LVV mban të fshehtë numrin e votave, Nacionale merr vesh se numri i tyre ishte shumë i vogël - NACIONALE

LVV mban të fshehtë numrin e votave, Nacionale merr vesh se numri i tyre ishte shumë i vogël

1 vit më parë

nga NACIONALE

Lëvizja Vetëvendosje mbrëmë mbajti procesin e brendshëm zgjedhor, me ç'rast votoi për kryetarin e ri të partisë, që rastisi të jetë po ai i vjetri.

Albin Kurti fitoi me 98.60 për qind të votave, kundrejt 1.4 për qind që nuk votuan për të.

Veç kryetarit, anëtarët e Lëvizjes sipas rregullores: një anëtar, një votë, zgjodhën Albulena Haxhiun si të parën e Forumit të Gruas dhe Behar Jasharin si të Rinisë.

Fitoren e kryeministrit aktual e konfirmoi vet faqja zyrtare e partisë përmes një komunikate të vonshme.

"Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se procesi ka kaluar në mënyrë të rregullt si rezultat i një pune të madhe që është bërë gjithandej nëpër qendrat e Lëvizjes", shkruhej ndër të tjerash.

Megjithatë, numri i anëtarëve që ka dalur në zgjedhje rezulton të jetë tejet i vogël.

Për komunën e Prizrenit veçse dihet, pasi ishte aktivisti Fatih Përzhella që ka konfirmuar një gjë të tillë.

Por, kryeqyteti historik nuk duket të jetë i vetmi. Siç merr vesh Nacionale përmes një dokumenti të siguruar, dalje e përafërt ose edhe më e keqe ka qenë në komunat tjera.

Madje, ka pretendime se në disa prej komunave ka manipulime të rezultatit, siç është rasti me Ferizajn, ku sipas të njëjtit raport, atij të mëposhtëm, kandidatja e preferuar e 1-shit të partisë, Fatbardha Zogaj-Reka, ka humbur.

Jo vetëm kaq, në këtë komunë thuhet të ketë humbur edhe Kurti.

Në Prishtinë, njëherit një nga degët më të mëdha, të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 1100 anëtarë, nga gjithsesj 6500 sosh, pra më pak se 20%.

Pak vota bëhet e ditur të ketë marrë edhe Armend Muja. Vetëm 350 anëtarë kanë votuar për të në Mitrovicë, ani pse dega e Lëvizjes në këtë qytet numëron afër 5000 anëtarë.

Për më shumë shikoni foton e mëposhtme:

Kujtojmë se ky proces pati kritika të shumta, pasi kishte nga të atillë aktivistë që edhe u përjashtuan nga lista e votuesve.

Gjithsesi, deri më tani nuk është bërë diçka publike rreth votave, kurse mbetet të shihet se si do të rrjedhin gjërat ditëve në vijim.

Nga shumë opinionistë, Projekt-Kodi Civil po shihet si katalizatori i këtyre problemeve në parti, pasi shumica e kandidatëve të përjashtuar ishin deputetë, ose anëtarë që janë kundër këtij ligji.

Lajme të ngjashme