Dick Marty, Nazim Bllaca, fuqia politike – për cilat arsye Gjykata Speciale i la në burg Thaçin e Veselin? - NACIONALE

Dick Marty, Nazim Bllaca, fuqia politike – për cilat arsye Gjykata Speciale i la në burg Thaçin e Veselin?

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjykata Speciale me seli në Hagë vendosi që ish-presidenti Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentari Kadri Veseli, të mbesin në paraburgim. Vendimin e arsyetuan me rrezikun e ikjes, ndikimit në dëshmitarë, e shkatërrim të provave. U përmendën edhe Dick Marty, Nazim Bllaca e shtetet e treta. Gazeta Nacionale sjell një përmbledhje të vendimit nga Gjykata Speciale.

Dy shtete të treta, emrat e të cilave nuk janë bërë kurrë publikë, dhanë garanci se janë në gjendje ta zbatojnë arrestin shtëpiak për Hashim Thaçin. Madje, përfaqësues të këtyre shteteve u shprehën të gatshëm të marrin pjesë edhe në një seancë dëgjimore ku do të paraqisnin kushtet e tyre të cilat mund t’i zbatojnë nëse ish-presidenti i Kosovës lirohet nga paraburgimi. Por, as garancia e as seanca dëgjimore nuk u morën parasysh nga Gjykata Speciale, e cila vendosi t’ua vazhdojë paraburgimin Hashim Thaçit e Kadri Veselit.

“Sa i përket kërkesës për seancë dëgjimore me përfaqësues të qeverive të (REDAKTUAR), kujtojmë se Gjykata e Apelit ka gjetur se kuadri ligjor nuk kërkon një seancë dëgjimore, nëse një person kërkon të plotësojë garancitë e qeverisë, dhe se konsultimet me shtetin e tretë janë të detyrueshme vetëm kur paneli synon të japë lirim të përkohshëm ose e parashikon një gjë të tillë. Gjykata e Apelit ka konfirmuar diskrecionin e gjyqtarit në lidhje me garancitë e shteteve të treta. Gjyqtari vëren se mbrojtja nuk ka ofruar ndonjë propozim të ri lidhur me kërkesat e saj për lirimin me kusht të z. Thaçi, por thjesht përsërit propozimet që janë refuzuar më parë. Gjyqtari i procedurës paraprake nuk është i bindur se vazhdimi i paraburgimit nuk mund të konsiderohet proporcional”, thuhet në vendimin e gjyqtarit të procedurës paraprake, transmeton gazeta Nacionale.

Gjykata ka vendosur se ekzistojnë mundësitë që Thaçi e Veseli të ikin, të ndikojnë në dëshmitarë, e të shkatërrojnë prova. Për një gjë të tillë, nuk u morën parasysh as garancia nga Policia e Kosovës, se mund ta zbatojnë arrestin shtëpiak.

“Gjyqtari i procedurës paraprake rikujton se Policisë së Kosovës i është drejtuar në disa raste, për të ofruar informacione në lidhje me mundësinë e zbatimit të arrestit shtëpiak. Policia e Kosovës përfundimisht ka ofruar përgjigje të detajuara. Pas analizimit të informacioneve, gjyqtari përcaktoi dhe Gjykata e Apelit e konfirmoi, se kushtet e ofruara mbeten të pamjaftueshme për të zbutur në mënyrë adekuate rreziqet sipas neneve”, thekson më tutje vendimi ku u refuzua lirimi nga paraburgimi për Thaçin.

Mbrojtja e Thaçit ka paraqitur edhe disa kushte të tjera shtesë për arrestin shtëpiak përfshirë monitorimet e telefonave, kufizimin e vizitorëve, etj. Megjithatë, të gjitha këto masa nuk janë marrë parasysh.

Duke filluar me kushtin plotësues, pra dërgimin e stafit të Qendrës së Paraburgimit për ta mbikëqyrur arrestin shtëpiak të Thaçit, rikujtojmë se Gjykata e Apelit kishte vlerësuar të arsyeshëm faktin që gjyqtari të mos i kishte marrë parasysh të gjitha këto masa. Përfshirë numrin e oficerëve etj. Megjithatë kjo nuk do të ndikonte, që z.Thaçi ta pengojë ecurinë e procedurave të Speciales për të kryer krime të tjera, dhe frikësimin e dëshmitarëve. Pjesëtarët e UÇK-së në Kosovë dhe korrupsioni, e bëjnë një masë të tillë të paarsyeshme”, thekson tutje vendimi.

