Osmani kritikon Ramën: Po ia shpëton fytyrën Serbisë - NACIONALE

Osmani kritikon Ramën: Po ia shpëton fytyrën Serbisë

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për Zërin e Amerikës, ndër të tjera u pyet edhe për raportet me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili para disa ditësh tha se nuk duhet t’i bëhet presion Serbisë që t’i vendosë sanksione Rusisë.

Osmani nuk tregoi se a është takuar me Ramën në New York dhe për raportet e tyre, mirëpo tha se mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare.

“Mosmarrëveshjet janë të natyrës zyrtare për temat që i përmenda, natyrisht që raportet ndërpersonale mes politikanëve janë komplet të parëndësishme, por çka është e rëndësishme janë raportet mes shteteve”, tha Osmani.

Sipas saj “nuk është aspak e drejtë” që të arsyetohet Serbia se pse nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Siç duket kjo është një përgjigje për Edi Ramën, pasi ai disa ditë më parë (14 shtator) tha se nuk duhet bërë presion ndaj saj.

Sipas Osmanit, “kjo shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, (shpëtimit të fytyrës) së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit”.

“Prandaj po them që raportet mes Kosovës dhe Serbisë si dy shtete janë të rëndësishme dhe jo raportet mes politikanëve individual. Unë e përmenda se cilat janë dallimet tona, unë nuk mendoj që qasja ku politikanët shqiptarë pavarësisht se a janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut Mali i Zi, Presheva, shndërrohen në apologjetikë të politikave të Serbisë, është diçka që i ndihmon qoftë Kosovës, qoftë shqiptarëve".

Personi numër një i vendit gjithashtu ka thënë nuk duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë.

Nuk mendoj se është e drejtë që të arsyetohet qasja dhe veprimet proruse e Serbisë, nuk mendoj aspak se është e drejtë që të arsyetohet Serbia që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, sepse kjo pastaj shkon në ato që quhet politika e “facesaving”, shpëtimit të fytyrës së një regjimi në Serbi, që ka shërbyer edhe në kohën e Millosheviqit. Po ashtu nuk mendoj që duhet të reduktohen krimet që janë kryer në Kosovë në ‘spastrim etnik’, pasi ajo që ka ndodhur në Kosovë është gjenocid dhe duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë”.

Përkundër kësaj, presidentja pohoi se raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë do të jenë vëllazërore.

"Marrëdhëniet vazhdojnë të jenë vëllazërore. Kosova ka pasur fatin që gjithnjë ta ketë përkrahjen e fuqishme të Shqipërisë në çdo forum ndërkombëtar ku ne ende nuk kemi ulëse për shkak të bllokadës ruso-serbe dhe kjo ka ndodhur për vite të tëra edhe para pavarësisë por edhe pas pavarësisë, prandaj kjo përkrahje vazhdon, bashkëpunimi ynë vazhdon, pavarësisht dallimit që kemi për çështjen e “Ballkanit të Hapur”.

Lajme të ngjashme