Shqipëria me Projekt-Rezolutë kundër akuzave të Dick Martyt: Çka po bën Kosova? - NACIONALE

Shqipëria me Projekt-Rezolutë kundër akuzave të Dick Martyt: Çka po bën Kosova?

1 vit më parë

nga Shkëlqim Beqiri

Kuvendi i Shqipërisë, ka propozuar një Projekt-Rezolutë mbi pabazueshmërinë e pretendimeve të Dick Martyt për trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe Shqipëri nga ish-krerët e UÇK-së. Kjo Projekt-Rezolutë vjen pasi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në Kosovë tha po bëhen padrejtësi ndaj luftës së UÇK-së. Por, çka po bën Kosova?

Në këtë Projekt-Rezolutë kundërshtohen pretendimet e ngritura nga raporti i Dick Martyt dhe theksohet se këto pretendime të pabazuara duhet të konsiderohen si të tilla edhe nga ndërkombëtarët.

“[Kuvendi i Shqipërisë] Konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.” - thuhet mes tjerash në këtë Projekt-Rezolutë.

Gjithashtu në këtë draft që pritet të votohet në Kuvendin e Shqipërisë, i bëhet thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që të bëjë një rishkrim të rezolutës që është votuar më parë dhe të rivlerësojë pretendimet e Martyt.

“[Kuvendi i Shqipërisë]I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (follow up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.”, thuhet në Projekt-Rezolutën që e ka parë Nacionale.

Por, çka po bën Kosova?

Deri më tani në Kosovë nuk ka pasur ndonjë propozim për ndonjë rezolutë mbi të cilën do të kërkohet të verfikohet edhe njëherë raporti i Dick Martyt dhe pretendimet e tij për UÇK-në.

Kjo mungesë vjen përkundër që – siç është thënë – akuzat ndaj liderëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë [Gjykata Speciale] nuk bazohen në akuzat e bëra nga z. Marty.

Ishte kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ishte i pari prej zyrtarëve të lartë të shtetit që porpozoi se Gjykata Speciale ka nevojë për “mekanizëm kontrolli” dhe se është “gjykatë e zorit”.

Konjufca pas vizitës që pati në Hagë, ku takoi ish-krerët e UÇK-së, Gjykatën Speciale e kishte quajtur absolutiste, e cila sipas tij nuk i jep llogari askujt.

Tash duhet ta keni parasysh që kjo është themeluar prej Kuvendit të Kosovës, por me amendament është pjesë e Kushtetutës. Me amendament është detyrë hetimi i raportit të Dick Martyt. Problemi është ky që edhe mënyra si po funksionon kjo gjykatë, është absolutiste. Kjo Gjykatë nuk i jep llogari kërkujt, nuk ka kërkund në botë kështu. Për të qenë gjykatë e drejtësisë, e jo e politikës ka nevojë për mekanizëm të kontrollit e llogaridhënies. E ky mekanizëm nuk po shihet askund. Bashkësia ndërkombëtare nuk po e themelon këtë mekanizëm, Kosova nuk e ka asnjë mekanizëm,” - kishte thënë ai.

Projekt-Rezoluta e Shqipërisë e qëlluar por pak e vonuar

Politologu dhe profesori, Avdi Smajljaj, në një bisedë për Nacionale ka thënë se Projekt-Rezoluta e Shqipërisë do të duhej të bëhej më parë. Ani pse e vonuar, ai thotë se projektrezoluta është e qëlluar.

Raporti i Dick Martyt u deshmua si një përpjekje e aleateve të Serbisë për të lëkundur themelet e shtetit të Kosovës duke krijuar të pavërteta për UÇK-në si bazamenti i lirisë dhe shtetit të Kosovës. Veprimi i Shqipërisë për Projekt-Rezolutën është i qëlluar, edhe pse i vonuar, do të duhej bërë me herët, si pjesë e vazhdueshme e qëndrimit të Shqipërisë kundër politikës së Serbisë dhe aleateve të saj për zhbërjen e shtetit të Kosovës.” - ka thënë ai.

Sipas tij, përveç vizitave të zyrtarëve në Hagë, Kosova nuk po bën asgjë dhe ka mungesë të vizionit kundër raportit të Dick Martyt.

Se çka po bën Kosova në këtë drejtim, ajo që duket është mungesa e një vizioni dhe politike kundër raportit të Martyt dhe për mbrojtjen e themeleve të shtetësisë. E vetmja gjë që duket se aktualisht është duke u bërë, është vizita e disa zyrtarëve në Hagë.”, ka theksuar ai.

Se është projektrezolutë e vonuar njejtë mendon edhe ushtruesi i detyrës së kryetari të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku.

Ai për Nacionale ka thënë se kjo Projekt-Rezolutë është dashur të bëhet më herët.

Është projektrezoltuë që gjithsesi është dashur të bëhet edhe më herët sepse Shqipëria është anëtare e Këshillit të Evropës dhe duhet të dijë për raportin e Dick Martyt që miratu në Këshill të Evropës që akuzon UÇK-në për trafikim të organeve, natyrisht që është e mirë, Këshilli i Evropës duhet me hjek njollën që na kanë ba.”, ka thënë ai.

Kujtojmë se në Kosovë kohë më parë ishte tentuar që të shfuqizohet Gjykata Speciale, mirëpo ky tentim pati dështuar.

Lajme të ngjashme