A duhet t’i bëhet Dick Martyt një ftesë ‘speciale’? - NACIONALE

A duhet t’i bëhet Dick Martyt një ftesë ‘speciale’?

2 vjet më parë

nga Besian Beha

Ish-senatori zviceran, Dick Marty, edhe njëherë u kthye në vëmendjen e publikut kosovar. Për dallim nga një dekadë më parë kur ai paraqiste pretendimet e tij për trafikim organesh nga UÇK-ja, tash Marty, po e akuzon Serbinë se ka tentuar likuidimin e tij, me qëllim që t’ia vë fajin Kosovës. Por sa do të ndikojë ky zhvillim marramendës në punën e Gjykatës Speciale dhe a duhet të ftohet Dick Marty si dëshmitar?

Kërcënimi ka ardhur nga qarqet e caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, gjegjësisht, nga vrasësit profesionistë që donin të më likuidonin, dhe pastaj për këtë të fajësoheshin kosovarët”. Kjo deklaratë e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, është një nga më të komentuarat tash e tri ditë. Kërcënimi ndaj personit që me raportin e tij, ishte bazament për themelimin e Gjykatës Speciale, bëri bujë në Kosovë dhe jo vetëm.

Kjo deklaratë vjen në kohën kur gjykimet në Dhomat e Specializuara të Hagës, janë intensifikuar. Pavarësisht se në Speciale tash nuk përmendet raporti i Martyt, gjykata u themelua me akuzat e tij se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka kryer trafikim të organesh.

F T E S A S P E C I A L E

Nga qarqe të ndryshme janë shtuar thirrjet se ish-senatori zviceran, Dick Marty, duhet të ftohet nga avokatët e krerëve të UÇK-së në cilësinë e dëshmitarit. Pavarësisht se gjykimi nuk ka nisur, mbrojtja e Thaçit, Veselit, Selimit e Krasniqit, sipas njohësve të punës së Gjykatës Speciale, duhet ta shqyrtojnë seriozisht këtë mundësi. Një gjë të tillë madje, e kanë thënë edhe ish-këshilltarët e Thaçit e Veselit, sa ishin në pozicione vendimmarrëse në Kosovë.

Megjithatë, Artan Qerkini që është avokat i licensuar nga Gjykata Speciale thotë se vendimi për këtë i takon vetëm mbrojtjes. Por që, sipas tij, kjo mundësi duhet të shqyrtohet seriozisht.

Mbrojtja e tyre duhet të vendosë a ka nevojë me thirr si dëshmitar, dhe çfarë fakte dojnë që t’i vërtetojnë me dëshminë e tij. Duhet me shqyrtu këtë mundësi. Është shumë indikative, duhet të nisin hetime në këtë punë, për ta gjetur motivin e vërtetë se pse është planifiku vrasja e Dick Martyt. Duhet me hetu shumë më thellë”, ka thënë Qerkini për Nacionalen.

Por, a ndikojnë zhvillimet e fundit në punën e Gjykatës Speciale?

Çka munden me ndiku është që nëse del diçka, pra nëse vërtetohet përtej dyshimit të bazuar se raporti i Dick Martyt përmban në vete të dhëna të pasakta, dhe që me qëllim janë futur ato të dhëna aty në raport për t’i dëmtuar disa persona, kjo do të ndikonte edhe në punën e Speciales, sepse juridiksioni lëndor i Gjykatës Speciale bazohet në raportin e Dick Martyt”, shtoi Qerkini.

Avokati tjetër me përvojë, gjithashtu i licensuar nga Specialja, Tahir Rrecaj, thotë se ftesa ndaj Martyt si dëshmitar është e domosdoshme. Kjo pavarësisht se Rrecaj thotë, që Specialja sot nuk e ka burim të aktakuzave raportin e Martyt.

Mendoj se patjetër ai duhet të japë sqarime kah i ka marrë ato informacione për raportin e Dick Martyt. Nga përvoja ime e deritashme asnjë nga nga klintët e mi që është në hetim, nuk janë pyetur për trafikimin e organeve. Mbrojtja duhet me prpopozu që ai të dëgjohet edhe si dëshmitar, që ka përgatitë një raport që është miratuar nga Këshilli i Evropës”, ka thënë Rrecaj për gazetën Nacionale.

Artan Behrami që ka qenë këshilltar i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka shkruar se Marty duhet të ftohet si dëshmitar nga Prokuroria.

Dick Marty mbetet aleati më i madh i Rusisë dhe Serbisë. Gjithmonë ka qenë. Gjithmonë do të jetë.“

Prokuroria e Gjykatës Speciale duhet ta thërrasë Dick Martyn si dëshmitar. Po ashtu, mbrojtja e krerëve të UÇK-së duhet ta ketë të drejtën ta thërrasë atë si dëshmitar. Pa dëshminë e Dick Martyt në Gjykatën Speciale nuk ka proces gjyqësor fer dhe të paanshëm. Dick Marty po mundohet të fshihet për të mos dëshmuar në Gjykatën Speciale, meqë ai dhe të gjithë ne e dimë që raporti i tij ka qenë një fabrikim i dezinformatave ruso-serbe”, ka thënë Behrami.

Çfarë tha Marty?

Ish-raportuesi special i Komisionit Evropian, Dick Marty, jeton me mbrojtjen policore për një kohë të gjatë, sepse jeta e tij është e rrezikuar nga elementet radikale të shërbimeve të inteligjencës serbe, raporton Radio Televizioni Zviceran. Marty-t, i cili është ish-prokuror nga kantoni i Ticinos, i është dhënë mbrojtje policore që nga dhjetori i vitit 2020, raporton “Radio Television Suisse”.

“Kërcënimi ka ardhur nga qarqet e caktuara të shërbimeve inteligjente serbe, gjegjësisht, nga vrasësit profesionistë që donin të më likuidonin, dhe pastaj për këtë të fajësohen kosovarët”, ka deklaruar Dick Marty.

Ai ka shtuar se ekzistojnë veteranë që janë të specializuar për vrasje me porosi dhe se vrasja e dikujt në këtë mënyrë nuk është veçanërisht e shtrenjtë.

Televizioni shtetëror zviceran në frëngjisht raporton se ka pasur qasje në një dokument ku thuhet se vrasja e Martyt iu besua qytetarëve serbë, të cilët për një kohë të gjatë kryejnë detyra të tilla për shërbimet e inteligjencës serbe, të cilët janë trajnuar si profesionistë absolut.

Lajme të ngjashme