Iniciativa e mbështetur fuqishëm nga Amerika u 'shqelmua' nga presidentja Osmani - NACIONALE

Iniciativa e mbështetur fuqishëm nga Amerika u 'shqelmua' nga presidentja Osmani

1 vit më parë

nga Jetlir Buja

Dhimbjet e luftës vazhdojnë ta përndjekin Kosovën. Por, jo edhe presidenten e saj Vjosa Osmanin që si duket ka vendosur 'të shqelmojë' iniciativën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin që ishte mbështetur fuqishëm nga ShBA-ja dhe faktorët tjerë ndërkombëtarë.

Marek Antoni Nowicki, Joanna Hanson dhe Presidenca janë kontaktuar nga z. Jetlir Buja, ndërsa Ardian Arifaj është kontaktuar nga z. Mirlind Behluli.

Në vitin 2017, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi do të ndërmerrte iniciativën për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin (më poshtë mund ta shihni edhe me akronimin KVP). Marrë parasysh sa të rëndësishme kishin qenë komisionet e tilla në vende të tjera të botës të dala nga konflikte të përgjakshme, veçanërisht në Afrikë të Jugut, iniciativa çoi shumë pluhur edhe në vendin tonë. Por, presidentja Osmani si duket e ka vënë atë iniciativë në sirtar përkundër punës së madhe që thuhet të jetë bërë nga Ekipi Përgatitor.

“Iniciativa është tepër e rëndësishme që thjesht të vendoset në ndonjë sirtar, pa asnjë fjalë,” – tha në fund të një bisede për Nacionalen ish pjesëtari i Iniciativës dhe ish Ombudspersoni i Kosovës, Marek Antoni Nowicki.

Pikërisht asnjë fjalë nuk e ka thënë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, për këtë iniciativë. Të kontaktuar nga Nacionalja, përkundër që premtuan se do të “interesoheshin” e do të "lajmëronin" asnjë fjalë nuk e thanë dy anëtarët e kontatuar të Presidencës.

Nacionale merr vesh se në Presidencën e Vjosa Osmanit ka pasur mospajtime në lidhje me iniciativën në fjalë. Duke qenë se themelimi i Komisionit ka një mbështetje të fuqishme nga ShBA-të, ai që e ka përkrahur brenda stafit të presidentes ka qenë vetëm Blerim Vela. Por, e këtij mendimi nuk ka qenë presidentja Vjosa Osmani, çka ka bërë që të mbërrinim në situatën aktuale.

I pyetur për atë që ka ndodhur deri tash, ish këshilltari i z. Thaçi që kryesonte me Ekipin Përgatitor për themelimin e Komisionit u shpreh se nuk ka informata.

“Nuk kam informata se ku ka mbetur dhe çfarë ka ndodhur me punën e Ekipit Përgatitor për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.”

Në anën tjetër, asgjë nuk di as Joanna Hanson, një kontribuese në proces dhe avokuese për drejtësinë tranzicionale.

“Ky trup, megjithatë, është mbase brenda sferës së presidentes Osmani tani. Nuk ka asnjë shenjë nga ana e saj nëse mund të bëjë ndonjë lëvizje lidhur me këtë.” – komentonte në një opinion ajo derisa jepte kritikat e saj për heqjen e drejtësisë tranzicionale nga narrativa e pushtetit.

Amerika, mbështetëse e madhe

Për të marrë vesh më shumë në lidhje me iniciativën për Komisionin, gazeta Nacionale ka kontaktuar me znj. Joanna Hanson, z. Marek Antoni Nowicki dhe ish kryesuesin e Ekipit Përgatitor nga zyra e Presidentit Thaçi, Ardian Arifajn.

“Ekipi Përgatitor ka përgatitur draft-dokumentet që do të duhej të rregullonin themelimin dhe funksionimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, pra draft-statusin, draft-buxhetin, draft-organogramin. Ka përgatitur edhe kriteret për zgjedhjen e anëtarëve të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim.” – na informoi fillimisht Arifaj.

Sipas tij, kjo iniciativë dhe i gjithë procesi përcjellës kanë pasur mbështetje të fuqishme ndërkombëtare.

Ky pretendim është mbështetur edhe nga z. Nowicki, që u shpreh si vijon:

“Ekipi Përgatitor mbështetej në këto përpjekje nga një numër top ekspertësh ndërkombëtarë. Po ashtu, ata mbështeteshin në forma të ndryshme nga misioni i OSBE-së, ShBA-ja, Zvicra dhe disa shtete tjera.”

