“Thikat, Thaçi, nafta për Serbinë” – Rezoluta kundër Dick Martyt, shkakton përplasje në Kuvendin e Shqipërisë - NACIONALE

“Thikat, Thaçi, nafta për Serbinë” – Rezoluta kundër Dick Martyt, shkakton përplasje në Kuvendin e Shqipërisë

1 vit më parë

nga Besian Beha

Thikat pas shpinës ndaj Hashim Thaçit. Nafta për Serbinë e Millosheviqit në vitin 1999. Buzëqeshjet me Vuçiqin. Këto ishin vetëm disa nga akuzat që u përdorën në Kuvendin e Shqipërisë nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Atje ku sot u diskutua rezoluta kundër raportit të Dick Martyt për trafikim organesh nga UÇK-ja. Gazeta Nacionale sjell detaje.

Gazeta Nacionale ka hapur një sondazh me lexuesit e saj në Viber se kush është lideri shqiptar që ka bërë më shumë për Kosovën. Për të votuar duhet të klikoni KËTU.

Më shumë se 11 vjet që nga koha kur raporti i Dick Martyt u miratua në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Shqipëria ka nisur një betejë të re. Tash po synon hartimin e një raporti të ri, në lidhje me mungesën e fakteve në raportin e Martyt, ku UÇK-ja akuzohet për trafikim organesh.

Votimi për këtë pikë të rendit të ditës, pritet të bëhet më vonë gjatë ditës.

Megjithatë, përveç një diskutimi për një rezolutë në Kuvendin e Shqipërisë, shpërthyen debatet dhe akuzat ndërmjet pozitës dhe opozitës në Shqipëri. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ishte ashpër qysh në nisje të fjalimit të tij. Ai akuzoi PD-në se ia kanë ngulur thikën pas shpine ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

“Përpara se të kuturisemi ne në 2022 për të zgjidhur problemet mes foltores dhe gojores, duhet dakordësia e aleatëve tanë. Zanafilla e raportit të Dick Martyt është vota e PD-së. Dick Martyt ia keni hapur rrugën ju. Hajdeni dhe tregoni çka mendoni për Hashim Thaçin, është mirë atje në burg. Thikat që ia keni ngulur Kosovës nga dita e parë duke e masakruar Thaçin, si terrorist si marksist-leninist deri në ditën e fundit, duke e ngritur thikën e duke ia ngulur mu në gjoks. Historia do të tregojë se ju patriotët e mëdhenj, jeni thika në shpinën e Kosovës”, tha Edi Rama në Kuvendin e Shqipërisë.

Një reagim të ashpër ndaj Edi Ramës, e pati deputeti i PD-së, Enkelejd Alibeaj. Ai tha se Edi Rama po frikësohet ta dënojë gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

Ju keni paraqitur një rezolutë që me të drejtë ky Kuvend të marrë qëndrim për Dick Martyn, e për të cilin disa përfaqësues të UÇK-së po vuajnë padrejtësisht. E shkaku cili është? Gjenocidi serb në Kosovë. Pse ke frikë ta përmendësh këtë? Pse ke frikë ta votosh. Nga kush keni frikë? Si jeni ju mor, që gjakun tonë ka ndodhur gjenocid serb, pse nuk e pranoni këtë. Kujt po ia bëni nderin”, e pyeti Alibeaj kryeministrin e Shqipërisë.

Edi Rama vs Sali Berisha

E shqyrtimi i raportit të Dick Martyt shpërtheu edhe një përplasje tjetër. Atë që ka nisur vite më parë. Kryeministri Edi Rama dhe paraardhësi i tij, Sali Berisha nuk shkëmbyen akuzat deri në ofendime personale. Madje, pati rrezik edhe për përplasje fizike, por ndërhyri sigurimi.

Edi Rama e akuzoi Sali Berishën se e ka furnizuar me naftë Serbinë e Millosheviqit. E akuzoi gjithashtu se ia ka futur thikën Hashim Thaçit.

“Dërgoi tash naftë Millosheviqit atje. E bëje Hashim Thaçin terrorist atje. Dil nga ana e tjetër. Futu andej e ktheje Shqipërinë në pronë private, dhe vjen historia përpara e thotë prit more vëlla, o bajraktar. Çfarë krenarie keni për luftën nëse s’keni kurajo ta respektoni komandantin e UÇK-së. Në rrethin e 9 të ferrit po të jetë Thaci, duhet të ngriheni në këmbë kur i përmendet emri”, tha Edi Rama.

Pas kësaj, pa radhë, fjalën e mori kryetari i PD-së, Sali Berisha. E ai, e akuzoi Ramën që e ka dërguar Thaçin në Hagë. Madje, e përmendi edhe emrin e Baton Haxhiut.