Në një pjesë të vendimit përmendet edhe kërcënimi i Dick Martyt nga inteligjenca serbe, me qëllim për ta fajësuar Kosovën.

“Ky argument nuk ka lidhje me çështjen e lirimit me kusht. Në çdo rast, atentati është ende i paverifikuar dhe mbrojtja nuk arrin të shpjegojë se si një komplot i tillë mund të çojë në përfundimet se nuk ka rrezik që Thaçi të ndërhyjë në procedurat e Gjykatës Speciale, ose të kryejë krime të tjera”, thekson vendimi.

Në fund, gjyqtari thekson se lirimi nga paraburgimi përkundër se janë bërë gati 2 vjet nga arrestimi, është masa e duhur edhe për shkak të akuzave të rënda që rëndojnë mbi Hashim Thaçin.

Si e arsyetoi Gjykata Speciale vendimin për Veselin?

Arsyetime pak a shumë të njëjta gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Gillou, ka renditur edhe në vendimin që Kadri Veseli të mbetet në paraburgim.

“Gjyqtari konstaton se rreziku i ikjes ende vazhdon të jetë prezent në lidhje me z.Veseli.”

Arsye tjera të përmendura nga gjyqtari, janë edhe rreziku i kryerjes së krimeve të tjera që ndërlidhen me Specialen.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se ekziston edhe më tutje rreziku që z. Veseli të kryejë krime të tjera, përfshirë dëshmitarët të cilët do të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, theksohet në vendim.

Gjyqtari i ka vlerësuar si të pamjaftueshme garancitë e zbatimit të arrestit shtëpiak nga Policia e Kosovës. Sipas vendimit, Qendra e Paraburgimit mbetet institucioni i vetëm kur të gjitha rrethanat e procedurave mund të zbatohen në përpikmëri. Sipas gjyqtarit, kjo nuk do të ndodhte nëse Veseli lirohet në arrest shtëpiak.

Avokati i Veseli, Ben Emmerson, e kishte përmendur në parashtrimet e tij Nazim Bllacën, duke theksuar se i njëjti nuk ka qenë agjent i SHIK-ut, por i Serbisë. Edhe gjyqtari në vendimin e fundit, e ka përmendur paksa Bllacën.

“Gjyqtari i procedurës paraprake kujton se më parë është konstatuar se Veseli e ka aftësinë për t’i dhënë udhëzime një individi që vepron me Gjykatën Speciale, duke ndërhyrë drejtpërdrejt, dhe ai vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në Kosovë, të cilat do t’ia mundësonin atij të kishte akses në infromacione. Gjyqtari kujton se provat zbulojnë që përderisa z. Veseli ishte në krye të SHIK-ut, anëtarët e kësaj organizate ishin të përfshirë në ndikim te dëshmitarët. Në çdo rast lidhur me pretendimin e mbrojtjes se z. Bllaca kurrë nuk ka qenë agjent i SHIK-ut, gjyqtari konsideron se ky argument nuk ndryshon konstatimet e përfshira në aktgjykim. Në lidhje me konstatimin se Bllaca ishte agjent serb, kjo nuk e cenon konstatimin e mësipërm”, thuhet në vendim.

Në anën tjetër, gjykata ka vlerësuar se arsye tjetër për moslirim, është edhe fakti që procedurat kanë avancuar dhe një numër i dëshmitarëve, janë zbuluar.

“Gjyqtari i procedurës paraprake konsideron se avancimi i procedurës, në veçanti dorëzimi i listës së dëshmitarëve dhe identitetit i tyre me masa mbrojtëse në gjykatë, rrit rrezikun e pengimit pasur parasysh se z. Veseli do t’i ofrojë më shumë detaje. Gjyqtari më tej arrin në përfundimin se, duke pasur parasysh se z. Veseli ka ndërhyrë për të dëshmuar në një çështje dhe vazhdon të luajë rol të rëndësishëm në Kosovë, e rrit rrezikun e pengimit të drejtësisë”, pretendon gjyqtari Gillou.

Në paraburgim përveç Thaçit e Veselit, janë edhe Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi.

Pavarësisht se janë arrestuar tash e 1 vit e gjysmë, gjykimi ende nuk ka nisur, e procesi është në fazën paraprake. Procesi gjyqësor sipas mbrojtjes, mund të nisë në fillimin e vitit 2023.

Lajme të ngjashme