Puna e bërë – shumë e madhe

Joanna Hanson, kontribuese në iniciativë, është shprehur se Ekipi Përgatitor ka bërë punë të madhe përgjatë kohës sa funksiononte.

“Një punë shumë e madhe është bërë në draftimin e Aktit që ende mbetet si draft. Është konsultuar gjerësisht në mbarë Kosovën dhe me akterët ndërkombëtarë. Drafti u publikua në vitin 2020. Kishte diskutime nëse krijimi i Komisioniet duhej të miratohej nga Kuvendi e jo përmes një dekreti presidencial. Por, kjo e fundit ishte larg më e preferueshme.” – tha ajo.

Në anën tjetër, përgjigja e z. Nowicki ishte si vijon:

“Në këtë rast, fatkeqësisht, ne mund të flasim për punën përgatitore, edhe pse ishte (punë) e avancuar dhe prodhoi shumë rezultate konkrete që meritojnë të theksohen këtu.

"Ekipi Përgatitor – që vepronte nën Ombellën e Zyres së Presidentit të kryesuar nga z. Ardian Arifaj – përbëhej nga një grup i jashtëzakonshëm ekspertësh në Kosovë të njohur për angazhimin e tyre në drejtësi tranzicionale, përfshirë ata që vinin nga shoqëria civile. Ata kanë bërë punë të madhe në hartimin konceptual të aspekteve kyçe të mekanizmit të KVP-së. Ata mbështeteshin në këto përpjekje nga një numër i top ekspertëve ndërkombëtarë.”

Ai ka kërkuar madje ë Ekipi Përgatitor edhe të marrë mirënjohje për punën e bërë.

"Më duhet të shfrytëzojë këtë mundësi për të ndarë ndjenjën që kam se anëtarët e Ekipit Përgatitor të KVP-së duhet të marrin ndonjë farë njohje dhe vlerësimi publik që e meritojnë për punën e bërë për Kosovën dhe popullin e saj."

Duhet thënë që shumë akterë politikë në vend kishin shprehur skepticizëm për iniciativën bazuar në autorin e nismës, z. Hashim Thaçi, i cili në nëntorin e vitit të kaluar do të akuzohej për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Por, z. Nowicki është i prerë në qëndrimin e tij se Komisioni ishte paraparë të mbahej larg ndikimit eventual politik nga qeveria apo kushdo tjetër.

“Deri në kohën kur reshti aktivitetet e saj, Ekipi Përgatitor kishte kryer krejt seritë e takimeve konsultative në komunitete të ndryshme në Kosovë, së pari për shkak të nevojës për një iniciativë të tillë dhe konceptin e saj e më pas edhe për draft-ligjin mbi KVP-në që po përgatitej. Këtu më duhet të theksoj se ishte e qartë prej fillimit se, megjithëse ishte iniciativë presidenciale, mekanizmi i KVP-së sapo të themelohej do të operonte në mënyrë krejtësisht të pavarur dhe, në këtë kuptim, do t’i përkiste shoqërisë së Kosovës, pa asnjë lidhje, institucionale apo çfarëdoqoftë, me qeverinë apo konfigurimet tjera politike. Nuk kishte asnjë mëdyshje për një gjë të tillë në asnjë fazë të procesit përgatitor.

Dorëheqja e presidentit për t’u përballur me krime të luftës në Hagë ndërpreu punën e Ekipit Përgatitor dhe, si rrjedhojë, puna e mëtejme në KVP-në u ndërpre. Deri atëherë, megjithatë, brenda një periudhe të shkurtër kohore, ishte arritur shumë.” – na tha ai.

Rëndësia e Komisionit

Derisa raportet ndër-etnike vazhdojnë të jenë të tensionuara në Kosovë, kjo mund të jetë edhe një pasojë e luftës dhe krimeve të kryera gjatë asaj periudhe.

Përkundër zotimit të kryeministrit Kurti se do të niste një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës para se të riniste dialogun me Serbinë në Bruksel, pak shenja vërehen në horizont. Në anën tjetër, presidentja e vendit Vjosa Osmani nuk ka bërë asnjë komunikim me qytetarët dhe përfaqësuesit serbë të vendit.

