Shqipëria e dorëzon në Këshillin e Evropës rezolutën kundër Dick Martyt, mediat serbe i publikojnë dokumentet - NACIONALE

Shqipëria e dorëzon në Këshillin e Evropës rezolutën kundër Dick Martyt, mediat serbe i publikojnë dokumentet

1 vit më parë

nga NACIONALE

Disa ditë pas miratimit, Shqipëria e ka dorëzuar në Këshillin e Evropës rezolutën kundër raportit të Dick Martyt. Ajo menjëherë është publikuar në mediat serbe.

Në dokumentin e publikuar nga portali Kosovo Online, që ka datën 10 gusht, prezantohet kërkesa për hetime shtesë në lidhje me mungesën e fakteve për raportin e Dick Martyt, sipas të cilit UÇK-ja kishte kryer trafikim organesh.

Në këtë dokument, specifikohet se pretendimet e Dick Martyt nuk kanë arritur të vërtetohen nga asnjë institucion, përfshirë Gjykatën Speciale, transmeton gazeta Nacionale.

“Më 21 korrik 2022, pretendimet e bëra në Raportin Dick Marty për vrasjen e njerëzve me qëllim mbledhjen dhe shitjen e organeve të tyre dhe tregtinë e paligjshme të organeve të njeriut në Shqipëri dhe Kosovë, të cilat janë të listuara në paragrafët 1 dhe 4 të Rezolutës 1782 të KSBE-së , pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Forca Speciale Hetimore e BE-së dhe pasardhësi i saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, mbeten të pagjetura, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte dhe për këtë arsye duhet parë si e tillë nga të gjitha institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare”, thuhet në dokumentin e publikuar nga mediat serbe.

Nota Albanije Savetu Evrope o Rezoluciji o neosnovanosti navoda o trgovini ljudskim organima

Tirana zyrtare ka kërkuar që të hartohet një raport tjetër për të rivlerësuar akuzat e ish-senatorit zviceran.

“Misioni i përhershëm i Shqipërisë kërkon nga përfaqësitë e përhershme të shteteve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës që t’ua përcjellin organeve të tyre kompetente shtetërore Rezolutën mbi akuzat e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri. Misioni i Përhershëm i Shqipërisë në Këshillin e Evropës e përdor këtë mundësi për të përsëritur shprehjet e respektit të thellë ndaj përfaqësive të përhershme të shteteve anëtare dhe shteteve vëzhguese të Këshillit të Evropës”, bëhet e ditur më tutje në këto dokumente.

“Misioni i Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Këshillin e Evropës shpreh komplimentet për përfaqësitë e përhershme të vendeve anëtare dhe vëzhguesit në Këshillin e Evropës dhe ka nderin të informojë se Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi më 21 korrik, 2022, Rezolutën për pretendimet e pabaza për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri”, thuhet aty.

Në gjysmën e muajit korrik, Kuvendi i Shqipërisë kishte votuar rezolutën kundër raportit të Dick Martyt.

Çfarë përmban rezoluta kundër Dick Martyt?

Kuvendi i Shqipërisë, ka propozuar një Projektrezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri, në të cilën kundërshtohen pretendimet e ngritura nga raporti i Dick Martyt për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Projektrezoluta përmban 20 pika mbi të cilat janë nxjerrë konstatime për pabazueshmërinë e pretendimeve të Dick Martyt ndaj luftës së UÇK-së.

Në këtë projektrezolutë thuhet se Kuvendi i Shqipërisë “Konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE-së dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Martyt për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare”.

Gjithashtu, projektrezoluta që pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë, i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të bëjë një rishkrim të rezolutës që është votuar më parë dhe të rivlerësojë pretendimet e Martyt.

“I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet në rezolutën që e ka parë Nacionale.

Përplasjet në Kuvend

Më shumë se 11 vjet që nga koha kur raporti i Dick Martyt u miratua në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Shqipëria ka nisur një betejë të re. Tash po synon hartimin e një raporti të ri, në lidhje me mungesën e fakteve në raportin e Martyt, ku UÇK-ja akuzohet për trafikim organesh.

Megjithatë, përveç një diskutimi për një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, shpërthyen debatet dhe akuzat ndërmjet pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte i ashpër qysh në nisje të fjalimit të tij. Ai akuzoi PD-në se ia kanë ngulur thikën pas shpine ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

“Përpara se të kuturisemi ne në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e aleatëve tanë. Zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e PD-së. Dick Martyt ia keni hapur rrugën ju. Hajdeni dhe tregoni çka mendoni për Hashim Thaçin, është mirë atje në burg. Thikat që ia keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar Thaçin, si terrorist, si marksist-leninis, deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks. Historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj, jeni thika në shpinën e Kosovës”, tha Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

E shqyrtimi i raportit të Dick Martyt shpërtheu edhe një përplasje tjetër. Atë që ka nisur vite më parë. Kryeministri Edi Rama dhe paraardhësi i tij, Sali Berisha, nuk kursyen akuzat deri në ofendime personale. Madje, pati rrezik edhe për përplasje fizike, por ndërhyri sigurimi.

Edi Rama e akuzoi Sali Berishën se e ka furnizuar me naftë Serbinë e Millosheviqit. E akuzoi gjithashtu se ia ka futur thikën Hashim Thaçit.

“Dërgoji tash naftë Millosheviqit atje. E bëje Hashim Thaçin terrorist atje. Dil nga ana tjetër. Futu andej e ktheje Shqipërinë në pronë private, dhe vjen historia përpara e thotë prit more vëlla, o bajraktar. Çfarë krenarie keni për luftën nëse s’keni kurajo ta respektoni komandantin e UÇK-së. Në rrethin e 9 të ferrit po të jetë Thaci, duhet të ngriheni në këmbë kur i përmendet emri”, tha Edi Rama.

Pas kësaj, pa radhë, fjalën e mori kryetari i PD-së, Sali Berisha. E ai, e akuzoi Ramën që e ka dërguar Thaçin në Hagë. Madje e përmendi edhe emrin e Baton Haxhiut.

“Sa i përket arrestimit të Hashim Thaçit, dua t’ju them sot të vërtetën. Në proces të arrestimit të Thaçit qëlloi një trinom - Kremlin, Beograd dhe Tiranë. Ky e mori dhe e futi Thaçin në spiralen e ndryshimit të kufijve në Ballkan”, ka thënë Berisha.

Lajme të ngjashme