Vendimet e Kuvendit| Pas mbijetesës me 18 vota, Abdixhiku nis “rregullimin” e LDK-së me “dorë të hekurt”
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), pas Kuvendit ku Lumir Abdixhiku i “mbijetoi” kryetarllëkut, me vetëm 18 vota diferencë, tashmë po përdor “dorën e hekurt” për të vendosur “rregull” në parti.
Menjëherë pasi është kryer votimi, ku është konfirmuar Abdixhiku si kryetar i LDK-së, kanë vazhduar punimet e Kuvendit të LDK-së, ku janë marrë një sërë vendimesh, të cilat duken problematike dhe “hakmarrëse” ndaj të “rebeluarve” të LDK-së, të cilët e kishin thirrur këtë Kuvend në shenjë revolte për rezultatet e dobëta në disa palë zgjedhje nacionale dhe lokale të kësaj partie, ku kërkohej që kryesia të merrte përgjegjësi.
Edhe pse fillimisht, në pikën dy (2), theksohet se kritika apo mendimi ndryshe brenda strukturave partiake mbrohet, pika numër pesë (5) thotë krejt diçka tjetër.
“2. Debati, mendimi ndryshe dhe kundërshtimi politik ushtrohen lirshëm brenda organeve dhe procedurave statutare të LDK-së”, thuhet fillimisht në pikën dy (2).
Mirëpo, pika pesë (5) është problematike, pasi që, siç është theksuar, pas marrjes së një vendimi nga organet kompetente, moszbatimi i tij ose veprimi publik kundër qëndrimit zyrtar të partisë mund të çojë në masa statutare.
“5. Organet përkatëse të LDK-së obligohen të sigurojnë zbatimin e këtij vendimi dhe, kur është e nevojshme, të ndërmarrin masat statutare ndaj shkelësve”.
Gjithashtu, në njërin nga vendimet e këtij Kuvendi, me në krye Lumir Abdixhikun, është edhe dhënia e të drejtës “vetvetes” që të vazhdohet me negociata me Lëvizjen Vetëvendosje, e krejt kjo në emër të “mbrojtjes dhe funksionalizimit të institucioneve të Republikës së Kosovës”.
Këto vendime hynë në kuadër të pik 2 të respektimi dhe zbatimi i vendimeve të shumicës
Këto janë vendimet që LDK ka marrë dje:
LIDHJA DEMOKRATIKE E KOSOVËS
DEKLARATË MBI VENDIMET E KUVENDIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS
Prishtinë, 30 korrik 2026
Kuvendi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, si organi më i lartë vendimmarrës i Partisë,
Duke u mbështetur në Statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe në kompetencat e Kuvendit;
Duke ritheksuar rolin historik dhe shtetformues të LDK-së në ndërtimin, mbrojtjen dhe funksionalizimin e institucioneve të Republikës së Kosovës;
Duke vlerësuar se stabiliteti institucional, ruajtja e rendit demokratik dhe avancimi i orientimit euroatlantik të vendit përbëjnë interesa themelore shtetërore;
Duke riafirmuar se demokracia e brendshme duhet të ushtrohet përmes organeve dhe procedurave statutare, ndërsa vendimet e marra në mënyrë legjitime nga shumica janë të detyrueshme për të gjitha strukturat, zyrtarët dhe përfaqësuesit e LDK-së;
Dhe duke shprehur vendosmërinë për mbrojtjen e vullnetit të lirë të delegatëve, integritetit të proceseve të brendshme dhe standardeve etike të Partisë,
miraton këtë:
VENDIM
I. Stabiliteti institucional dhe përgjegjësia shtetërore
1. Kuvendi përcakton si orientim parësor politik të Lidhjes Demokratike të Kosovës angazhimin për stabilitet institucional, funksionalizimin e plotë të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe shmangien e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale.
2. Kryetari i LDK-së në të gjitha kompetencat e tij statutare, Kryesia aktuale, Këshilli i Përgjithshëm e Grupi Parlamentar angazhohen që, brenda kompetencave të tyre statutare dhe kushtetuese, të ndërmarrin veprimet e nevojshme për realizimin e këtij orientimi të lartpërmendur.
3. Veprimi politik i LDK-së duhet të udhëhiqet nga përgjegjësia e saj shtetformuese, nevoja për ruajtjen e balancës demokratike dhe domosdoshmëria e krijimit të stabilitetit politik e institucional për avancimin e objektivave euroatlantike të Republikës së Kosovës.
4. Çdo angazhim i LDK-së në proceset institucionale duhet të jetë në përputhje me interesin shtetëror, orientimin euroatlantik, programin politik dhe vendimet e organeve kompetente të Partisë.
II. Respektimi dhe zbatimi i vendimeve të shumicës
1. Të gjithë anëtarët, zyrtarët, të zgjedhurit dhe përfaqësuesit e LDK-së obligohen t'i respektojnë dhe t'i zbatojnë vendimet e miratuara nga organet kompetente të Partisë, në përputhje me Statutin, përfshirë dhe këtë të sotmin.
2. Debati, mendimi ndryshe dhe kundërshtimi politik ushtrohen lirshëm brenda organeve dhe procedurave statutare të LDK-së.
3. Pas përfundimit të procesit vendimmarrës, kontestimi publik, pengimi i zbatimit apo veprimi në kundërshtim me vendimet legjitime të shumicës përbën cenim të unitetit institucional dhe të rregullit partiak.
4. Asnjë zyrtar apo strukturë e LDK-së nuk mund të veprojë publikisht në emër të Partisë në kundërshtim me qëndrimet dhe vendimet e organeve të saj kompetente.
5. Organet përkatëse të LDK-së obligohen të sigurojnë zbatimin e këtij vendimi dhe, kur është e nevojshme, të ndërmarrin masat statutare ndaj shkelësve.
6. Pozita partiake, mandati publik apo funksioni institucional nuk mund të shërbejnë si bazë për përjashtim nga përgjegjësia statutare, etike ose ligjore.

