Profesori amerikan: Vrasjen e Dick Martyt, Serbia synoi ta përdorte kundër krerëve të UÇK-së në Hagë - NACIONALE

Profesori amerikan: Vrasjen e Dick Martyt, Serbia synoi ta përdorte kundër krerëve të UÇK-së në Hagë

4 vjet më parë

nga NACIONALE

Profesori i Universitetit të New Yorkut, Alon Ben Meir, në një intervistë ekskluzive për gazetën Nacionale ka thënë se Serbia me vrasjen eventuale të Dick Martyt, ka synuar të përfitojë në dëm të krerëve të UÇK-së që po mbahen të arrestuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Meir e ka pranuar se gjykata është gjithnjë në shënjestër të kritikave, dhe akuzave për ndërhyrje politike.

Eksperti amerikan për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës janë subjekt i rritjes së tensioneve në rajon, si pasojë e luftës në Ukrainë. Meir ka theksuar se kryeministri i Kosovës, duhet të jetë më aktiv në dialogun me Serbinë, në kërkim të njohjes reciproke.

INTERVISTA:

Nacionale:

Si i keni parë zhvillimet e fundit në Veri, ku Policia e Kosovës është sulmuar disa herë?

Ben Meir:

Nuk besoj se sulmet ndaj Policisë së Kosovës nga serbët janë orkestruar nga ndonjë subjekt i jashtëm. Sulmet u nxitën kryesisht nga rritja e përgjithshme e tensioneve në Ballkan, si rezultat i luftës në Ukrainë. Policia e Kosovës nga serbët shihet si forcë e huaj që nuk ka të drejtë t’ua imponojë vullnetin e saj serbëve, edhe pse ata jetojnë në Kosovë.

Nacionale:

A keni vërejtur ndonjë tendencë për eskalim të situatës mes Kosovës dhe Serbisë?

Ben Meir:

Nuk mendoj se konflikti mes Serbisë dhe Kosovës do të përshkallëzohet, pasi asnjëra palë nuk ka ndonjë interes për ta bërë këtë. Serbia e di se SHBA-ja dhe BE-ja e mbështesin pavarësinë dhe sigurinë kombëtare të Kosovës. Për më tepër, Serbia ende dëshiron të mbajë raporte të mira me BE-në sepse në fund të fundit, do të dëshironte të ishte pjesë e këtij unioni në të ardhmen.

Nacionale:

A mendoni se Rusia ka gisht në këto zhvillimet e fundit?

Ben Meir:

Për arsye të qarta, Rusia dëshiron ta mbajë Serbinë në anën e saj duke i ofruar Beogradit ndihmë ushtarake dhe ekonomike, dhe për ta penguar atë që të anëtarësohet në BE. Thënë kështu, Putini nuk po e shtynë Serbinë të nxit ndonjë telashe të veçantë, megjithatë ai po e mbështetë ndjenjën e përgjithshme që kanë shumë serbë, për ta mbajtur Serbinë larg Bashkimit Evropian.

Nacionale:

Si e komentoni faktin që marrëveshja për targat skadoi, dhe nuk pati ndonjë marrëveshje të re. Sa mund të ndikojë kjo për tensione të reja?

Ben Meir:

Meqënëse marrëveshja e targave tashmë ka skaduar pa ndonjë marrëveshje të re, gjëja më e mirë për ta bërë është të vazhdohet me marrëvesjen që skadoi, deri të arrihet diçka. Të dyja vendet duhet të arrijnë një marrëveshje të re të përhershme, derisa të zgjidhet çështja e njohjes reciproke.

Nacionale:

Si e keni parë qasjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në dialogun me Serbinë?

Ben Meir:

Negociatat e lehtësuara nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës do të vazhdojnë me muaj, nëse jo me vite. Megjithatë, përparim mund të bëhet vetëm nëse Serbia pranon ta njohë pavarësinë e Kosovës, por unë nuk mendoj se kjo mund të realizohet së shpejti. Megjithatë, siç e kam thënë edhe në të kaluarën, kryeministri Kurti duhet të pajtohet që të angazhohet në një proces normalizimi me Serbinë, përdersia nuk e cenon pavarësinë e Kosovës.

Nacionale:

Cili është komenti juaj për kërcënimin ndaj Dick Martyt nga Serbia me qëllim që të fajësohet Kosova?

Ben Meir:

Është e qartë se Serbia po përpiqet të përfitojë nga procedurat penale në Hagë kundër kosovarëve të akuzuar për krime lufte kundër serbëve gjatë luftës. Përpjekja e Serbisë për ta vrarë Dick Martyn është njëfarë mënyre cinike, në atë që derisa kosovarët po ekspozohen si të akuzuar për krime lufte, Serbia po dëshiron të ngrejë ende çështje kundër Kosovës duke e vrarë Martyn dhe duke e fajësuar Prishtinën për krimin.

Nacionale:

A keni ndonjë koment për punën e Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar duke u bazuar në raportin e Dick Martyt?

Ben Meir:

Edhe pse disa seanca mbahen të hapura, si rregull këto diskutime bëhen prapa dyerve të mbyllura, dhe raportet duhet të merren me rezervë, pasi ka shumë raporte të tilla që kanë paragjykime të caktuara. Gjykata është e kujdesshme në shqyrtimet e saj, sepse rastet gjithmonë kanë implikime politike, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë.

Lajme të ngjashme