Ish Ombudspersoni Marek Antoni Nowicki shprehet për Nacionalen si vijon:

“Që nga fillimi, kur më 2017, me iniciativën e presidentit Thaçi unë vendosa – pavarësisht disa hezitimeve – që të mbështesja iniciativën për Komisionin për Të Vërtetën dhe Pajtimin (KVP), përgjigja ime për këtë pyetje ka mbetur e njëjta. Arsyeja është që ishte evidente për mua se përpjekjet për të vërtetën dhe krijimin e kushteve për pajtimin në të ardhmen – të zorshme, por të nevojshme – në Kosovë duhet të gjejnë vendin e tyre të rëndësishëm në procesin e hapjes së një të ardhmeje stabile, prosperuese Evropiane për Kosovën dhe popullin e saj, pavarësisht etnisë.

E shoh iniciativën për KVP-në nga perspektiva e përvojës sime si Ombudsperson këtu (në Kosovë) në ditët e hershme të vështira e traumatike të Kosovës së re, nën protektoratin ndërkombëtar në atë kohë, dhe më pas edhe si President i Panelit Konsultativ për Të Drejta të Njeriut nga OKB. Në këto role, kisha detyrën që të merresha me problemet më serioze njerëzore dhe vuajtjet me të cilat përballej populli i Kosovës.

Të mësuarit e të vërtetës është parakusht për pajtimin në të ardhmen në të cilën besoj vendosmërisht. Edhe pse e vërteta nganjëherë mund të jetë shumë e dhimbshme, duhet të jemi gati, qoftë si individë e qoftë si komunitet, që ta konfrontojmë dhe t’i pranojmë krejt pasojat e fakteve të së kaluarës që zbardhen. Brenda një procesi të tillë, nuk ka hapësirë për ndonjë përpjekje selektive ndaj të kaluarës, madje edhe në aspektet më të errëta të saj. Një prej sfidave kryesore është komploti i heshtjes – në një anë: edhe i natyrshëm edhe i njohur prej shumë vendeve dhe periudhave të ndryshme në histori; por në tjetrën – jo me ndonjë ndihmë në kontekstin e çfarëdo përpjekjesh që po bëhen për të ndërtuar raporte më të mira të bazuara te e vërteta në shoqëri. Për më shumë, është e papranueshme që familjeve të viktimave të shkeljeve më serioze të kryera në të kaluarën të ju duhet të kërkojnë dëshpërimisht të vërtetën dhe drejtësinë. Pas kaq shumë vitesh!”

Fantazma

Edhe më tej një pjesë e popullit të Kosovës, pavarësisht grupit etnik që i takon, vazhdon të lëngojë nga dhimbjet që iu shkaktuan gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999.

Adresimi i këtyre dhimbjeve vazhdon të mos jetë i duhuri në një anë, derisa shoqëria vazhdon të mos jetë e gatshme për ballafaqim me të kaluarën e saj traumatike. Në ndërkohë, politika vazhdon të keqpërdor po këto dhimbje për të rritur narrativat nacionaliste e urrejtëse.

Nowicki kujton “dhimbjen fantazmë” për të cilën kishte shkruar në vitin 2005.

Në vitin 2005, në “Koha Ditore”, kam shkruar për të ashtuquajturën “dhimbje fantazmë” që rëndonte në ndërgjegjen kolektive të të gjitha komuniteteve në Kosovë. Ajo ndihet nga shumë njerëz këtu për shkak të traumës së kujtimeve të dhimbshme, nga një e kaluar relativisht e re ende, veçanërisht kur plagët mbesin të hapura. Në veçanti, por jo vetëm, kur mendojmë për familjet e të zhdukurve. Dikush mund të pyes se deri kur do të përjetohet kjo dhimbje fantazmë: një, dy, tri gjenerata? Është e rëndësishme të rikujtojmë që nuk po flasim vetëm për raportet më të dhimbshme shqiptaro-serbe, por edhe për ato të komuniteteve tjera. Është po ashtu e rëndësishme të kujtojmë plagët e hapura mes grupeve të ndryshme te vetë shqiptarët e Kosovës.

Se çka ka ndodhur e çka do të ndodh me punën e Ekipit Përgatitor për Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit, dhe nëse ky Komision do të themelohet, mbetet për t’u parë.

Vjosa Osmani është presidente e Kosovës me mandat të plotë prej datës 4 prill 2021, derisa ka ushtruar detyrën e presidentes prej ditës kur Hashim Thaçi vendosi të jepte dorëheqje më 5 nëntor 2020.

Lajme të ngjashme