“Sa i përket arrestimit të Hashim Thaçit, dua t’ju them sot të vërtetën. Në proces të arrestimit të Thaçit qëlloi një trinom, Kremlin, Beograd dhe Tiranë. Ky e mori dhe e futi Thaçin në spiralen e ndryshimit të kufijve në Ballkan” – ka thënë Berisha.

Pastaj Berisha vazhdoi me akuza ndaj kryeministrit Rama, duke thënë se ky i fundit gjatë luftës së Kosovës, shiste ikona të vjedhura dhe spiunonte në Paris.

“Kur djemtë e Kosovës flijonin jetën dhe derdhnin gjakun, kur Adem Jashari shndërroi Prekazin në Krujë të vërtetë, parafolësi (Edi Rama) shiste ikonat e vjedhura dhe spiunonte emigrantë në Paris. Shiste ikona të vjedhura, edhe një herë këtë e ka thënë Fatos Nano, është deklaratë e Fatos Nanos” – ka thënë Berisha.

“Unë do të diskutoj më vonë për të gjithë të vërtetat e raportit të Dick Martyt. Çdo gjë është me dokumente. Por ky që ndërtohet tash si patriot, bashkë me Baton Haxhiun, janë promotorët e arrestimit të Hashim Thaçit” – thotë Berisha.

Edi Rama vs Lulzim Basha

Debati shpërtheu edhe pas një fjalimi të Lulzim Bashës. Ky i fundit foli gjithashtu për gjenocidin serb.

“Ndër vite ka pasur përpjekje të vazhdueshme për t’i manipuluar faktet siç ka ndodhur edhe me raportin e Dick Martyt. Një raport fake, që pas tij fshihen strukturat serbe. Pasi krijuan tollovi në opinionin ndërkombëtar siç e ka pohuar protagonisti, ishte synimi për të eleminuar fizikisht zviceranin, për të fshehur gjurmët e fajësuar shqiptarët. E vërteta nuk zhbëhet dot. Ajo është e shkruar me gjakun e viktimave të pafajshme, me viktimat e gjenocidit serb në Kosovë”, tha Basha.

“Makineria e Millosheviqit ka kryer gjenocid në Kosovë. Dënimi i gjenocidit nuk e ka synimin për të mbetur peng i së kaluarës, pa u shëruar plagët e luftës që shqiptarët nuk e kanë nisur. Është amnisti ndaj një të shkuarës që rrezikon të përsëritet nëse nuk pranohet dhe dënohet”, deklaroi Basha.

Këtu shpërtheu sërish Edi Rama, duke e akuzuar Bashën se nuk foli për asnjë moment në lidhje me Dick Martyn.

“A e dëgjuat ndonjë fjalë për Dick Martyn nga Basha? Dëgjuat ndonjë fjalë për UÇK-në? Për Hashim Thaçin? Për poshtërsinë e akuzës për trafikim organesh. Jo. Dëgjuat vetëm për Millosheviqin dhe për mua. Këtu kemi ardhur për diçka tjetër. Ajo Gjykatë Speciale nuk ka asnjë fakt. Këta e kanë votuar raportin e Dick Martyt në Këshillin e Evropës. Dhe historia e ka këtë të keqe. Pikërisht kur mendon se e ke lënë pas, të vjen përpara. Këta e kanë votuar një raport që i ka dërguar në burg njerëzit kryesor të UÇK-së”, deklaroi Edi Rama.

“Disa të tjerë e kanë kthyer Hashim Thaçin në tradhëtar që duhet ta dënojë Gjykata Speciale sa më shumë, sepse paska dashur t’ua ndajë Kosovën. Këta Kosovën e kanë ndarë, vetëm kur i çonin naftë asaj makinerie të Serbisë, e tash na e kujtojnë këtë neve. Me këta trimat. Është fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg. Kjo synon ta lëvizë Këshillin e Evropës. Këta nuk kanë atdhe. As dinë e as iman”, përfundoi Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është zotuar se këtë temë do ta vazhdojë deri në Gjykatën e Strasburgut.

Çfarë përmban rezoluta kundër Dick Martyt?

Kuvendi i Shqipërisë, ka propozuar një Projektrezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri, në të cilën kundërshtohen pretendimet e ngritura nga raporti i Dick Martyt për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Projektrezoluta përmban 20 pika mbi të cilat janë nxjerrë konstatime për pabazueshmërinë e pretendimeve të Dick Martyt ndaj luftës së UÇK-së.

Në këtë projektrezolutë thuhet se Kuvendi i Shqipërisë “Konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.”.

Gjithashtu projektrezoluta që pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë, i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të bëjë një rishkrim të rezolutës që është votuar më parë dhe të rivlerësojë pretendimet e Martyt

“I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë”, thuhet në rezolutën që e ka parë Nacionale.

Lajme të ngjashme