin e Omanit.